TIRANE – Bashkia e Tiranës ka nisur nga Njësia 5 aksionin për lirimin e hapësirave publike. Një javë pas paralajmërimit që kryebashkiaku Veliaj u bëri zaptuesve të trotuareve për lirimin e tyre, sot punonjësit e bashkisë kanë dalë në terren për të larguar shitësit ambulantë apo karriget e lokaleve që kanë zaptuar hapësirat publike. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ku ka vullnet ka edhe rrugëzgjidhje, dhe Bashkisë së Tiranës nuk i mungon vullneti për t’i kthyer qytetit hapësirat publike.
“Ky aksion nuk është çështje fushatë, është puna jonë e përditshme. Bëhet fjalë për t’i dhënë qytetit dy metra. Të jetosh në qytetet do të thotë të respektosh hapësirat. Fillojmë sot nga Njësia 5 do të vazhdojmë në të gjitha njësitë e Tiranës.

Ku ka vullnet ka një rrugëzgjidhje. Bashkia e Tiranës ka vullnet. Operacioni do të pasohet me një punë të përditshme për gjelbërimin e këtyre hapësirave. U kërkojmë të gjithë abuzuesve t’i kthejnë mbrapsht qyteti dy metra.”- deklaroi Veliaj.

Aksioni do të realizohet nga policia bashkiake në bashkëpunim më inspektoratin kombëtar për mbrojtjen e territorit. Çdo objekt që ka zënë trotuaret do të prishet. Sipas kryebashkiakut, të gjitha hapësirat do të kthehen në shërbim të atyre që u takojnë, qytetarëve të Tiranës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb