MAQEDONI- Ka përfunduar pas më shumë se 17 orësh përplasja me armë zjarri në Kumanovë mes një grupi të armatosurish dhe policisë maqedonase. Mediat vendasve raportojë për 4 anëtarë të UÇK-së të mbetur të vrarë si pasojë e shkëmbimeve të zjarrit, ndërsa raportohet se një tjetër anëtar është vetëvrarë.
Nga radhët e policisë maqedonase raportohet për 5 të vrarë dhe mbi 30 të plagosur.
Pas përplasjes me armë zjarri me policinë, medias maqedonase raportojnë se edhe 4 anëtarë të UÇK-së i janë dorëzuar policisë, ndërsa 20 persona nga grupi i armatosur u dorëzuan më herët. Por pavarësisht raportimeve të mediave maqedonase, flitet për vijimin e të shtënave në Kumanovë. Ndërsa një antëtar i UÇK tha për “News 24” se luftimet do vijojnë edhe gjatë natës.
Ditën e sotme, lagjja “Trimat” në Kumanovë, e cila banohet tërësisht nga shqiptarët, është kthyer në një arenë përplasjesh me armë zjarri që prej orës 5 të mëngjesit të sotëm, e që kanë vijuar për disa orë.
Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, policia dhe ushtria maqedonase kanë rrethuar një pjesë të Kumanovës, në vijim të një aksioni për ndalimin një grupi të armatosur, i cili sipas autoriteteve maqedonase parashikonte të sulmonte institucionet.
Por kjo situatë u bë shkak edhe për përplasjen e armatosur mes policisë dhe personave të armatosur në Kumanovë. Mediat maqedonase raportojnë për 5 shqiptarë të vrarë nga breshëria e plumbave, ndërsa flitet edhe për rreth 20 të plagosur, pjesa më e madhe e tyre nga radhët e policisë.
Mes viktimave raportohet për tre të moshuar, një vajzë 8-vjeçare dhe prindi i saj, ndërsa flitet edhe për katër policë të vrarë.
Është arritur të identifikohet vetëm një nga viktimat e sulmit, Fadil Fejzullahi, ndërkohë që identiteti i personave të tjerë nuk dihet ende.
“Aksioni i policisë maqedonase u ndërmor pas informacioneve për lëvizje të një grupi të armatosur në atë pjesë të Kumanovës”, sipas Ivo Kotevskit, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë.
Vetëm disa orë më pas, UÇK e Maqedonisë ka marrë përgjegjësinë për përleshjen me policinë. Lajmi është publikuar nga mediat maqedonase, të cilat kanë përcjellë edhe deklaratën e UÇK.
Konflikti i armatosur në Kumanovë ka krijuar një gjendje të tensionuar, ndërsa banorët e zonës shprehin shqetësimin se plumbat kanë depërtuar edhe në shtëpitë e tyre.
Edhe pse autoritetet vendase nuk janë shprehur ende mbi numrin e viktimave, si dhe të të plagosurve në Kumanovë, janë mediat vendase ato që përcjellin situatën e krijuar atje. Disa nga videot amatore të cilat janë publikuar në media, përcjellin situatën e tensionuar dhe gjendjen e “luftës” të krijuar që prej mëngjesit të sotëm në Kumanovë. Ndërkohë të gjitha hyrje-daljet në qytet janë bllokuar nga policia.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar lideri i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, ndërsa BDI i ka bërë apel qytetarëve të Kumanovës të tregojnë vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi.
Reagime për gjendjen e krijuar në Kumanovë ka patur edhe nga aktorët politike në Shqipëri, ambasada amerikane, si dhe nga Bashkimi Europian.
NISHANI U BËN THIRRJE PALËVE TË VLERËSOJNË MARRËDHËNIET NDËRETNIKE
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka shprehur shqetësimin për situatën e sotme në Kumanovë të Maqedonisë, duke i bërë thirrje palëve për ruajtje të qetësisë dhe vlerësim të marrëdhënieve ndëretnike.
Duke u shprehur se po ndjek me shqetësim të madh situatën në Kumanovë, dhe ndikimin e këtyre zhvillimeve në stabilitetin e vendit fqinj dhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, Kreu i Shtetit “shprehu ngushëllimet për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas, që kanë humbur të dashurit e tyre në këto akte dhune, duke i dënuar ato me forcë”.
Presidenti Nishani thekson gjithashtu se, të gjitha palët duhet të vlerësojnë me shumë kujdes marrëdhëniet ndëretnike dhe, në respekt të Marrëveshjes së Ohrit, të ndërmarrin hapat dhe veprimet e duhura për qetësimin e situatës, sqarimin e saj dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë.
DORËZOHET GRUPI I ARMATOSUR ME NDËRMJETËSIMIN E OSBE
Pas më shumë se 14 orësh përplasje me policinë maqedonase në Kumanovë, është dorëzuar grupi i personave të armatosur që fshihej në këtë qytet. Sipas mediave në Maqedoni, kjo është bërë e mundur në saj të ndërmjetësimin të OSBE-.së. Grupi i këtyre personave mësohet se ka marrë garanci nga OSBE për kërkesat e tyre, ndërkohë që nuk dihet se cilat janë ato.
“Grupi i armatosur është dorëzuar me flamur të bardhë”, shkruajnë mediat maqedonase.
Nga ana tjetër mësohet se MPB të Maqedonisë ka konfirmuar se nuk ka negociuar me askend dhe se nuk jep detaje mbi këtë zhvillim.
Raportohet se prej 15 minutash nuk ka patur më të shtëna armësh në Kumanovë. Ndërsa njësitet policore janë akoma në terren dhe po kontrollojnë disa vendbanime të dyshimta të kësaj zone.
BUSHATI: TË PAPRANUESHME IDENTIFIKIMET ETNIKE, TË ZBATOHET MARRËVESHJA E OHRIT
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka reaguar për situatën e krijuar në Kumanovë ditën e sotme, ku si pasojë e përplasjeve me armë mes një grupit të armatosurish dhe policisë maqedonase, humbën jetën 5 shqiptarë dhe 4 policë. Ndërsa ka dënuar dhunën, ministri Bushati në një deklaratë për mediat ka theksuar se është e papranueshme që “persona të armatosur të identifikohen etnikisht”.
Duke nxitur autoritetet maqedonase të hetojnë ngjarjen, ministri Bushati është shprehur se shteti fqinj duhet të respektojë Marrëveshjen e Ohrit, për të garantuar harmoninë e marrëdhënieve ndëretnike.
KREU I KOMUNËS SË GJILANIT PËR “NEWS 24”: PRESIM TË PLAGOSURIT E QYTETARËT NGA KUMANOVA
Dhjetëra qytetarë shqiptarë të Kumanovës po largohen nga qyteti në drejtim të Gjilanit, për shkak të situatës së tensionuar atje. Këtë e ka konfirmuar për “News 24”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Sipas tij, drejt Gjilanit deri më tani kanë kaluar mbi 40 persona nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Elezit.
Mes qytetarëve të cilët po kërkojnë strehim në Gjilan, Haziri thotë se ka edhe persona të plagosur.
Kreu i Komunës së Gjilanit tha për “News 24” se situata në Kumanovë vijon të jetë e tensionuar, me prezencë të lartë të policisë dhe ushtrisë maqedonase, gjë që shton panikun mes qytetarëve të Kumanovës.
UÇK MERR PËRGJEGJËSINË PËR PËRLESHJEN ME POLICINË: PO USHTRONTE TERROR MBI POPULLSINË
UÇK e Maqedonisë ka marrë përgjegjësinë për përleshjen me policinë. Lajmi është publikuar nga mediat maqedonase, të cilat kanë përcjellë edhe deklaratën e UÇK.
Në komunikatën e UÇK bëhet e ditur se ushtarët e saj kanë goditur në mëngjesin e sotëm forcat ushtarake e policore maqedonase, të cilët, sipas tyre prej disa ditësh me radhë po ushtronin terror mbi popullsinë civile.
E ashtuquajtura UÇK, paralajmëron se do të kenë veprime edhe më të ashpra ndaj forcave policore e ushtarake maqedonase, “të cilët paaftësinë dhe frikën e tyre po e përcjellin mbi banorët e pafajshëm të lagjes shqiptare në Kumanovë”.
Ja komunikata e plotë:
DEKLATARE NR. 3
Në vazhdim të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar, forcat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në orët e para të mëngjezit të datës 9 maj 2015, goditën forcat ushtarake e policore maqedone, të cilët ditë me radhë po ushtronin terror mbi popullsinë civile.
Veprimi ushtarak është në rrugën e zhvillimit të veprimeve të tjera më të forta e më të ashpra në të ardhmen, edhe më të fuqishme, deri në gjunjëzimin pa kushte të pushtetit kriminal të Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit.
Shtabi i aksionit në terren po ndjek me shumë shqetësim veprimtarinë e forcave policore e ushtarake maqedone, të cilët paaftësinë dhe frikën e tyre po e përcjellin mbi banorët e pafajshëm të lagjes shqiptare në Kumanovë.
Masakra në lagjen e Trimave, është fytyra e vërtetë qëndrimit fashist, që tregon se sa shumë është bërë pis pushteti politik në IRMJ.
Ne hedhim poshë me përbuzje deklaratën e përfaqësuesit të BDI dhe të kreut të saj Ali Ahmeti, të cilët përballë një situate gjakësore mbi popullsinë civile, në vend që të denoncojnë dhe ta ndalojnë këtë masakër policore, vazhdojnë ti bëjnë thirrje popullit “për qetësi e gjakftohtësi”.
Këta janë pjesë e pushtetit dhe e krimit shtetërore.
Denojmë me përbuzje të gjithë ata që në mungesë të informacionit, vazhdojnë të hedhin baltë mbi luftëtarët e lirisë, të cilë janë të vendosur në rrugën e tyre.
Ne i përmbahemi qëndrimeve politike dhe ushtarake të shprehura publikisht në deklaratën Nr. 2, me kërkesat e të cilës, tërheqim vëmendjen për të gjithë njerëzit e ndërshëm brenda folesë krimianle shtetërore, gjithashtu për faktorin ndërkombëtar, për një qëndrim të prerë e të distancuar nga qëllimi kriminal i pushtetit politik për të ushtruar dhunë dhe terror mbi popullsinë shqiptare.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, janë i vetmi formacion shqiptar në IRMJ, që do ti dalin në mbrojtje popullit dhe do të shfarosin farën e keqe që ka mbirë dhe vazhdon të ushqehet nga krimi.
Nuk ka rëndësi dezinformatat për “të vrarë e të plagosur” nga forcat maqedone. Ato le ti numërojnë Gruevski, Aliu dhe Jankullovska. Ne deklarojmë se do të vazhdojmë të godasim pa mëshirë strukturat policore dhe ushtarake.
Çdo ditë që po kalon, kundër parrullave dhe shpifjeve që po përhapen nga të gjithë anët, radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare po shtohen me djem nga të gjithë trojet shqiptare.
Kjo force besnike e idealeve dhe amanetit të dëshmorëve, do të luftojë deri në fund, për një shtet shqiptar kombëtar, të lirë dhe të pastër.
Sot jemi më të fortë, e nesër do të jemi akoma më të fortë.
Ju bëjmë thirrje njerëzve të ndershëm, ish luftëtarëve të lirisë, intelektualëve patriotë, të distancohen nga shpifjet dhe manipulimet e pushtetit sllavo fashist Gruevski – Ahmeti. Ne jëmi kudo, në mes të popullit, në qytete e katunde dhe do ti dalim për zot të ardhmes tonë.
Rroftë Kombi Shqiptar.
Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Gostivar, 9 maj 2015.
BE: SHPRESOJMË TË MOS KETË PËRSHKALLËZIM TË SITUATËS, QYTETARËT TË QËNDROJNË TË QETË
Për situatën e tensionuar në Kumanovë të Maqedonisë, ku raportohet për 5 të vdekur ka reaguar dhe Bashkimi Europian. BE ka bërë me dije se janë në kontakt me autoritetet dhe partitë politike. Nga ana tjetër, BE i bëri apel qytetarëve dhe faktorit politike të qëndrojnë të qetë. “Jemi në kontakt me autoritet dhe me partitë politike. Shpresojmë të mos ketë përshkallëzim të situatës. Qytetarët dhe faktori politik të qëndrojnë të qetë”, citohet në reagimin e Bashkimit Europain.
AMBASADA AMERIKANE: PO E NDJEKIM SITUATËN, KEQARDHJE PËR HUMBJEN E JETËVE TË NJERËZVE
Ambasada Amerikane ka reaguar lidhur me përplasjen e armatosur në Kumanovë ku deri tani raportohet të kenë humbur jetën 5 persona. Ambasada shpreh keqardhje për jetët e humbura dhe thekson se po e ndjek situatën.“Shprehim keqardhje te thelle për humbjen e jetëve te njerëzve në aksionin policor në Kumanovë, dhe shprehim ngushëllimet tona familjeve të policeve dhe civilëve te vrarë dhe të plagosur. Po e përcjellim situatën dhe jemi ne kontakt te vazhdueshëm me autoritetet dhe liderët politik. Bëjmë thirrje tek qytetaret të qëndrojnë te qetë dhe të lejojnë te zbardhen faktet”, thuhet në reagimin zyrtar të Ambasadës Amerikane.
ZORAN ZAEV: GRUEVSKI DHE ALI AHMETI TË SQAROJNË ÇFARË PO NDODH
Ndërkohë, ka reaguar dhe kreu i opozitës, Zoran Zaev, i cili ka kërkuar që kryeministri Gruevski dhe Ali Ahmeti të sqarojnë se çfarë po ndodh në Kumanovë. Sipas Zaev, nga ana tjetër, Gruevski duhet të jap të dhënë se kush dhe pse do destabilizim.
Zaev i bëri thirrje Nikolla Gruevskit që menjëherë të del para qytetarëve dhe të jap sqarime. “Kush, pse, me çfarë qëllimi po destabilizon Maqedoninë? Pse grupe kriminale nga teritoret e vendeve tjera fqinje hyjnë në Maqedoni? Kush i organizon dhe për çfarë qëllimi? Të njëjtën duhet ta bëj edhe Ali Ahmeti. Viktima janë qytetarët edhe maqedonasit edhe shqiptarët, edhe policët edhe popullata civile.”, citohet në reagimin e LSDM-se
MPB E MAQEDONISË JEP DETAJE:KISHIN INFORMACIONE PËR SULME TË ARMATOSURA NDAJ INSTITUCIONEVE SHTETËRORE
Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e sotme në Kumanove. Në reagim thuhet se MPB kishte marrë informacione për sulm të armatosur ndaj institucioneve. Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë sulmet do organizoheshin nga një grup i armatosur i cili kishte hyrë në Maqedoni nëpërmjet një shteti fqinj.
15 POLICË TË PLAGOSUR GJATË SULMIT
Sipas mediave maqedonase bëhet e ditur se numri i efektive të palosur ka arritur në 15. Kjo konfirmohet dhe nga bluzat e bardha në spitalin e Shkupit. Si fillim u raportua se numri i policive të plagosur ishte 5, ndërsa nuk përjashtohen mundësitë që numri i tyre të jetë më i lartë. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se tre prej punonjësve të forcave policore janë në gjendje të rëndë.
BLLOKOHET AUTOSTRADA SHKUP- BEOGRAD
Si pasojë e sulmit, i cili nisi që në orët e para të mëngjesit, është bllokuar dhe autostrada që lidh Shkupin me kryeqytetin serb, Beogradin. Ndërkohë, kjo autostradë lidh Maqedoninë me Bullgarinë dhe Greqinë. Bllokimi i autostradës ka shkaktuar kaos në qarkullim.
KRYETARI I KOMUNËS: SITUATA ËSHTË DRAMATIKE, QYTETARËT MOS BIEN PRE E PROVOKIMEVE
Kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski tha se situata është dramatike në qytet, por apelon që qytetarët të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve. “Qysh prej orëve të hershme të mëngjesit Kumanova gjendet në një gjendje të jashtëzakonshme. Mëngjesi na gjeti me të shtëna, me detonime, helikopter dhe kjo gjë po zgjat. Ka aksion të MPB për likuidimin e një grupi të armatosur që po qëndron disa ditë në atë pjesë të qytetit” tha ai. Sipas tij, numri i këtij grupi jo zyrtarisht është 50¬70 njerëz, dhe flitet se janë vendosur në një shtëpi private, por nga ana e MPB janë të rrethuar, sulmuar, dhe për momentin po udhëhiqen luftime në pjesë të ndryshme të Lagjes së Trimave. “Është e bllokuar komplet lagja, ndërsa jo zyrtarisht ka edhe të vrarë e të lënduar midis civilëve dhe policëve. Situata është mjaft dramatike dhe ka shqetësim të madh te njerëzit, disa po i lëshojnë shtëpitë. Tentova që të shkoj në atë pjesë ku ka luftime, por policia nuk më lejoi për arsye të sigurisë. Apeloj deri te qytetarët që të qëndrojnë qetë, të mos bien pre e provokimeve dhe të mos i bashkëngjiten asnjë grupi për shkak të përcaktimit etnik, pasi që të gjitha kontaktet e mia me partitë politike dhe organizatat qytetare, sidomos me shqiptarët, thuan se askush nuk i jep përkrahje dhe kriza duhet të përfundoj me eliminimin e këtij grupi dhe kthimin e qetësisë te qytetarët”, tha Damjanovski, transmeton zhurnal.mk
SULMI
Të shtënat e para me armë zjarri u dëgjuan rreth orës 5:00 të mëngjesit të sotëm në qytetin e Kumanovës. Mediat në Maqedoni raportuan se banorët e disa zonave ishin ata që informuan për të shtënat e fuqishme, ndërkohë lagjia e njohur e “Trimave” u ‘blindua’ nga forca të shumta policore.
Për monitorimin nga afër të situatës ka pasur dhe helikopterë, ndërkohë që ende nuk ka reagim nga autoritetet për ngjarjen. Kjo pasi, nukk dihet ende nëse bëhet fjalë për të shtëna nga individë apo për operacion nga policia.
Ndërkaq, sipas zhurnal, mësohet se mijëra banorë të fshatin Hotël janë në shtetërrethim të plotë nga forcat speciale maqedonase. Të gjitha hyrjet dhe daljet në këtë fshat janë të bllokuara. Sipas informacioneve jozyrtare bëhet e ditur se aksioni policor po zgjerohet në komunën e Likovës duke filluar nga fshati Hotël.
VAZHDOJNË TË SHTËNAT, BANORËT: KA DËME TË MËDHA, VIKTIMA DHE TË PLAGOSUR
Ora 13:50-Në Kumanovë vazhdojnë të dëgjohen të shtëna sporadike. Të shtënat dëgjohen kryesisht pjesën qendrore të lagjes së “Trimave”. Mediat vendase bëjnë me dije se disa familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Banorët shprehen se ka dëmtime të mëdha persona të plagosur dhe viktima. Banorët shprehen se plumbat kanë vërshuar në të gjithë lagjen.
BDI APELON PËR QETËSI DHE KUJDES NDAJ PROVOKIMEVE
Pas tensioneve dhe përleshjes në disa lagje të Kumanovës mes qytetarëve dhe policisë, ka reaguar BDI-ja. Në një reagim për mediat, BDI ka theksuar se po i ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet e sotme në Kumanovë dhe në vazhdimësi ka apeluar tek qytetarët për përmbajtje, rruajtje të gjakftohtësisë dhe që të mos bien pre e provokimeve. Nga ana tjetër, kjo parti gjykon se zhvillimet e sotme në Kumanovë, por edhe ato të mënjëhershmet në Goshincë si dhe shpërthimi para selisë së BDI-së dhe të tjera, janë veprime që janë në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevës. Jemi të bindur se vetëm një Maqedoni stabël dhe e sigurt ndihmon rajonin, dhe asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon. Shqiptarët në Maqedoni kanë agjendë të paracaktuar dhe në bashkëveprim me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n duan ta shohin këtë vend me barazi të plotë, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në paqe e stabilitet si dhe të anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Ftojmë edhe mediat dhe opinionbërësit që të dëshmojnë përgjegjësi të lartë në këtë kohë shumë delikate si dhe të përmbahen nga nxitja e mëtutjeshme e situatës së rëndë. Në veçanti, qytetarët e Kumanovës dhe të lagjes ku u zhvillua ndërhyrja duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme. Njëkohësisht, edhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të veprojë me përgjegjësi ndaj ndjeshmërisë së situatës së sigurisë dhe asaj politike.
MINISTRIA E JASHTME SHQIPTARE: VEPRIMET EKSTREME DHE URREJTJA T’I LËNË VEND ANGAZHIMIT TË SHTETIT LIGJOR
Ministria jonë e Punëve të Jashtme ka dënuar aktet e dhunës në Maqedoni dhe ka bërë thirrje për qetësi. Në një reagim për situatën kritike atje, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë thotë se është duke ndjekur me vëmendje situatën e orëve e fundit në Maqedoni dhe shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar, me pasoja te renda ne jete njerëzish, dëmtime të pronës dhe rendit publik.
“Dënojmë aktet e dhunës dhe bëjmë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe për mos përshkallëzim të mëtejshëm të situatë, se cila nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit te Maqedonisë”. Sipas MPJ, gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t’i lënë vend angazhimit ndaj te drejtave themelore, demokracisë dhe shtetit ligjor. “Harmonia e Marrëdhënieve ndëretnike sanksionuar ne Marrëveshjen e Ohrit është esenciale për stabilitetin demokratik dhe busull orientues për rrugëtimin Euro¬Atlantike të Maqedonis딬 përfundon njoftimi.
(el.sp/d.d/a.n/ed.me/BalkanWeb)
