Dielli shkëlqen, temperaturat rriten. Vera është stina e “zhveshjes” nga rrobat por edhe nga “dhjami” i tepërt! Kjo që po ju them mund t’ju
sjellë në mendje një regjim të rreptë dhe disiplinë të fortë, por, çfarë do të thoshit nëse mund t’ia arrini thjesht duke shijuar gjithë mrekullitë
e kësaj stine? Ju mund t’ia dilni jo vetëm të rrezoni kilogramë, por edhe të furnizoni trupin me një sërë thesaresh ushqimore të cilat do të
jenë rezerva që do të shërbejnë edhe në stinët në vazhdim, ku ngjyrat zbehen dhe zgjedhjet varfërohen.

Të hash më pak gjatë verës vjen natyrshëm dhe madje pa u ndierë të privuar. Duke ndjekur këshillat tona do të siguroni një ushqim që ju
ofron fibra bimore, kalcium dhe lëndë ushqyese të rëndësishme, shkruan shendeti.

Fibrat bimore ndihmojnë në uljen në peshë sepse na “kënaqin stomakun” duke dhënë ndjesinë e ngopjes më gjatë. Ato ndihmojnë edhe në
metabolizmin e sheqerit duke parandaluar nepsin për ushqime kalorike.

Frutat dhe zarzavatet e verës kanë veti të tjera për të cilat mund të mos jeni në dijeni. Për shembull, fitokimikatet dhe antioksiduesit që
përmbahen në disa fruta, sidomos me ngjyrë të kuqe dhe vishnje, luajnë rol të rëndësishëm kundër plakjes, kancerit dhe hemorragjisë
cerebrale, përmirësojnë tensionin arterial dhe mbrojnë zemrën tonë. Përveç kësaj, na ndihmojnë të ngushtojmë rripin e mesit pasi janë
aleate shumë të rëndësishëm në përpjekjen për të rënë nga pesha.

Gati për t’u dobësuar me ushqime verore? Filloni dietën tuaj të “verës” me këto hapa:

Domate dhe speca të kuq për vitaminë A, vitaminë C dhe likopen -një antioksidues i rrallë
Këto ushqime hyjnë në familjen e frutave, edhe pse ne i njohim si zarzavate. Domatet dhe specat janë ushqime nga më të pasurat në
vitaminë C, e cila luan rol kyç në mbrojtjen e lëkurës tonë pasi është përbërës kryesor në formimin e kolagjenit.
Një domate ka vetëm 35 kalori, ndërkohë që ju ofron 40% të nevojës ditore për vitaminën C dhe 20% të vitaminës A.
Fakt i rëndësishëm
Konsumi i shpeshtë i saj parandalon kancerin e prostatës dhe të tumoreve të aparatit tretës.
Pengon oksidimin e kolesterolit të keq duke mbrojtur në këtë mënyrë zemrën tonë.
Këshillë
Për të marrë maksimumin e domateve, bëjini salcë dhe shtojini pak vaj ulliri dhe rigon.
Specat e kuq – Vetëm me gjysmë kupë specat e kuq ofrojnë 240% të nevojës ditore për vitaminën C. Ushqimi më i rëndësishëm për të
gjithë duhanpirësit të cilët kanë nevoja të rritura për vitaminë C, pasi pirja e duhanit e ul nivelin e vitaminës C në organizëm.
Konsumoni speca të gjallë të prerë për së gjati për “englendisje” midis vakteve kryesore, duke i kombinuar me pak gjizë ose salcë kosi.
Specat mund t’i piqni në furrë ose në tenxhere me presion, me pak hudhër, vaj ulliri dhe uthull balsamike.

Manat & frutat e pyllit (boronica, lule shtrydhe, manaferra, mana, thana)
Asgjë nuk është më verore sesa ylberi i frutave të pyllit, që i bën raftet e tregjeve të fruta-perimeve me tërheqëse dhe të bukura se çdo raft
tjetër.
Veriu i Shqipërisë ofron përgjatë gjithë gushtit boronicat e pazëvendësueshme. Mos lini t’ju ikë vera pa konsumuar boronica.
Fakt i rëndësishëm

Ato kanë forcën më të madhe kundër plakjes, ato si dhe gjithë frutat e tjera të kësaj familje përmbajnë substanca të cilat çaktivizojnë
substanca kancerogjene të caktuara, si dhe ngadalësojnë riprodhimin e qelizave kanceroze. Boronicat ndihmojnë edhe në forcimin e
memories, kurse thanat janë ilaç i mrekullueshëm në trajtimin e infeksioneve të kanaleve urinare.
Këshillë

Frutat e pyllit shijohen shumë siç janë, por mund të konsumohen edhe në forma të tjera, si për shembull në salca të ndryshme të cilat i japin
një vlerë të veçantë sallatave apo pjatave kryesore si mishit.
Për t’i ruajtur më gjatë këto “thesare” mund fare mirë t’i vendosni në grirje dhe t’i konsumoni edhe jashtë sezonit.

Kos me pilaf
Një kombinim tradicional shqiptar, i shkëlqyer për darkat e verës! Orizi është një ushqim i lehtë dhe shumë miqësor për aparatin tonë tretës.
Ai na jep energji duke mos e renduar tretjen. Në kombinim me kosin realizojmë një vakt të kompletuar në proteina dhe 30% të nevojave
ditore në kalcium. Nëse orizin e zgjidhni integral do t’ia shtoni shumë vlerat pjatës suaj.

Këshillë
Kosi më i mirë është ai që bëhet vetëm me farë shtëpie, nga qumësht të cilit i është hequr ajka. Për të provuar nëse kosi që blini është i
pasur në fermente të nevojshëm dhe shumë të dobishëm për aparatin tretës bëni ketë provë: vendoseni kosin në një enë të cilën e mbuloni
me një celofan të hollë të puthitur në mënyrë që të mos hyjë ajër dhe lëreni gjithë natën. Nëse në mëngjes membrana nuk është fryrë do të
thotë që në kosin tuaj nuk gjenden mikroorganizmat që i japin atij vlerën e shumëpërfolur.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: