TIRANË- Partia Demokratike zyrtarizon dy kandidatët që do të garojnë për zgjedhjet lokale të 21 qershorit në qytetin e Elbasanit dhe në Kamzë. Mësohet se në Elbasan do të kandidojë Ardian Turku, i cili është aktualisht deputet i PD-së ndërsa në Kamzë, kryetari aktual, Xhelal Mziu.
Ardian Turku ka qenë i zgjedhur si kryetari i Bashkisë së Elbasanit në vitin 2003, ndërsa Xhelal Mziu konkurron në Kamzë për një mandat të tretë nën siglën e Partisë Demokratike. Zyrtarizimi i dy kandidaturave u bë gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e PD-së mes kryetarit Lulzim Basha dhe dy kandidatëve, Turku dhe Mziu. Mësohet se pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe përfaqësues të strukturave të PD-së në këto dy zona. Disa nga emrat e tjerë të konfirmuar për zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë kandidaturat e Kodhel Calës në Gramsh, Igli Kokalarit në Gjirokastër dhe Altin Çomos në Libohovë.
(m.k/BalkanWeb)
