TIRANË- Brenda mes-javës së ardhshme do të jenë përcaktuar të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 21 qershorit. Deklarata u bë nga Kryeministri Edi Rama pas takimit me deputetët e 7 qarqeve të vendit të cilët zyrtarizuan sot emrat e kandidatëve.


I pyetur për debatet me deputetin Blushi Rama theksoi se ata debatojnë në mënyrë të natyrshme me njëri tjetrin. “Kemi pas një tjetër tur konsultimesh intesive ku kemi rakorduar qëndrimet e bazës së partisë, si dhe çka deputetët kanë vjelë nga konsultimet me shoqërinë civile dhe grupet e interesit si dhe rezultatet e sondazheve. Kemi dakordësuar për një numër të konsiderueshëm kandidatësh që do ti propozohen koalicionit, ndërkohë që mbeten për tu përfunduar edhe disa njësi ndër të cilat edhe njësia më e madhe e vendit, bashkia e Tiranës. Për këto njësi ka akoma disa punë për të bërë, të natyrës konsultative dhe të përfundimeve të imëta të anketimeve që ne kemi zhvilluar”, u shpreh Rama.
Kur pritet të realizohet prezantimi i kandidatëve të Tiranës?
Besoj se brenda javës së ardhshme dhe mendoj se në mesjavë do jemi gati.
Kritikat e Blushit si i pritët?
Unë kam bërë sot disa takime. Nuk mbaj mend se sa, ku kemi pasur debate dhe nuk kam ndonjë kujtesë për ndonjë debat të veçantë me ndonjërin nga deputetët. Ne debatojmë në mënyrë të natyrshme me njeri-tjetrin dhe këtu nuk ka lajm.
Keni një përgjigje për akuzat e PD që thotë se ju po prezantoni persona të inkriminuar?

Nuk di çfarë kanë parasysh. Para pak çastesh mësuam se një kandidat i shpallur prej tyre u shpall fajtor nga gjykata dhe mesa më rezulton do jetë në burg. Shpreh keqardhje të thellë për PD që tjetër thotë, tjetër bën, tjetër mendon.
FRD, PSD, PDS do jenë me ju?
Jemi në diskutime me të gjithë. Koalicioni do të jetë i madh. ne kemi shqetësim kryesor që në këto zgjedhje nuk jemi duke bërë garën e rradhës për një palë zgjedhje vendore, por po përcaktojmë fatin e reformës administrative. Të gjithë qytetarët duhet ta shohin këtë proces si një proces që do përcaktojë shumë mënyrën se si do qeveriset niveli vendor. Qytetarët do të dinë të zgjedhin dhe do bëjnë zgjedhjen më të mirë.
A do ishte më mirë që të kishte garë brenda PS-¬së me projekte konkrete nga kandidatët? Në këtë mënyrë do të rrëzonit zërat se procesi po bëhet nga një njeri i vetëm… Këto janë pjesë e jetës dhe mua nuk më bëjnë përshtypje dhe as nuk i dëgjoj fare. Jam mësuar kaq shumë me muhabete pazari të përkthyera në trajtë akuzash politike saqë kam fituar imunitet të plotë. Asnjëherë më parë nuk është bërë një proces kaq i imët konsultimesh dhe kaq i detajuar për të thithur opinionin e qytetarëve.
Në sa bashki rezultoni fitues? Për ne këto nuk janë zgjedhje politike, por janë zgjedhje me një rëndësi historike për shkak të një reforme historike që kemi ndërmarrë.
Ju shqetësojnë vërejtjet nga Brukseli dhe SHBA?
Fare.

(a.n/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: