SHKODËR- Një tjetër dëshmi tronditëse nga Shkodra. Këtë herë është bashkëshortja e Agron Mollës, 47-vjeçarit që është zhdukur që më 23 gusht bashkë me dajën e tij Gëzim Hysaj, ajo që flet për “BalkanWeb”.

Me zërin që i dridhej, tek tuk duke iu këputur nga trishtimi, gruaja thotë se kanë thirrur mbrëmjen e 23 gushtit tek shtëpia dhe që kur ka dalë nuk e ka parë më të shoqin.

Ajo tregon se bashkëshorti nuk ka pasur probleme më parë dhe se telefonin e tij e ka në shtëpi, por çuditërisht policia nuk e ka marrë për të verifikuar thirrjet apo kontrolluar mesazhe të dyshimta.

Çfarë ka ndodhur zonjë atë natë?
Rreth orës 21:00 një zë e thirri në oborr, e thirri në emër “o Gon, o Gon”. Ai doli  dhe nuk erdhi më. E kisha vajzën sëmurë, sa u mora me të me ilaçe me gjëra, kur dola me i thënë ku je se pashë më.

Nuk e ke idenë se kush e ka thirrur?
Jo, jo nuk e kam njohur zërin. Nuk arrij ta mendoj se i kujt mund të ketë qenë ai zë.

A tha diçka se ku po shkonte?
Jo, asgjë. Ishte me rroba shtëpie, pa asgjë direkt jashtë dhe se kam parë më.

Keni komunikuar me telefon?
Jo, telefonin e ka në shtëpi nuk e ka marrë.

Cili është apeli jot?
Kërkoj ndihmë prej gjithkujt, prej shtetit, prej kujtdo që mund të di diçka, të na tregojë një fjalë, një diçka që të marrim vesh se çfarë mund të ketë ndodhur.

Keni ndonjë dyshim se përse mund të ketë ndodhur?
Asgjë. Nuk arrij ta mendoj se përse ka ndodhur.

Kishte ndonjë problem Agroni?
As më të voglën gjë. Ishte normal. Asgjë.

Cili është mesazhi juaj për të gjitha strukturat e shtetit?
Që të bëjnë të pamundurën, që këta njerëz të thjeshtë, njerëz normalë, njerëz familjarë me i pru dhe njëherë. Me i dit ku janë të paktën, me na tregu diçka.

Është takuar Gëzimi me dajën pasi ka dalë nga banesa?
Jo nuk e di. Në mëngjes e ka takuar, ka qenë daja tek ne.

Në polici keni qenë?
Po kemi qenë.

Cila ka qenë përgjigjja e tyre?
Asgjë, po kërkojmë, po kërkojmë.

Mendoni se mund të ketë diçka kriminale në këtë mes?    
Nuk arrij të imagjinoj asgjë sepse s’ka pasur arsye.

Me ça merrej Agroni?
Në shtëpi, ka rregulluar motorë më parë kur njerëzit kishin më shumë. Tani në shtëpi si të gjithë njerëzit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb