Nga MIMOZA KOÇIU*
As këtë vit, askush nuk kishte pritshmëri se me raportin e dytë të progresit të Shqipërisë, që kur vendi ka marrë statusin e vendit kandidat, Bashkimi Europian do na hapte negociatat e anëtarësimit. Këtë nuk e besonte as vetë opozita, që bëri detyrën duke e shpallur si dështimi i radhës i kësaj qeverie. Nuk e kishin këtë pritshmëri as mediat, që e përcollën si zhvillim rutinë të ditës. Moderatorë e gazetarë nuk u ngutën të gjenin të ftuar për studio a panele televizive për të diskutuar mbi gjetjet në 81 faqet e progres-raportit të këtij viti, 14 faqe më shumë se vitin e kaluar. Me raportin e 2015-ës u mbush plot një dekadë që zyrtarët e Bashkimit Europian monitorojnë përparimin e Shqipërisë. As këtë herë, Shqipëria nuk është gati të hapë negociatat për anëtarësim në BE. Ky është një realitet i gjithëpranuar, e prandaj ky raport i dhjetë i Brukselit nuk pati as efekt publik. Edhe kryeministri do ta kishte shmangur nëse do mundej, por Bashkimi Europian ka krijuar një traditë tashmë me ambasadorët e vet. Ata ua dorëzojnë fizikisht kopjen e progres-raportit udhëheqësve kryesorë në vend, duke imponuar edhe një vlerësim publik prej tyre.
E kryeministri bëri atë që di të bëjë shumë mirë: të shohë veç suksese edhe aty ku ato shkruhen e zezë mbi të bardhë si tejet modeste. E bëri këtë teksa në krah kishte ambasadoren e BE-së, që jeton e punon në Tiranë, fizikisht jo shumë larg zyrave të qeverisë. Por nëse raporti do kishte renditur suksese, përse vallë ato nuk u bënë objekt debati publik? Ta kemi të gjithë kaq zili apo zët kryeministrin sa të mos i njohim arritjet?
Në fakt gjetjet e progres-raportit, për këdo që pati mundësi t’i lexonte me vëmendje, nuk sillnin diçka të panjohur a paevidentuar në realitetin shqiptar. Nëse kishte diçka të re a të papritur deri diku ishte gjuha shumë e kujdesshme e përdorur nga BE për t’i thënë çka kishte evidentuar, edhe pse është viti i dhjetë që e bën këtë monitorim të Shqipërisë.
Si zakonisht, progres-raporti bazohej në tri shtylla kryesore monitorimi: kriteri politik, kriteri ekonomik dhe aftësia për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit në BE. Kjo e fundit ndahet në 33 kapituj vlerësimi, që janë baza e ardhshme e negociatave, kur ato të hapen, për anëtarësimin. Dy kapitujt e fundit të paketës me 35 të tillë përfshijnë “rregullat procedurale e institucionale të BE-së” dhe “çështje të tjera”, që negociohen në finalizim të procesit të anëtarësimit. Për pasojë nuk përfshihen në monitorim.
Kriteri politik dhe ai ekonomik janë baza e kritereve të Kopenhagenit, plotësimi i të cilave i hap të dritën jeshile çdo vendi aspirant për t’i hyrë procedurës për anëtarësim. Janë të rëndësishëm, sepse lidhen me kapitujt 23 e 24, me të cilët nis hapja e negociatave të anëtarësimit të çdo vendi kandidat. Janë respektivisht “Të drejtat themelore e gjyqësori” dhe “Drejtësia, liria e siguria”. Janë kapitujt që nxijnë më shumë, jo për herë të parë në një progres-raport. Së pari, konstatimi i përvitshëm për kulturën e ulët të dialogut politik në Shqipëri. Aq i zakonshëm është bërë ky konstatim, sa as skuq as zverdh njeri, e madje anashkalohet edhe si referencë. Por një befasi interesante ishte shmangia e termit “dekriminalizim” në progres-raport, një proces për të cilin u impenjua vetë Parlamenti Europian vitin e kaluar. Që atëherë është folur shumë për nevojën e dekriminalizimit të politikës. Kryeministri e ka bërë publik mospëlqimin e tij për këtë term. Çështje fati apo jo, ai term nuk ekzistonte në progres-raport, por flitet për “keqbërës” në funksione publike, një rekord sidoqoftë për një vend kandidat i BE.
Shqipëria “ka një farë niveli përgatitor në…”, është refreni që alternohej me “është modestisht e përgatitur për…” dhe “është në një fazë të hershme të përgatitjes për…” për të vlerësuar fushat e monitoruara. Padyshim që me vlerësime të tilla, Shqipëria në fund të 81 faqeve rezulton një nxënës i ngecur në klasën e parë, edhe pse ka 10 vjet që bën të njëjtat lëndë.
Nëse për situatën në drejtësi vlerësohet një reformë e nisur në parlament, nuk mungon konkludimi që përfshin politikën. “Funksionimi i sistemit gjyqësor vazhdon të ndikohet nga një shkallë e lartë politizimi dhe bashkëpunim i dobët ndërinstitucional”.
Siç pritej, korrupsioni mbetet thembra e Akilit e kësaj qeverie, që nuk mund të justifikohet vetëm me gjendjen e drejtësisë në Shqipëri. “Korrupsioni mbetet i përhapur gjerësisht në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një shkak shumë serioz për shqetësim”. Njëlloj si vitin e kaluar, në raport vërehet se nuk ka dënime të zyrtarëve të lartë, por vetëm atyre të mesëm e të ulët. Nga ana tjetër, edhe pse ka nënshkruar konventën e OKB-së kundër korrupsionit, Shqipëria ende nuk e quan vepër penale pasurimin e paligjshëm. E korrupsioni evidentohet edhe tek policia, që sipas raportit “mbetet e ndjeshme ndaj presionit politik dhe korrupsionit, çka pengon hetimin efikas të rasteve të krimit të organizuar”. Edhe arsimi mbetet një zonë me rrezik të lartë për korrupsion, thuhet në raport ndërsa ai ndikon edhe në klimën e biznesit.
Progres-raporti i këtij viti kishte një shuplakë të posaçme për një nga premtimet më të bujshme të kësaj mazhorance në fushatën zgjedhore, punësimin. 56.6% e popullsisë në moshë pune ishin të papunë në vitin 2014, thuhet në raport, shifër pothuaj e pandryshuar nga viti 2013. Pra, hapja e vendeve të punës vazhdon të mbetet një retorikë e bukur televizive, ndërsa ajo shifër shqetësuese i korrespondon trendit dominues që kanë shqiptarët për t’u larguar nga vendi. Përkundër justifikimit të kryeministrit se shqiptarët që largohen janë emigrantë në Greqi, Brukseli e ka marrë shumë më seriozisht këtë situatë. “Rritja alarmante e aplikimeve të pabaza për azil nga qytetarë shquptarë në vendet e BE, përbën një shqetësim serioz”. Ndërsa 200 mijë aplikuesit e lotarisë amerikane, që nuk pasqyrohen në progres-raport, janë treguesi i brendshëm se si u duket qytetarëve e ardhmja në këtë vend.
Duhet pranuar se gjetjet e progres raportit nuk janë të panjohura, e mbase edhe gjuha tejet e kujdesshme e përdorur nga Brukseli për të evidentuar problemet, nuk duhet të na çudisë. Teknikisht, Bashkimi Europian e kreu edhe për këtë vit “detyrimin” ndaj Shqipërisë, përgatitjen e progres-raportit. Nëse gjuha e përdorur ishte tejet e kujdesshme, konkluzioni ishte krejt i qartë. Edhe për disa kohë nuk do jemi gati për të hapur negociatat për anëtarësim, pasi nga klasa e parë na duhet kohë për të marrë diplomën e maturës, sepse ngecemi tek lëndët kryesore, liritë dhe shteti së drejtës.
Shqetësuese është se ka një konformizëm të përgjithshëm me këtë vendnumëro të Shqipërisë. Vetë kryeministri na tha një ditë pas këtij raporti se “në dy vjet është bërë më shumë se ç’është bërë në 20 e kusur vite”. Prej gati dy vjetësh e kemi statusin e vendit kandidat për shkak të arritjeve të 20 e kusur viteve, e jo të dy viteve të fundit. Atëherë, pse nuk jemi më afër Bashkimit Europian? A na e ka fajin Brukseli për këtë vend numëro, apo për gjuhën tejet diplomatike që përdor duke mos i thënë gjërat troç?
Pavarësisht se si mund ta ndiejmë ne që jetojmë çdo ditë këtë realitet, që Brukseli na e përshkruan burokratikisht, duhet thënë se në aspektin teknik, BE-ja ka një teknikë të konsoliduar, që synon nxitjen e vendeve apsirante për t’iu bashkuar Unionit e jo dekurajimin e tyre. Për pasojë, lëvrimi i termave gjuhësorë për të motivuar një vend është një proces rutinor pune.
Ndërsa në aspektin praktik, nuk është detyra e Bashkimit Europian, t’u qajë hallin shqiptarëve se përse nuk bëjnë dot përpara. Ua kanë treguar rrugën, edhe modelet, madje duke kapërcyer kufijtë diplomatikë, për t’u hapur sytë shqiptarëve se cilët po i përfaqësojnë, por edhe për t’u dhënë kurajë mediave që të flasin hapur për çfarë ndodh në vend. A nuk e ka bërë këtë disa herë ambasadori amerikan, ambasadorja e BE-së, ambasadori gjerman e homologë të tjerë të tyre në Tiranë? A nuk po bëhen publike në media sistematikisht raste të abuzimeve me fonde publike e lidhje të zyrtarëve të lartë me krimin? A ka ndonjë reflektim për t’u shënuar për ndonjërin prej rasteve? E kundërta po ndodh me propozimin që kryeministri mësuam dje se paska çuar në Parlament për të kriminalizuar atë që do konsiderohet shpifje ndaj zyrtarëve të lartë. Ky është jo vetëm një hap prapa në liritë e individit në Shqipëri, por edhe tregues i vullnetit të errët, jo për të reflektuar pas abuzimeve të denoncuara, por për t’i mbyllur gojën me kërcënim me burg, kujtdo që do guxojë të denoncojë raste që përfshijnë zyrtarë të lartë. E nëse kryeministri ka kurajën që t’i konsiderojë publikisht si “këneta mediatike” mediat e vendit të vet, e ardhmja duket akoma më e errët dhe rruga drejt Bashkimit Europian, shumë më e gjatë.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: