TIRANË-Policia e Fierit ka nisur sot procedim penal për shpërdorim detyre për kreun Komunës Qendër, Harrilla Mile si dhe për përgjegjësen për mbrojtjen e tokës në këtë komunë M.S.
Procedimi penal për personat e mësipërm nisi pas kallëzimit të banorëve të fshatit Grecallis për mos regjistrimin e tokave. Sipas policisë tokat e paregjistruara janë në zonën kadastrale NR.1851. Policia sqaron se tokat aktualisht i ka në pronësi 58-vjecari V.R.
PRETENDIMET E BANOREVE
Banorët e fshatit Grecalli në komunën Qendër, të Fierit protestuan dje përpara Prefekturës. Ata kanë mësuar se kanë tokë pas 23 vitesh me ardhjen e projektit të gazsjellësit TAP, i cili pritet të kalojë në tokat e tyre. Protesta para Prefekturës, pason atë para komunës Qendër. Banorët janë njoftuar se do të kompensohen për tokat ku do të kalojë TAP¬i, ndërkohë që nuk e dinin se i kishin këto toka. Banorët shprehen se komuna ka dy muaj që i mashtron dhe gënjen pa iu dhënë një informacion konkret nga kreu i komunës. Banorët kanë lëshuar sot akuza në emër të kryekomunarit, Harrilla Mile për mashtrim. Asqeri Muho, drejtori i Verifikimit të Titujve të Pronësisë shprehet se do nisë një hetim administrativ në lidhje me këtë problem. “Hetimet për këtë çështje do të zgjasin 3 muaj”, tha ai.
Janë pikërisht 100 familje që rezultojnë se kanë marrë toka nga ligji 7501 por nuk ishin në dijeni për pasojë nuk kanë aplikuar për certifikatë pronësie. Zbulimi është bërë 2 muaj më parë kur përfaqësues të TAP¬it bazuar në dhënat e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive u ka dërguar njoftime për të proceduar me kompensim financiar. Në regjistrin kadastral të ZRPP¬së rezultojnë se kanë marrë nga 2 dynymë për frymë rreth 100 familje nga fshati Grecalli. Bëhet fjalë për afërsisht 50 ha tokë djerrë në një fshat fqinj. Në Fier nga TAP¬i preken 5 komuna dhe fermerët do të kompensohen për tokën ku do të shtrihet gazsjellësi.
(a.n/BalkanWeb)
