Nga Ben ANDONI
Partia Demokratike e ka shtyrë analizën e zgjedhjeve të fundit, e cila parashikohej këtë fillim vjeshte. Konform asaj që referohet në median e përditshme thuhet se: PD-ja do angazhohet në aksionin opozitar dhe sidomos reformën e thellë zgjedhore dhe më vonë do bëjë analizën! Në fakt, burime të PD-së e modifikojnë këtë qëndrim duke sqaruar se: Analiza do të fillojë nga baza dhe shkallë-shkallë do ngjitet kah qendrës. Për fat të keq, megjithëse kjo logjikisht duket e arsyeshme, në rastin e PD-së reflekton si e paarsyeshme. Pikërisht zgjedhjet e fundit treguan se baza e këtij formacioni nuk qëndron më si më parë. Veç shtratit ideologjik, që ka rënë krejtësisht, kjo parti ka humbur misionin e saj, sepse shtresat shoqërore që ka përfaqësuar nuk e gjejnë më veten assesi në ato që artikulohen dhe mbrohen prej kësaj partie. Ndaj analiza duhet filluar nga qendra, ku ndodhet sot edhe përçarja më e madhe e saj.

Që në fillim të arsyetimit, duhet sqaruar se lideri nuk mund të dalë kurrë jashtë idesë, strategjisë, programit dhe natyrës së partisë. Për fat të keq, nuk ka ndodhur kështu me kryetarin aktual të PD-së. Lideri i rikonfirmuar Lulzim Basha, në vend që të përshtatej me gjërat më të mira të kësaj partie, u mundua të përshtatë PD-në me veten e tij. Rezultati dihet: dështim pas dështimi dhe bjerrje e pa ndalur e anëtarësisë së bazës. Kujtojmë se nëse Berisha e bëri me dorë të hekurt drejtimin e PD-së deri para katër vjetësh, Basha e bëri lidërshipin e saj me akrobaci nga më të çuditshme, që në fund rezultuan me një tkurrje historike të këtij formacioni deri në nivelet ku nuk mban më. Jo më kot, sot, kemi një PD, e cila është gjithnjë e më e dobët dhe një bazë, e cila është krejt e pamotivuar dhe e çoroditur.

E nuk mbaron këtu. Duke shtuar se sot e kësaj dite, nuk është ende e zbardhur marrëveshja e 18 majit mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kreut të pozitës Edi Rama, si edhe artikulimet e këtij të fundit që shpreson se opozita do t’i përmbahet marrëveshjes!!! Duket se baza e PD-së dhe vetë kjo strukturë do e ketë të vështirë të bëjë një analizë të qartë, sepse është ende jo transparente në vendimet e saj më të rëndësishme. Nuk numërojmë këtu mungesën e mbledhjes së Kuvendit për shumë e shumë kohë, fakt që të bën të besosh se analiza ka munguar të bëhet si duhet dhe në zgjedhjet e mëparshme, porse, më shumë nga të gjitha, dhe kjo duhet thënë hapur: PD-ja as nuk e përfill më bazën e saj. Provat e fundit: futja në “çadrën e lirisë” pa verdiktin e Kuvendit; bisedimet me PS-në etj.

Ku qëndron realisht PD-ja? Është parti e djathtë në kumtet e saj dhe politikën në letër, por që rëndom sillet si e majtë. Të ashtuquajturat seksionet, grup seksione, strukturat e ndryshme të bazës së PD-së, disa syresh që mbahen me emrat e intelektualëve dhe simpatizantëve të thjeshtë, po mbartin përballjen e kaosit para udhëzimeve konfuze të krerëve të tyre, bërrylat dhe interesat e figurave të partisë në qendër që të gjithë këtë kohë e kanë humbur me denigrime të njëri-tjetrit.

Në një farë mënyre me politikën e saj, por më shumë kaosin e saj të strukturave, PD-ja është afruar gati me politikat e PS-së, duke e përparësuar këtë parti që po e kontrollon e vetëkënaqur situatën në vend, por edhe me një arrogancë të pashoqe në muajt e fundit.

Baza e PD-së ka kohë që po e vuan jashtëzakonisht këtë kaos, fillimisht grupet shoqërore, të cilat ishin edhe më të fortat dhe më të strukturuara në radhët e PD. Në hershmërinë e saj, ishin pikërisht të përndjekurit dhe demokratët e flaktë, që përbënin një linjë që e veçoi në fillimet e veta PD-në sa i përket boshtit ideologjik. Ishte kjo linjë që e mbajti realisht PD-në te qendra e djathtë, ku edhe i takonte. Kuptohet kjo fashë do të ishte kritike edhe me qëndrimet pa bosht të Berishës dhe fakt është se ky i fundit do të frymëzojë lloj-lloj makinacionesh kundër tyre dhe prej asaj kohe (mesi i viteve ’90) do të kemi përçarje të turpshme. Kishte dy shoqata ish të përndjekurish, dy shoqata ish-pronarësh, ndaheshin sindikalistët e me radhë.

Vitet që do të vinin nuk do e përmirësonin aspak performancën e PD-së, porse vendosën një distancë të paarritshme mes qendrës dhe bazës. PD-ja fitoi më 2009, sepse njerëzit u tmerruan me arrogancën e PS-së dhe sidomos me patericën e LSI-së. Pikërisht kjo diferencë e bën gjithnjë e më të pabesueshëm procesin e saj të reformimit përmes analizës së drejtë dhe serioze. Po të besosh një nga eksponentët e saj Salianji thuhet se përpjekja e parë reale do jetë reforma zgjedhore për mos blerjen e votës, si edhe numërimi elektronik!! Të mendosh se historikisht reforma zgjedhore mbaron vetëm në fund, në cak të zgjedhjeve, kupton sesi do të funksionojnë analizat në këtë parti. Ndërkohë që baza besnike e PD-së kërkon sot të jetë realisht pjesë e një analizë objektive të gjendjes, ku të zotërojë një debat i gjerë demokratik dhe jo fyerjet dhe anatemat që kanë mbizotëruar deri tani duke treguar interesat e klaneve dhe interesat personale. Paçka se mënyra sesi e ka pyetur deri tani bazën PD-ja e vë në dyshim të plotë predispozitën e PD-së që të reflektojë para bazës. Kur kujton se për kohë me radhë struktura të bazës mbetën me drejtues të komanduar, por edhe anatemat brenda PD-së dhe grupet gati armiqësore bindesh se baza e PD-së shikohet me nënvleftësim të hapur. Në këtë masë e shikon të pabesueshëm ndryshimin strukturor të kësaj partie, që shumë analistë tashmë i parashikojnë edhe fundin natyror.

Në fund, pa e përsëritur, mund të pohojmë se PD-ja e sotme nuk ka më mbështetjen e ish-pronarëve, ish- të përndjekurve që janë krejt të përçarë dhe qytetarëve, që vuajnë mungesën e zhvillimin të një qëndrimi fitues në këtë parti. Mbi të gjitha njerëzit e zakonshëm i shqetëson fakti se cili do t’i mbrojë nga arroganca e administratës së tanishme, por mbi të gjitha nga omnipotenca e Ramës, që tashmë ka pushtet pa limit dhe këtë e projekton me një ligjëratë të fryrë, që shpesh e tejkalon dhe vetë forcën e tij politike. Vendi, veç anëtarëve të PD-së, po e vuan këtë apati dhe këtë logjikë për të mos u marrë me kolaudimin e vetë forcës së saj, që tashmë përball bazën gjithnjë e më shumë skeptikë dhe indiferente dhe mbi të gjitha mungesën e motivit për të mbështetur një parti, e cila nuk ka gjasa të reformohet për asnjë gjë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb