KOLUMBI- Dy të burgosur ia mbathën nga një burg në kryeqytetin kolumbian, Bogotà, pasi dehën gardianin. Ngjarja bëri mjaft bujë në Kolumbi pasi u mor vesh se të burgosurit i thanë rojes tashmë të dehur se do të shkonin të blinin më shumë pije alkoolike, dhe ai me kënaqësi i hapi derën e burgut.
Sigurisht që dy të burgosurit nuk u kthyen më dhe policia ka nisur kërkimet për ta.
Dy të arratisurit u identifikuan si Jhon Gutiérrez Rincón, një rebel i FARC-ut i dënuar me 40 vite burg, dhe Olmedo Vargas, po ashtu ish-rebelm dhe ishin në pritje të gjyqit për vjedhje.
Autoritetet kolumbiane thanë se, pas mungesës në apel të të dy të burgosurve nisën hetimet dhe zbuluan se në qelinë e tyre nuk kishte asnjë shenjë thyerjeje, diçka që tregon se kishin një bashkëpunëtor në burg.
Pas këtij dyshimi, u zbardh edhe sesi kishte ndodhur arratisja.
(BalkanWeb)
