TIRANE– Kandidati i djathtë për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të Selitës dhe të Don Boskos, me të cilët bisedoi për shqetësimet e tyre dhe për mundësitë që ai do të ofrojë për punësim dhe iniciativa që do të sjellin zhvillim.

“Ajo që unë shoh dhe konstatoj çdo ditë është që kjo qeveri jo vetëm që ka rritur shumë taksa dhe kosto në kurriz të qytetarit, duke i pakësuar të ardhurat që i ngelin në xhep, ka rënduar biznesin duke i pakësuar mundësinë e punësimit, por ajo që mua më tërheq vëmendjen është se nuk ka sensin e humanizmit karshi banorëve të saj. Unë jam për atë që edhe ligji të veprojë por dhe ana humane dhe njerëzore të jetë në pah në mënyrë që duke u kombinuar këto të dyja edhe zgjidhja për banorët e Tiranës edhe zgjidhja për organizimin e biznesit të jetë shumë shumë herë më e pranueshme”, tha Kosova.

I pyetur nga qytetarët për situatën e krijuar në vend dhe largimin e të rinjve drejt vendeve të tjera, Kosova tha se do të krijohen mundësi për të punuar në vendin tonë.

“Unë do bëj që pas zgjedhjeve të 21 qershorit, i përkrahur nga Partia Demokratike dhe nga ekspertët më të mirë që kam përreth, që t’i zbrazin valixhet njerëzit, ti varin rrobat aty ku ishin dhe t’i përvishemi punës si e vetmja mënyrë për të ecur përpara”, përgjigjet Kosova.

I pyetur për kundërshtarët, Kosova thotë se: “Ka dalë filani tha dhe të kërkon debat të hapur. Solla në mendje gjithë kandidatët, njëri ka kënduar nëpër dasma, se kam informacion dhe mirë debat, po mos më kërko të këndoj tek tjetri. Debatet i kanë ardhur në majë të hundës njerëzve, dhe të gjithë e kemi të qartë se ky vend nuk ka nevojë për debat për debate, ky vend ka nevojë për punë, punë e dinjitet”.

Kandidati Kosova tha se zgjidhja më e mirë për problemete qytetarëve është nëpërmjet punës dhe angazhimit.

“Lekët nën dorë janë ato që ju janë vjedhur juve , ta keni mirë parasysh këtë edhe unë jam i sigurtë që e keni të qartë. Nëqoftëse nuk ju vjedhin s’kanë çfarë ju japin. Po ju vjedhin një thes dhe ju japin një thërrime. Mbajeni këtë parasysh dhe le të mobilizohemi të gjithë, të mendojmë për katër vjet dhe jo një ditë. Çfarëdo lloj hallesh që t’ju kenë mbytur, zgjidhja është punë dhe dinjitet dhe e sigurtë që do shkojmë aty ku duam”, tha Kosova.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb