NGA KLODIANA LALA

Oligerta Bodini, nga Rrogozhina, s’mundi ta refuzojë kërkesën e të dashurit Marim Leka, për të futur në gracke një ish-mikun e tij, që nuk i kthente borxhin prej 5 mijë lekësh.

Për këtë arsye, vajza e joshi seksualisht të riun. Pas disa telefonatash, të dy u takuan dhe u ngjitën në një apartament që ndodhej në lagjen nr.13 në Durrës.

Por teksa Aurel Xh. shpresonte të kishte një marrëdhënie intime me vajzën, u përball me kërcënime dhe dhunë. Në apartamentin ku e dërgoi Bodini, e cila në fakt i ishte prezantuar me emrin Denisa, gjeti Marim Lekën dhe mikun e tij Edmond Sina.

Duke e kërcënuar me thikë Leka i kërkoi Aurel Xh., t’i paguante një gjobë prej 280 eurosh, me pretendimin se ai kishte ngacmuar gruan e mikut të tij, e për këtë do ta çonin në polici.

I riu pranoi të jepte paratë dhe kërkoi ta lejonin të shkonte në shtëpi për t’i marrë. Fill më pas lajmëroi policinë dhe tre të dyshuarit u vunë në pranga.

Këtë të mërkurë, Oligerta Bodini, i dashuri i saj, Marim Leka dhe Edmond Sina u ulën në kafazin e hekurt të gjykatës së Krimeve të Rënda për të dhënë llogari përpara drejtësisë për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Të tre shprehën pendesë të thellë për veprimin e kryer dhe kërkuan gjykim të shkurtuar. Oligerta shpjegoi se gjithçka “e bëri për hir të dashurisë që kishte për Marimin me qëllimin e vetëm që ta ndihmonte që Aureli t’i kthente borxhin e marrë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb