SHBA-ja konfirmoi sot se ka goditur me sukses të gjithë objektivat siriane të planifikuara nga SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe në formë kundërpërgjigjeje ndaj përdorimit të dyshuar të armëve kimike nga ana e regjimit të Damaskut kundër popullit të tij.
”Ne nuk kërkojmë të ndërhyjmë në konfliktin në Siri, por nuk mund të lejojmë shkelje të tilla të ligjeve ndërkombëtare”, deklaroi një zëdhënëse e Pentagonit, Dana White, gjatë një konference shtypi.
”Ne kemi goditur me sukses çdo shënjestër”, shtoi ajo.
Sulmet perëndimore kundër regjimit sirian i kanë shkaktuar një goditje të tillë programit kimik sirian sa do t’i duhen shumë vite për t’u rimëkëmbur, pohoi një zyrtar i lartë i Pentagonit, gjenerali Kenneth McKenzie.
Sistemet e mbrojtjes anti-ajrore ruse nuk ishin të aktivizuara si dhe ato të regjimit sirian u vunë në punë vetëm pas përfundimit të sulmeve, shtoi gjenerali McKenzie.
(BalkanWeb)