Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do të largohet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, për t’u futur në Parlament në shtator si deputet i pavarur.

Në përgjigjen e tij, Berisha la të kuptohej se një gjë e tillë nuk do të ndodhtë, teksa u shpreh se “Në Parlament do të futem ashtu siç më kanë votuar qytetarët shqiptarë. Të jemi të hapur, çdo vendimi, i cili në vend të transparencës zgjedh diktatin, unë do t’i kundërvihem me një aleancë me çdo demokrat e çdo shqiptar, në betejë përfundimtare kundër këtij regjimi. Këtë do ta bëj edhe në kuadrin e PD.

Unë kërkoj nga PD të mos angazhohet në këtë betejë. PD dhe cilido tjetër mendoj unë ka një detyrë, të kërkojë fakte, prova, dokumente. Ka dhe një detyrë tjetër, në mungesë të këtyre, të mos pranojë diktatin. Sepse diktati të çon te bari. Unë po mbroj disa parime që janë jetike të çdo qytetari të lirë. Po mbroj dinjitetin ç’është e vërteta”.

Më tej, Berisha deklaroi se nuk ka frikë nëse KQZ mund t’i heqë mandatin e deputetit, pasi sipas tij, ky institucion është i detyruar të zbatojë Kushtetutën. Mes të tjerash, Berisha u shpreh se “Nuk i druhem aspak faktit. KQZ është e detyruar të zbatojë Kushtetutën. Këtu Kushtetuta shkelet çdo ditë, siç është shkelur në rastin ku duket se e ka zemëruar shumë ambasadoren, ku unë kritikova marrëveshjen e Delina Ficos me Llagamin, një marrëveshje që shkel çdo ligj e Kushtetutën, që jep me koncesion dosjet gjyqësore, që përbëjnë sekret. Ka krijuar Delina një skuadër të tërë militantësh të PS, i paguan, dhe tani ata do të marrin në dorë 30-40 mijë dosje të Gjykatës së Lartë. Njerëz pa asnjë eksperiencë, pa asnjë lloj prove, që mund të heqin e vënë çdo dokument në ato dosje, që mund t’i sheshin e blejnë ato dosje sa herë duan, dhe sepse këtu duhet që Delina Fico, ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe ish-bashkëshortja e ministrit të Brendshëm, të krijojë një çorbë, që nuk ekziston në asnjë vend të planetit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb