NGA ORNELA MANJANI

TIRANE– Punonjësit e administratës që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës do të trajtohen financiarisht në bazë të afatit të qëndrimit jashtë qytetit. Më një vendim të posaçëm, Këshilli i Ministrave ka vendosur që për shërbimet që kryhen brenda ditës, punonjësi të marrë 500 lekë dieta, ndërsa për qëndrimin një natë jashtë qendrës së punës, 1000 lekë. “Punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të cilët gjatë ditëve zyrtare të punës shkojnë me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit, trajtohen financiarisht për përballimin e shpenzimeve të shërbimit, i cili bëhet i diferencuar, sipas distancës së shërbimit nga qendra e punës”, thuhet në VKM-në e botuar dje në Fletoren Zyrtare.

PAGESAT

Sipas VKM-së për shërbime në një largësi mbi 50 km jashtë qendrës së punës, kur punonjësi kthehet brenda ditës, trajtimi financiar i tij përfshin dietën ditore në masën 500 lekë në ditë si dhe shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni. Përjashtohen nga ky rregull punonjësit që dërgohen për shërbime në një largësi mbi 50 km, jashtë qendrës së punës dhe që zgjatin mbi tri ditë pune, në bazë të programit të miratuar nga titullari apo zyrtari përgjegjës që autorizon shërbimin, sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi. Për shërbime në një largësi mbi 100 km, jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin: dietën ditore, e cila për çdo punonjës të dërguar me shërbim, llogaritet në masën: 1 000 lekë në ditë, kur punonjësi kthehet brenda ditës; 10 për qind të pagës mujore, por jo më shumë se 2500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, kur shërbimi zgjat më shumë se një ditë. Për efekt të llogaritjes së dietës, në këtë rast data e nisjes dhe ajo e kthimit llogariten një ditë e plotë. Nga buxheti i shtetit paguhen shpenzimet e fjetjes kundrejt dokumentit tatimor përkatës, të paraqitur nga hoteli dhe të shoqëruar me faturën e printuar nga kasa elektronike fiskale, por jo më shumë se 3000 lekë për çdo natë; shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni.

SHËRBIMET
Për shërbime në një largësi deri në 50 km jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin vetëm shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni. Përjashtohen nga ky rregull: punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, kur marrin pjesë në shërbime operacionale. Punonjësit e Qendrës së Shërbimit Mjekësor (klinika qeveritare), kur shoqërojnë personalitete të larta të vendit; anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, kur ushtrojnë veprimtarinë pranë këtij kolegji gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare apo vendore dhe personeli ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i cili angazhohet në procesin e eliminimit të kimikateve stoqe në strukturat e këtyre forcave, si dhe kur merr pjesë në shërbime operacionale specifike.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: