Nga: VALENTINA MADANI*TIRANE-Fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit ka “zbrazur” dje sallën plenare nga deputetët. Mazhoranca e majtë dështoi dje në Kuvend për votimin e disa prej ligjeve të parashikuara në rendin e ditës. Mungesa e kuorumit të nevojshëm (71 deputetë) për të votuar në Kuvendin e Shqipërisë bëri që kryeparlamentari Ilir Meta të shtynte miratimin e projektligjeve për javën e ardhshme. Pas mbylljes së diskutimeve, kryetari i Kuvendit i kërkoi kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçit, nëse duhet të hidhte për miratim projektligjet e planifikuara në axhendë. Por me propozim të Ruçit, votimi i projektligjeve u shty për seancë e radhës. Mungesa e deputetëve në sallë për të formuar shumicën absolute prej 71 votash bëri që votimi të shtyhej për javën e ardhshme. “Z.Balla, doni të kalojmë në votim? Zoti Ruçi? Atëherë, votimi do të bëhet të enjten e ardhshme. Ju uroj të kaloni mirë.

Njoftimin për seancën do ta gjeni në media”, – deklaroi Meta. Në kohën kur do të zhvillohej votimi në sallë ishin 2 deputetë nga opozita, ndërsa mazhoranca nuk i kishte 71 deputetët për të votuar projektligjet. Draftet e parashikuar për votim në seancë plenare ishin ai “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjekte juridike dhe fizike”; projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar”; projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet RSH dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për paradhënie për përgatitjen e projektit të propozuar “Shërbime publike me në qendër qytetarin”; projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin e Unionit “Konkurrenca e ndërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme” (COSME) 2014–2020″ dhe projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014”.

DEBATET
Më herët ish–kryeministri Sali Berisha akuzoi dje në Kuvend mazhorancën se po bllokon pastrimin e politikës nga persona me të shkuar kriminale dhe se dekriminalizimi po mbahet peng i lidhjeve të kryeministrit Rama dhe interesave korruptive që kanë shtrirë ndikimin deri në parlament. “Procesi i dekriminalizimit mbetet aty ku ishte. Problemi është se në krye të kriminalizimit qëndron mbajtësi i pushtetit ekzekutiv. Merremi me gjurmët dhe s’merremi me ujkun. Këtu qëndron thelbi i dekriminalizimit”, – tha ai. Berisha akuzoi se Rama po rrihte gjoksin me veprat e paraardhësve, ndërsa nuk i kurseu sërish akuzat. Sipas tij, si Rama ashtu edhe ministrat e tij e kanë mendjen te luksi dhe pasuria e tyre. Ish-kryeministri bëri publike edhe një kërkesë të Ministrisë Së Jashtme drejtuar fondit të Abu Dabit për marrjen e 8.8 milionë eurove që i nevojiten për rikonstruksionin e ambienteve të këtij institucioni. Berisha më tej lëshoi alarmin kur tha se borxhi ka arritur në 80%. “Ky njeri bërtiste i tërbuar nëpër tribuna për borxhin, por çfarë ndodhi me kredinë që ua shet me mburrje, e çon në 80% borxhin kur ekonomia është në pikiatë, eksportet kanë rënë me 13%”, – deklaroi Berisha.

Ishkryeministri në nisje të fjalës së tij në foltoren e Kuvendit akuzoi deputetin e PS-së, Ervin Bushatin, se mandatin e ka vetëm për shkak se ka qenë i implikuar direkt që kryeministri Rama të përfitonte tokën për shtëpinë në Surrel me 2 USD m2. Gjatë zhvillimit të seancës së djeshme parlamentare nuk kanë munguar edhe replikat, ku disa prej tyre ishin ato midis kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta me deputetin e PD-së, Flamur Noka. Gjatë fjalës së tij nga foltorja e parlamentit, Noka ka bërë përgjegjëse LSI-në për gjendjen në të cilën ndodhen banorët në Kukës. Ai përmendi zonën e Shishtavecit, pasi banorët atje shpeshherë kanë ngritur shqetësimin se nuk po marrin më subvencione nga qeveria dhe se patatet që ata prodhojnë nuk arrijnë t’i sheshin e për pasojë ato u kalben. Meta e ka quajtur aktor Nokën për të gjitha ato që ka thënë. Ai tha se Noka ka përtuar të takohet me ministrin e Bujqësisë në Tiranë dhe se ky i fundit ka qenë disa herë në Shishtavec, ku ka takuar banorët e zonës dhe se tani ka filluar edhe projekti pilot për zgjidhjen e të gjitha problemeve që ka kjo zonë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: