Gjashtë ditë nga zhdukja e dy burrave në Shkodër. Gëzim Hysaj, 56 vjeç dhe nipi i tij Agron Molla, 47 vjeç janë larguar më 23 gusht nga banesa dhe nuk janë kthyer më. Një ditë më pas dy bashkëshortet e tyre kanë denoncuar në polici por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre.

Saimira Hysaj, bashkëshortja e 56-vjeçarit nga Dobraçi i Shkodrës ka rrëfyer për “BalkanWeb” bisedën e fundit me burrin e saj për të cilin thotë se doli të takonte një shok por nuk u kthye më. Për nipin Agron Mollaj, Saimira thotë se ai është larguar një orë më pas nga burri i saj.

Gëzim Hysaj është baba i katër fëmijëve ndërsa nipi i tij Agron Mollaj është baba i tre fëmijëve ndërsa punonte me një servis motorash.

Kur është larguar bashkëshorti juaj nga shtëpia?
Më datën 23 ditën e mërkurë, ora 8, 8 e darkës burri im ka dalë nga shtëpia për të takuar një shok në qytet. Qysh në atë orë e deri tani asnjë të dhënë për të nuk e kam. Tash 6 ditë dhe nuk kemi asnjë shpjegim për të, asnjë të dhënë.

Keni shkuar në polici?
Kemi shkuar në polici. Policia na ka thënë jemi në kërkim e sipër. Na kanë mbajtur me shpresa deri tani por 6 ditë janë shumë për një familjar deri sa ai nuk ka bërë krim, as s’ka pasur ngatërresa me kënd, asgjë që dyshojmë ne se i ka ndodhur një gjë e keqe. Ne kërkojmë me e gjet. Ka dalë nga shtëpia në 8:20 të darkës e deri në 9:20 e ka pasur telefonin e ndezur. Në 9:20 minuta telefoni është fikur, s’kemi pasur asnjë komunikim më me të, asnjë të dhënë më.

Gjatë kësaj ore që ka pasur telefonin ndezur, keni folur me të, çfare ju ka thënë?
I kam bërë zile në telefon, zilja i ka shkuar, nuk e ka hapur telefonin. E kam marrë pas 5 minutash, telefoni ka dalë i fikur.

Kë ka shkuar të takojë nuk e keni idenë?  
Më ka thënë që jam duke shkuar të takoj një shok që më ka kërkuar të pi kafe me të.

Bashkëshorti juaj ka humbur në të njëjtën kohë bashkë me nipin e tij?
Nipi i tij ka dalë nga shtëpia sipas familjarëve të tij në orën 9 e 30 minuta të mbrëmjes, një orë më pas. Dhe nuk dimë asgjë më as për burrin e as për nipin se ku ndodhen.

Ka lënë një adresë se ku do shkonte?
Nuk e di, familjarët kanë thënë që e ka thirrur dikush dhe ka dalë nga shtëpia. Asgjë më tepër, as nuk janë në dijeni ata për djalin e tyre e as unë për bashkëshortin.

A ka pasur probleme më parë bashkëshorti juaj?
Burri im nuk ka pasur probleme me askënd për sa jemi në dijeni ne familjarët. Asnjë problem se ka pasur me askënd. Ka shkuar në Shkodër për të punuar si çdo familjar me fitu bukën, si të gjithë njerëzit e rregullt. Nuk ka pasur asnjë konflikt me askënd, asgjë që ne të mund të mendojmë se ka lidhje me këtë ngjarje.

Çfarë punonte?
Ka punuar në bujqësi këtu. Ka shkuar në Shkodër me fitu me një argjendar që ka një dyqan të vogël.

A ka shfaqur ndonjë shqetësim kohët e fundit? A është dukur i shqetësuar.
Jo, jo. Asnjëherë. Ka qenë shumë i qetë. Unë si bashkëshorte nuk i kam parë asnjë shqetësim, sado pak, nuk ka arsye kjo. Ne nuk jemi të qetë deri sa ta gjejmë se ku ndodhet. Sido që të jetë ne duam ta gjejmë. I kërkojmë shtetit, policisë, mediave në Shqipëri e kudo, ne duam ta gjejmë ku ndodhet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb