Nga: SOKOL HAZIZAJ*
Ideja që zgjedhjet e 21 qershorit janë në rrezik, më tundon për disa shkaqe, të cilat në mënyrë të përditshme fokusohen në tri dimensione. Në një analizë tërthorazi këto qëndrojnë realisht dhe gradualisht vijnë dhe përqendrohen në qendër të fushatës elektorale, duke shpresuar që të mos e nxjerrin këtë vend jashtë binarëve të demokracisë.
Në kuptimin e rrezikshmërisë së parë në të cilën ndodhemi është ende paqartësia e financimit të subjekteve politike në fushatë. Mjafton të citosh Kodin Zgjedhor, ku pranohet detyrimi i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve për të mos regjistruar asnjë parti e cila nuk ka kthyer fondet përkatëse, brenda 90 ditëve paszgjedhore, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Nuk e di se sa ka funksionuar detyrimi i dispozitës së sipërcituar, në kuptim të transparencës së veprimit dhe sjelljes së politikës. Nuk e di nëse ndonjë qytetar ka dëgjuar diku apo ndokënd nga institucionet e këtij vendi, që ndonjë parti ka kthyer apo është penguar në ushtrimin e së drejtës për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Dihet botërisht se për shkaqe ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor, për çdo subjekt politik ka qenë dhe është transparenca e fondeve të dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, i të ardhurave të vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit, i dhuratave në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna si dhe kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit. Vlen të përmendet që shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Po kaq e vërtetë është se ky detyrim ligjor, sa kohë nuk është respektuar ende, përbën një zë në rritje të pamundësisë dhe paaftësisë së pushtetit lokal të nesërm për të menaxhuar në mënyrë të pavarur dhe transparent pushtetin vullnetar të shtetasve të vet. Përligjja e mungesës së transparencës nga njëra anë dhe mundësia e arbitraritetit të sjelljes së politikës dhe institucioneve ndaj qytetarit sjell në mënyrë po kaq arbitrare dhe keqqeverisjen, kjo është normë e padiskutueshme dhe absolute, dhe pa dyshim kështu do të jetë e ardhmja. Mungesa e transparencës deri në kufijtë e moralit do rrezikojë jo vetëm qeverisjen lokale, por do sjellë anomali të tilla sa qytetarit do kërkojë t’i shlyhet “borxhi” pa hyrë në zgjedhje, duke mos pasur detyrime të mëpastajme. Nuk është e rastësishme që KQZ-ja në pjesën më të madhe të saj, megjithëse gaboi tmerrësisht në zgjedhjet e fundit politike, u la në të njëjtin format, me qëllimin e kthimit të borxheve të kaluara pa u futur në zgjedhje. Këto zgjedhje dhe për këtë arsye do ta trondisin besimin qytetar te ligji, kjo është e thjeshtë për t’u kuptuar. Nuk mundet dhe nuk ka se si të kapërcehet sfida e mosnjohjes dhe mospranimit të ligjit tani para zgjedhjeve nga politika, duke e kaluar sikur ligji të mos ekzistojë. Pranimi i fitores apo bojkotimi i saj në proces apo gjatë numërimit të votave, sepse nuk ke fituar, nuk përligj qëndrimet joligjore të deritanishme. Ndryshe nga të dhënat aksiomatike të vendeve perëndimore ku çmimi i votës parashihet dhe kufizohet bazuar në nivelin e minimales jetike të shtetasve, është provuar te ne, afirmuar kjo edhe nga të dhënat e cituara nga institucionet ndërkombëtare, se në zgjedhjet e kaluara çmimi zyrtar për një votë ka qenë më shumë se trefishi i votës në Gjermani apo dhe Itali, pa diskutuar vlerën në Amerikë. Nuk është parë dhe dëgjuar në botën perëndimore, ndonëse është detyrim ligjor yni sipas nenit 90 të Kodit Zgjedhor, të mos bëhen publike fondet jopublike, të cilat përbëjnë shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit.
Moment tjetër që na bën të jemi dyshues në rezultatin zgjedhor të 21 qershorit, jo në kuptimin se kush do të fitojë, se dihet që zgjedhjet politike apo parlamentare janë shina për zgjedhjet vendore, por duke ngelur gjithmonë në situatën ligjore, konstatohet se mungon tërësisht afirmimi ligjor i mënyrës së administrimit dhe menaxhimit të njësive bashkiake, apo kuvendeve bashkiake të ardhshme. Thuhet që për datën 22 qershor, të zgjedhurit vendorë do të kenë në tavolinë aktet mbi të cilat do të qeverisin njësitë e tyre bazuar në Ligjin 115/2013 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në R.SH”. Sa kohë kjo thuhet por nuk është realitet, ç’kuptim ka për njerëzit me mend në kokë zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave kur nuk dinë se ku fillon dhe mbaron e drejta e tyre si pasojë e ndarjes së re administrative, ç’kuptim ka vetë ndarja territoriale dhe administrative pa përmbajtje, dhe e kundërta, përse luftojnë kandidatët për kryetarë dhe këshilltarë kur nuk kanë të afirmuar në ligj se ku fillojnë dhe mbarojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore? Kjo konsideratë ose këto pyetje jo vetëm që vënë në dilemë gjithë procesin zgjedhor, por e kundërta ndodh, zgjedhësi shihet si qenie njerëzore që s’ka rëndësi çfarë zgjedhjeje bën, mjafton që të ndihet individ që voton, duke e vlerësuar atë vetëm si mjet që gjen kënaqësi te inati për të votuar. Produkti prej politikës vjen si funksion i zgjedhjeve të tyre, prandaj e meritojnë të gënjehen dhe të qeverisen prej rezultatit apo fatit të tyre. Në çdo vend demokratik kudo në botë do të ishte e patolerueshme që dita zgjedhore dhe beteja politike për të dalë fitimtarë prej saj të ishte pa kuorumin minimal të të drejtave dhe detyrave ligjore të përfaqësuesve të tyre. Në rastin e një supozimi agresiv dhe të errët ndaj së ardhmes, nuk mund të lësh pa përfytyruar se mundet dhe ka gjasa që kompetencat e pushtetit vendor të ardhshëm të jenë zero në raport me të drejtat e qeverisjes qendrore; në këtë vështrim, zgjedhjet e sotme realisht janë në rrezik jo nga rezultati por nga mënyra e sjelljes së mëpastajme dhe e pasqaruar ende. Unë nuk besoj se do të ndodhë, por fakti ma sjell përfytyrimin e shëmtuar….
Pluhuri i dekriminalizimit të politikës i bërtitur me të madhe, nuk mundi të qëndronte as në stadin e një infeksioni, meqenëse ai në shoqëritë si kjo e jona, në zhvillim, qëndron më shumë në kohë dhe hapësirë sesa e mira. U përfol sikur kishte nisma ligjore; në të vërtetë nuk ishin të tilla, veçse dëshira të lodhura pa frymë ligjore, pa aspiratë dhe pa shënjestër. Një aspiratë e tillë e gjeti konkluzionin e duhur të barazvlefshëm, me asgjënë. Edhe ndërkombëtarët lokalë të shqiptarizuar më shumë se i fundmi i shqiptarëve orientuan shpirtin qytetar drejt google-it ose Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili dihet kush ka qenë dhe çfarë është në kuptimin ligjor dhe më tej. Nëse gjithë kjo betejë ka qenë vetëm për të drejtuar njerëzit drejt kutive të votimit, meqenëse besimi ndaj saj ka shterur, mendoj se nuk është rruga e duhur; nëse do të kishte ndodhur e kundërta, pra që institucionet publike do të ishin përpjekur sadopak për të ndryshuar ligjin zgjedhor në këtë drejtim, edhe mund të ishte arritur ndopak, gjë që nuk ndodhi, dhe pa dyshim fundi i procesit do të jetë si fillimi, asgjë nuk do të ndryshojë, për më tepër….
Megjithatë, sot më shumë se kurrë duhet votuar, dhe unë do ta kryej detyrën njerëzore, e kam vendosur, do votoj, do votoj për një njeri jopolitik, të organizatave jofitimprurëse, sepse ata janë më të mirët; siç thuhet edhe nga emri, nuk fitojnë, janë pa shtëpi, janë të aftë, ndonëse pa eksperiencë, rezultatin e një ligji e kanë në tavolinë, ndonëse sa ka filluar zbatimi i tij, nuk është i pavarur, por bën si përtej politikës, dhe si të tillë do përpiqem ta besoj. Në thelb duhet kuptuar se ka dhe të tillë njerëz që ende pa u zgjedhur sillen si liderë apo kryetarë, sepse kanë kuptuar një fakt që jo të gjithë e dinë: politika u sugjeron njerëzve lirinë, dhe kjo e fundit, duke qenë e sugjeruar, nuk e mbart, nuk e ka në thelbin e saj nocionin “liri”. E tillë është zgjidhja jonë, prandaj zgjedhjet janë në rrezik!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb