TIRANE- Partia Demokratike është e angazhuar në debatin për Teatrin Kombëtar. Këtë e ka shprehur deputeti Luçiano Boçi në rubrikën “Opinion” në “News24”. Ai tha se aksioni kundër shembjen së Teatrit është i domosdoshëm, duke shtuar se protesta kundër shembjes së godinës duhet të vijojë.

“Teatri i ri do të ketë kulla. Pra do të ketë pas tij. Godina e Teatrit duhet të ruhet, mund të bëhet funksionale duke u rikonstrukturur. Teatri ekzistues ka brenda historinë. Nuk mund të shembet. Për interesa korruptive, për grabitje të pronës publike, tani po dilet me ndërtimin e një teatri të ri në një zonë që është e mbrojtur”, u shpreh Boçi.

Deputeti demokrat thotë se problemi nuk është vetëm tek fakti nëse po ndërtohet një teatër i ri apo rindërtohet ai ekzistues, por sipas tij, po i kalohet prona publike – privatit.

“Pjesa e paligjshmërisë së procedurës është duke u diskutuar. Debati nuk është tek pjesa teatër i ri apo ekzistues, pasi për këtë kishte zgjidhje të tjera, por është çështja sesi prona publike i jepet privatit. Është stisur një projektligj që më shumë ka diskutime në pjesën e relacionit, sesa ka nene”, tha deputeti demokrat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb