Një ish-prokuror, aktualisht zyrtar publik ka aplikuar për të qenë pjesë e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion (SPAK). Mësohet se ka aplikuar për të qenë anëtar në SPAK Fatmir Hoxhaj, kreu i Drejtorisë së Administrimit të Pronës, i cili ka qenë për 12 vite prokuror. Sot Hoxhaj ka dorëzuar aplikimin e tij për t’u bërë pjesë e Prokurorisë Speciale.

Më herët kanë dorëzuar aplikimet për të qenë pjesë e SPAK prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Arben Kraja, Prokurorët e Krimeve të Rënda Vladimir Mara e Dritan Prençi, Prokurori i Tiranës, Shkëlzen Cena, Doloreza Musabelliu, Eugen Beci, Anton Martini, Besnik Muçi dhe Klodian Braho, duke e çuar në 10 numrin e aplikantëve.

Data e aplikimeve ishte fillimisht deri më 6 shkurt por ky afat u shty pasi nuk kishte mjaftueshëm kandidatë. SPAK do të ketë 15 anëtarë. Në institucionet e reja që pritet të formohen për llogari të reformës, pritshmëria më e lartë publikë është për SPAK, strukturën e veçantë që do të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë politikanët dhe zyrtarët e lartë.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb