Humbja ndaj Atletiko Madrid dhe eliminimi i mundshëm nga Liga e Kampioneve ngre shumë dyshime për të ardhmen, ndërsa rrezikojë të hedhë në erë të gjithë projektin e Juventusit. Efektet e para të disfatës në “Wanda Metripolitano” ishin ato financiare, pasi klubi italian e mbylli ditën pasardhëse me 150 milion euro më pak, si pasojë e rënies së aksioneve në bursë. Por jo vetëm kaq. Lajmet që vijnë nga mediat italiane dhe ato spanjolle nuk janë aspak të mira për popullin juventin.
Ndeshja e kthimit kundër Atletikos do të vendosë shumë për të ardhmen e Masimiliano Alegrit. Nëse skuadra e tij eliminohet dhe shanset janë të mëdha që kjo të ndodhë, atëherë edhe largimi i teknikut do të ishte i sigurtë. Duke qëndruar në atë që raportojnë mediat përtej Adriatikut, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” po mendojnë që tani për zëvendësuesin, ndërsa në skenë kthehet sërish emri i Zinedin Zidan.
Humbja në Madrid ka tronditur edhe bindjen e Kristiano Ronaldos se transferimi në Torino ishte zgjedhja e duhur. CR7 e bëri këtë lëvizje si një sfidë personale, por edhe për të udhëhequr Juventusin drejt triumfit në Champions, pasi skuadra bardhezi i ishte afruar në vitet e fundit. Por ky dështim i mundshëm lëkund sulmuesin portugez, madje në mediat spanjolle ka nisur të flitet se Ronaldo mund të largohet nga Juventusi më shpejt nga sa ishte parashikuar, ndërsa si destinacioni i ardhshëm i tij, projektohet një rikthim te Mançester Junajtid.
(balkanweb)