TIRANE- Dhuna në familjet shqiptare është një nga fenomenet që prek një pjesë të madhe të shoqërisë, ku kryesisht viktimat janë femrat. Por sot në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në ‘News24’ vjen një rast kur viktimë e dhunës ka qenë një burrë. Në studion e emisionit ishte motra e Arifit, një 47-vjeçare nga Peqini, e cila denoncoi publikisht dhunën që kunata ushtronte ndaj vëllait të tij.

Ajo thotë se martesa e Arifit ishte një ferr jo vetëm për te, por për të gjithë familjen. Mes të tjerash 47-vjeçarja deklaroi se nusja bëri gjithçka për t’i ndarë dhe pas shumë vitesh që nuk flisnin djali u kthye në familje dhe kërkoi ndihmën e tyre.

E shoqja, sipas tij e keqtrajtonte, nuk kujdesej për të dhe bënte një jetë të shthurur. Po ashtu ajo akuzoi live kunatën e saj se dy fëmijët si kishte me të vëllain, Arifin, ndërsa tha se do t’i drejtohej gjykatës që atyre tu bëhej analiza e ADN-së. Mes të tjerash gruaja nga Peqini thotë se kunata është denoncuar disa herë për dhunë në polici, dhe se vëllai ka marrë urdhër mbrojtje. 47-vjeçarja tha se kunata ka zaptuar shtëpinë që babai i la Arifit e ndërsa ajo vazhdon jetën normalisht së bashku me fëmijët e saj, ai keqtrajtohet dhe ndihet si i huaj, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Janë njohur me mblesëri. Vinin nga një martesë e parë. Kur u fejuan ajo erdhi një natë të flinte tek ne. Kur u çua në mëngjes, se si shihte. Kur shkuam të pyesnim për të, na thanë: Ato që bën natën, i ha ditën. Ne i thamë vëllait tonë që mos e merr dhe ai na tha; jo do e marr. Ne kishim dy dhomë e kuzhinë, dhe prej tyre ia lamë vëllait. Më pas ai bëri një banjë. Ajo e gjente momentin sa herë që do dilnim ne, hidhte ujë dhe niste të fshinte me fshesë. E niste të fliste. Dhe ne si familje u mblodhëm dhe thamë të shesim shtëpinë. Donim të blinim dy shtëpi. Babai i tha; me këtë njeri që ke marrë do pendohesh, por ne do të blejmë një shtëpi. Në 2008-ën vendosëm ta shisnim. Por ai nuk pranoi, se ia kishte mbushur mendjen monstra. Se ashtu ia kam vënë emrin unë. Kemi blerë një hyrje pallati. Kemi bërë dy herë certifikatë pronësie. Edhe kur e mori atë si person, e ka marrë vetëm. Nusja tek ne erdhi në muajin gusht, fëmija lindi në dhjetor. Ajo vetëm një herë që erdhi tek ne, ajo nuk fjeti me atë. Kur erdhi kunata, erdhi me dhunë, se na kërcënoi një kushëriri i saj polic. Ai vinte me rroba civile tek ne. Ne dëgjonim fjalët nga më të ulëta për kunatën, ndërsa për vëllain e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht. Kur erdhi Arifi tek ne, dhe tregoi se gruaja e rrihte. Ata jetojnë me kempin e Arifit. Kur erdhi vëllai në maj në shtëpinë tonë, e pamë që ishte bërë tjetër njeri. Nga ana psikologjike dhe nga pamja e jashtme, ngjante më plak se babai jonë i ndjerë. Nga shenjat që i shihja vëllait dhe nga dhuna, nga ardhjet e tij që vinte orar pa orar, e kuptuam që e dhunonte. Në orën 11 të natës ajo e kishte nxjerr nga shtëpia, me pretendimin se ajo ishte banesa e saj. Atje nuk ka polici shteti, por ka polici korrupsioni dhe prostitucioni. Ata e dinin se çfarë maskarallëqesh bënte ajo dhe bën ajo. Në 2014 ata janë ndarë dhe nuk flinin bashkë. Ajo i ka thënë; rri fli aty se shtëpinë e kam unë me çunin. Djali i vogël është 2 vjeç, por Arifi nuk kishte fjetur me të që në vitin 2014. Ka fakte që më datë 12/08/2017 ka trokitur vëllai tek ne dhe ka shkuar furgoni i policisë me dy punonjës policie. Duam të dimë se çfarë shënimesh kanë mbajtur policia që ata kur kanë shkuar në shtëpi, e kanë gjetur vëllain tim të shtrirë në dysheme, pa dyshek”, rrëfeu mes lotësh 47-vjeçarja.

Por kaq mjaftoi që në një lidhje telefonike të ndërhynte edhe kunata e saj, nusja e vëllait. Kjo e fundit mohoi akuzat e bëra nga kunata, ndërsa tha se motrat e burrit nuk e kishin dashur asnjëherë. Po ashtu ajo tha se debatet kishin nisur pas problemeve ekonomike. Sakaq, në lidhje telefonike ka ndërhyrë edhe vëllai i 47-vjeçares, i cili aludoi që fëmijët nuk janë të tij. “Motra ime tha të gjitha të vërtetat. Bashkëshortja ime gënjen. Kur u ndava nga gruaja, ajo erdhi me fëmijë, dhe i thash; ku e gjete këtë fëmijë? Më tha; është i joti”, tha ai.


INTERVISTA ME KUNATËN
Si është situata me bashkëshortin tuaj? Çfarë do thoni për akuzat që bën kunata juaj?

Unë doja të thoja me një përmbledhje, sepse mirë që jam e revoltuar, pasi po rris dy fëmijë me vështirës, që në momentin që burrin tim e tërhoqën në shtëpinë e tyre, i morën pensionin, po mundohem ti rris vet. Ato e morën, i morën edhe pensionin. Po mundohem të rris fëmijët e mi dhe po duroj edhe motrat e tij, që më bëjnë policinë. Vetëm se duan të më marrin shpinë. Ai ka punuar shumë pak, unë kam tre vite që po robtohem për fëmijët. Ai ka punuar sa për të mbajtur frymën e vet.

Si ka qenë martesa juaj me Arifin?
Unë kam jetuar një jetë të vështirë. Kam qenë unë kontributoria që kam dhënë maksimumin për fëmijët. Ai nuk ka punuar, ka ndenjur shumë pak, veç në lokal rrinte. Mua më ka ndihmuar familja ime. Fillova të punoja vet, më ndihmojnë familja. Çdo gjë është vërtetuar nga policia. Unë jam krejt e pafajshme, jam e pastër. Skam vënë as dorë.

Ju keni diku një dokument që provoni se keni punuar për këto 14 vite?
Pune shteti jo skam punuar. Vitet e fundit kam punuar dhe kam vënë dhe gjërat e mia. Jam krejt e pavarur me buxhetin.

Ju flisni që ‘do të rris fëmijët e mi’. Fëmijët a janë të Arifit?
Deri tani ne jemi bashkëshort, jemi në një shtëpi. Janë të tim shoqi. Nuk diskutohet. Ai e bëri atë ndarje, pasi jeton tek familja e motrës. E kam lënë të qetë, dhe pensionin e çon tek motra. Kemi pasur urdhër mbrojtje. Aktualisht jam në punë, po punoj për të ushqyer fëmijët.

Si i përgjigjeni akuzës së familjes së Arifit se ata do të bëjnë një kërkesë në gjykatë për ADN?
E ka pasur të lirë gjatë gjithë kësaj kohe. Ska pasur asnjë lloj pengese, pasi unë kam punuar për fëmijët. Unë i kam thënë provoni, bëjeni. Unë do ushqej fëmijët. Ju jeni ata që do po bëni gjithë këtë dramë.

A e keni dhunuar burrin tuaj sic thotë edhe urdhri i mbrojtjes?
Konflikti ka lindur për shkak të ekonomisë së dobët të familjes. Ai punonte për interes të vet.

Nëse vjen Arifi në shtëpi tek ju, a do ushtroni dhunë ndaj tij?
Ai tek mua fle. Aty ushqehet.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb