I ftuar në emisionin “Alert” në News24, nga Granit Sokolaj, Ledio Ilollari, nga Sektori i inspektimit të ushqimit në AKU, foli mbi alarmin e ngritur nga salcat e domateve vendase me përbërje mielli dhe niseshteje si dhe shafranin me ngjyrues. Ai tha se u morën produkte të tilla vendi dhe të importuara dhe u dërguan në laboratorë për rezultate përfundimtare.

“Misioni i AKU është kontrolli i produkteve vendase dhe të importit, kemi një hallkë nga gjurmimi dhe ndjekja e produkteve. Përsa i përket salcave të domateve u sinjalizuam nga Alert, ishte mesazh alarmi. AKU zgjodhi që të shkonte direkt te produkti dhe pas inspektimit, marrjes së mostrave shkuam te analizat në laboratorë. U morën produkte të importuara dhe të vendit, me të pasur rezultate përfundimtare nga laboratori do merren masat ndaj prodhuesve”, tha Ilollari.

Në lidhje me etiketat e produkteve, Ilollari shprehet se është detyrim ligjor paraqitja me korrektësi e përbërësve të produktit.

“AKU ka një data-baze të saktë për të gjithë prodhuesit, subjektet. Mbrapa çdo etikete është një prodhues që ka të drejtë të ushtrojë aktivitetin, pasi ka përmbushur kriteret. Etiketa tregon çfarë ka produkti brenda, duhet deklaruar pasi ndryshe kemi të bëjmë me keqinformim, që ligji e ndalon. Prodhuesi mban përgjegjësi te prodhimi, etiketimi dhe tregtimi. Në etiketë është detyrim paraqitja me korrektësi e përbërësve të produktit. Për niseshtenë në produkte, konsumatori ka të drejtë të jetë i informuar për atë që konsumon”, deklaroi Ledio Ilollari.

Përsa i përket furrave të prodhimit të bukës, ku shpeshherë mungojnë kushtet higjieno-sanitare, Ilollari tha se kemi përmirësim cilësor të prodhimit dhe tregtimit të bukës.

“Kategorizimi i riskut bëhet duke iu referuar natyrës së produkteve, kemi rritje të kontrollit të inspektorëve në mbulimin e të gjithë territorit. Sot mund të flasim për përmirësim cilësor të prodhimit e tregtimit të bukës. Denonconi rastet e abuzimeve, ka marrë një rëndësi gjurmueshmëria e produktit, që çdo operator të jetë i përgjegjshëm që të garantojë sigurinë ushqimore dhe të zbatojë kriteret.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb