Armando Cungu është i kënaqur me fitoren në Vlorë, ndonëse ka rezerva për lojën e djemtve të tij. Trajneri i Kukësit, në prononcimin e pasndeshjes për “Supersport”, u shpreh se është i kënaqur me afrimet dhe se kërkon t’u japë kohën e duhur për t’u përshtatur me grupin e ri, si dhe i është përgjigjur presidentit Gjici, që pas merkatos, e kaloi përgjegjësinë te trajneri.

“Në futboll nuk mund të parashikosh shumë si mund të dalësh. Është kampionat i vështirë duhet të djersitësh shumë. Flamurtari është një ekip me ambicie. Është një fushë e nxehtë. Nuk ishte e lehtë për ne. E rëndësishme është që morëm 3 pikë. Nuk bëmë lojë brilante. Djemtë sakrifikuan, luajtën me shpirt, morëm atë që kërkuam. Nuk jam në vështirësi. Te Kukësi zbret në fushë ai që ka gjendjen më të mirë momentale. Nuk ka arsye pse të kemi vështirë. Afrimet e reja duhan pak kohë. Kukësi është një ekip që lufton. Kërkon lojtarë që vrapojnë, luftojnë dhe i përgjigjen rritmi të ekipit.

Pse e ndryshuat sistemin sot? Në pjesën e dytë, ju vuri në vështirësi kundërshtari apo ishte strategjia juaj?

Nuk vendosa për të ndryshuar vendosjen në fushë. Isha i kushtëzuar nga gjendja shëndetësore e Cuculit. Ka qenë me ethe. Në këtë kushte vendosa të ndryshoj. U ktheva në identitet për shkak edhe të kushteve atmosferike. Kishin erën në favor. Në momentet e caktuar, devijimi i topit ishte evident. Mendova që duhet të mbronim me çdo kusht rezultatin. Patëm edhe mundësi për të mbyllur ndeshjen. U treguam të pakujdesshëm në disa momente. Mund ta ndëshkonim me gol të 3-të kundërshtarin.

Çfarë mendon Cungu kur dëgjon Gjicin që thotë trajneri nuk ka më justifikime…?

Të gjithë e njohin Gjicin për ambiciet dhe dëshirat. E kam demonstruar se kam dhënë maksimumin te ky ekip. Jemi në lojë për titullin kampion. Këto s’janë justifikime janë realitete. Kukësi është i vetëm ekip në Superiore pa shtëpi. Blerjet janë të domosdoshme, është fusha e lojës që do të tregojë përshtatjen e lojtarëve. Presioni është logjik. Kukësi është gjithmonë konkurrent për titullin kampion. Duhet që lojtarët ti përshtaten objektivave. Unë di ta bëj mirë punën time. Kjo është ajo që unë mund të garantoj.

S’ka ndonjë peng nga merkato?

Kanë ardhur lojtarë cilësorë dhe grupi është më i fortë. Ardhjet e shumta të prishin dhe ekuilibrat. Nuk janë pak, 3 ishin sot në formacion. Duan kohën e vet të ambientohen. Nuk është justifikim është logjikë futbolli. E kam thënë nuk jemi shtypshkronjë që të stampojmë postera. Nuk kam piketuar asnjë lojtar. Klubi ka bërë punë të mirë në afrimet e lojtarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb