TIRANE- Ish-ministri në kohën e PD-së, Besnik Mustafaj teksa komentoi vendimin e qeverisë shqiptare për varrezat me heshtrat e ushtarëve grekë të rënë në detyrë gjatë Luftës së Dytë Botërorë, pohoi se kjo lëvizje po rregullon deri diku marrëdhënien me Greqinë.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ analisti Mustafaj tha se qeveria shqiptare ka lëshuar pe, pasi po mbulon edhe shpenzimet për koston që do të ketë ky projekt për varrezat. Analisti e cilëson këtë vendim si lëshim simbolik që tregon se Rama po merr një kthesë emocionale dhe jo profesionale. Mes të tjerash Mustafaj tha se me çështjen çame po bëhet ping-pong për këto 5 vite, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Çështja çame, pingo-pong për 5 vite rresht. Shqipëria ka disa vite, 10 vite që mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Qytetarët shqiptarë të lindur në Çamëri nuk janë lejuar që të futen në Greqi, kjo ka qenë një shkelje flagrante e konventës së Shengen-it. Kjo ka qenë shkelje nga ana e autoriteteve greke. Nëse do sjellin në vete këto negociata, nuk duhet seleksionim, kjo do të jetë në të mirën e grekëve. Por nuk është arritje. Ne kemi dokumentin më të lartë, që është traktati i Miqësisë. Ai vendos një urë dhe çati të përbashkët që mund të vendosësh marrëveshje. Në këtë kuptim jemi para një situate që Rama dhe makina propagandistike po bën një zhurmë aty ku nuk ka ndryshim. Unë do ti vija një emër shumë të thjeshtë; sheshimi i keqkuptimeve të krijuara nga retorikat nacionaliste të Ramës. Çështja e varrezave ka qenë në proces, do vazhdonte para po ashtu dhe çështja e detit. Këto negociata i kanë shërbyer uljes së emocioneve. Emocionet në Ballkan prodhojnë tensione dhe jo emocione dasme. Në rastin e varrezave ka lëshuar pe në mënyrë absurde Shqipëria. Në vitin 2009 parashikonte ndërtimin e disa varrezave, por nuk merrte përsipër pagesën disa miliona euro që ta bënte qeveria shqiptare. Unë jam ballafaquar me këtë çështje disa herë, as mua dhe as ambasadorëve, qeveria greke s’na ka kërkuar paratë e varrezave. Ky është lëshim simbolik që tregon se Rama po merr një kthesë emocionale dhe jo profesionale. Ai nuk di që të veprojë në marrëdhëniet diplomatike. Marrëdhëniet me Greqinë s’kanë qenë të këqija. Ne shohim ministrin e Jashtëm grek që çështja çame nuk është diskutuar.”, tha Mustafaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: