Situata socio-ekonomike dhe politike në Shqipëri ka arritur një nivel të frikshëm! Kemi arritur në një pikë ku qeverisja qendrore, është shkëputur totalisht nga realiteti, ose tjetra, është në dijeni të situatës, por nuk i intereson. Probleme në shëndetësi, ku përveç mungesës së mjekëve, qytetarët janë duke u përballur edhe me mungesë analizash, dhe medikamentesh.

Probleme me sigurinë, ku policia është pa besim, duke qënë se e kanë kuptuar mënyrën e funksionimit nga lart poshtë, më urdhëra dhe shërbëtorë (shefa) partie.
Krime të pazbardhura, ngjarje kriminale të pahetuara. Inskenime nga drejtues policie.
Probleme me drejtësinë. Drejtësia e re merret më peshq të vegjël, edhe pse u krijua për të kapur ata të mëdhenjtë. Dosjet për t’i hetuar i kanë në tavolinë, por po bëjnë që ato të plurosen në sirataret e drejtësisë së re. Duket qartë ndikimi i politikës mbi SPAK.
Abuzimet në nivele të frikshme. Abuzime haptazi, siç janë inceneratorët, tenderat, ppp-të, etj…
Probleme me produktet që konusmojmë, probleme me ilaçët që pijmë, probleme, probleme…
Dhe në fund rrogat dhe pensionet. Ato janë prej vitesh në të njëjtin nivel. Indeksimi i tyre, përdoret si rritje.

Dhe të gjitha këto kanë prodhur një situatë mendore problematike.
Niveli i stresit, ankthit, është rritur ndjeshëm. Kam folur këto muaj më shumë njerëz, nga jugu në veri, të pasur e të varfër. Të gjithë ndalen në një pikë. Ketu është vrarë shpresa. Njerëzit janë të lodhur, shumë të lodhur nga kjo që ka prodhuar politika. Nga njëra anë një qeveri që dita ditës rrit numrat e pakënaqësisë në njerëz dhe nga ana tjetër një opozitë e ndarë në dy pjesë.
Këtu qëndron edhe problemi. Nëse një qeveri qeveris keq, shpresa e qytetarëve është opozita. Por kjo opozitë deri më tani nuk frymëzon.
Zakonisht thuhet se nëse ti kritikon opozitën e tanishme, çon ujë në mullirin e Ramës. Shpesh e kam dëgjuar këtë!
Jo, në duhet të flasim sot, dhe ata që përfaqësojnë opoziten duhet të reagojnë sot, në mënyrë që të mos e kemi këtë qeveri edhe për 4 vite të tjera, çka më pas do të kalonim në “Depresionin e Madh”, ekonomik, shëndetësor, mendor, etj.

Situata e sotme e opozitës nuk e bën atë një pretendente për të fituar. Madje situata e krijuar në opozitë favorizon Partinë Socialiste.
Thënë ndryshe. Kjo situatë në opozitë, duke qënë se nuk frymëzon, do të bëj që edhe më shumë të rinj të ikin nga Shqipëria, më shumë familje të varfërohen, më shumë të rritet korrupsioni, më shumë të harxhohen paratë tona, dhe shumë më shumë do të rriten edhe abuzimet…
Patjetër që shkaku i keqqeverisjes është partia në pushtet, por opozita a frymëzon? A mjaftojnë vetëm demokratët për të ardhur në pushtet? Aq më tepër në një kohë kur ata mijëra që kanë ikur nga Shqipëria, kanë qënë votues potencialë të opozitës?
Partia Demokratike dhe të gjithë deputetët e saj duhet të mendojnë përtej vetes, përtej interesave personal, përtej kulisave.

Nuk kanë as vullnetin për t’u mbledhur të gjithë dhe për të zgjidhur situatën ku janë, në një tunel, ku nuk duket asnjë dritë në fund të tij.
Është ndarë Grupi Parlamentar i PD-se në dy pjesë, deputetë që shkojnë në Kuvend dhe zihen e shajnë njëri-tjetrin. Dhe Rama e shijon këtë shfaqje. Madje e përdor, përballë çdo akuze që i vjen nga deputetet e opozitës.
Unë kam vendosur të jetoj në Shqipëri! Dua të ndërtoj të ardhmen time këtu, të krijoj familjen time. Por kjo situatë, më ka humbur optimizmin, më ka bërë shpesh të mendoj, “Si është të jetoj diku gjetkë?, “A ia vlen të durosh gjithë këtë situatë dhe I pashpresë?”
Kjo, sepse këtu njerëzit politikë nuk mendojnë përtej interesit të tyre, dhe atyre që i kanë votuar. Sepse për hir të interesit të së ardhmes së Shqipërisë, të gjithë do duhej ta kishin gjetur një zgjidhje, dhe e gjithë situata të kthehej në shpresë për Shqipërinë.
Kjo nuk është bërë, dhe secili vazhdon të bëj “opozitarizëm” nga llogorja e tij.
Por dijeni që nëse opozita nuk reagon sot, e nesërmja do të jetë edhe përgjegjësi e tyre, sepse nuk u dhanë qytetarëve shpresë e alternativë.
Prandaj pyes: “A mundet që një trup me imunitet të dobët, të luftojë një infeksion? Nëse nuk e lufton dot një infeksion, si do ia bëj me kancerin?
Përgjigjen jepeni ju…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: