Akademia e Sigurisë është institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e rendit e të sigurisë publike në Shqipëri, i themeluar më 20.12.1971. Në mbi gjysëmshekulli ka përgatitur diplomuar e çertifikuar rreth 5500 oficerë dhe 11500 kursantë që kanë shërbyer në të gjitha nivelet në Policinë e Shtetit.

Strukturat drejtuese, akademike dhe mbështetëse në të gjitha nivelet në Akademinë e Sigurisë në tre dekadat e fundit kanë ridimesionuar punën e formimit policor mbi bazën e legjislacionit të ri, me frymë të re europianiste e bashkëpunuese, çka ndihmat, mbështetja dhe projektet e binjakëzimit i kanë hapur rrugën e kryerjes së një misioni bashkëkohor në transmentim dijesh, mësimdhënie e kërkim shkencor, sipas përvojave europiane. Qasja moderne përmes një konceptimi bashkëkohor të arsimimit, trajnimeve e kualifikimeve policore dhe zhvillimin e qëndrueshëm për siguri publike në vend ka qenë moto e AS-së, si institucioni bazë për përmirësim të kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe strukturave ligjzbatuese. Në një periudhë të shkurtër kohore realizimi i 12 projekteve kërkimore shkencore, 7 konferencave shkencore ndërkombëtare dhe 2 kombëtare, por edhe akreditimi institucional 5 vjeçar i AS-së më 27.1.2023, dhe akreditim të programeve, kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në Projektet e BE-së me Estoninë e Finlandën dhe së fundi me Italinë fqinje.

Ditët e fundit Akademia e Sigurisë vendosi në veprim një mekanizëm të munguar në gjysëm shekulli, akordimin për herë të parë të titullit të lartë “Doctor Honoris Causa”, një të drejtë që ja mundëson VKM-ja nr. 112, datë 23.2.2018 “Për përcaktimin e kritereve për fitimin e gradës shkencore “Doktor” dhe të standardeve shtetërore për fitimin e titujve akademikë “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”. Senati Akademik i AS-së, Rektori Profesor Mandro, përmes dy rekomandimeve nga dy profesorë përgatitën gjithë dokumentacionin e standardizuar, sikurse gjithë institucionet e tjera të arsimit të lartë. Gjetja e Akademisë së Sigurisë për akordim titulli rrodhi natyrshëm nga kontributet e mëdha që kanë pasur miq, partnerë e mbështetës të shumtë që kanë qenë për institucionin e edukimit policor në Shqipëri. Fakt është se AS-ja është në një proçes binjakëzimi me Akademinë e Policisë Italiane dhe eksperienca e mbështetja e edukimit policor shqiptar ka gjetur një përkrahës të çmuar sikurse është Zëvendësdrejtori i Përgjithshë i Policisë Italiane, Prefekt Vitorio Rizzi, një  kontribues aktiv në hapat konkret që janë ndërrmarë për Deklaratën e Mirëkuptmimit, nënshkruar nga Policia e Shtetit të Italisë dhe Policia e Shtetit të Shqiptarisë.

Në këtë kuadër vlerësimi i miqve dhe partnerëve u pa e arsyeshme që titulli i parë i lartë “Doctor Honoris Causa”, t’i akordohet Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Prefektit Vittorio Rizzi, njeriut që ka ndarë eksperiencën e tij të vyer të policimit italian, ndër më elitaret e Europës me stafet pedagogjike dhe më gjerë të Policisë së Shtetit Shqiptar e sidomos të edukimit policor në Akademinë e Sigurisë.

Ceremonia u zhvillua në ambjentet e Akademisë së Sigurisë, me rastin e vizitës së zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Prefektit Vittorio Rizzi, në kuadër të bashkëpunimit mes akademive policore të dy vendeve.

Titulli ju dorëzua Prefekt Rizzi, nga Rektori i Akademisë së Sigurisë Profesor Ilirjan Mandro, ku gjatë fjalës së tij, vlerësoi partneritetin mes Akademisë së Sigurisë në Tiranë dhe Akademisë së Sigurisë në Romë. Gjatë ceremonisë Rektori Mandro në prani edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe zv.ministrat e Brendshëm Besfort Lamallari dhe Julian Hodaj tha se, “..falënderoj autoritetet drejtuese të Policisë së shtetit italian dhe Prefektin Rizzi, për kontributin e çmuar të dhënë në mënyrë të vazhdueshme për Policinë e Shtetit. Ne sot jemi histori suksesi për rikthimin e besimit të agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese, te Policia e Shtetit. Për to jemi partnerë në shkëmbimin e cilësive profesionale dhe me interesa të njëjta. Sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare janë ato me të cilat janë përballur dhe përballen edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Akademia e Sigurisë sapo është akredituar në sistemin e rrjetit të arsimit të lartë, ofron arsim profesional dhe kurrikulat janë në proçes çertifikimi. Falënderojmë partnerët tanë vendas, Ministrinë e Arsimit, Universitetin e Tiranës, Shkollën e Magjistraturës dhe shumë partnerë të tjerë. Takimi i sotëm flet për ecurinë e këtij bashkëpunimi”. Edhe Drejtori i Përgjithshëm, shprehu nderimin dhe konsideratën më të lartë, për drejtuesit e Policisë së Shtetit të Italisë, për mbështetjen e gjithanshme që kanë dhënë dhe japin për Policinë e Shtetit Shqiptar, dhe në veçanti, për zhvillimin e sistemit arsimor policor në Akademinë e Sigurisë. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në përmirësimin e njohurive për rekrutimin e personelit, pasurimin e akademive të sigurisë së dy shteteve, me materiale dhe me plane mësimore, duke shkëmbyer praktikat më të mira në organizimin e aktiviteteve didaktike; mundësimin e lektorëve tanë të marrin eksperiencë dhe rritje të kapaciteteve mësimdhënëse në Akademinë e Policisë Italiane, si dhe në fushën e kërkimit shkencor. Ndihmë të vyer ky bashkëpunim ka patur dhe për studentët tanë të cilët kanë rritur njohuritë nëpërmjet trajnimeve pranë Akademisë së Romës.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Prefekti Vittorio Rizzi, pas akordimit të titullit të lartë si i pari titull i kësaj natyre që jep Akademia e Sigurisë, dhe që çel edhe siparin e nderimit dhe respektimit të figurave e miqve, që institucioni i edukimit policor e shikon si detyrim shpirtëror dhe moral, si ndihmë reale institucionale. Prefekt Rizzi, ka ardhur disa herë në Akademinë e Sigurisë dhe Policinë e Shtetit ka mundësuar ridimensionimin e marrëdhënieve, është kontribues në proçesin e shndërrimit të Akademisë së Sigurisë në institucionin e Arsimit të Lartë për edukimin e punonjësve të Policisë, në fushën e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe është lektor i drejtpërdrejtë e dhurues i librave të domosdoshëm të kriminalistikës, që mbështetjen e bën me vepra, me vepra profesionale dhe dinjitoze, që praktikisht në duart e drejtuesve të Policisë, stafit mësimor dhe studentëve të Akademisë së Sigurisë kanë libra me shumë vlerë për studim”.

Ceremoniali i dhënies së titullit të nderit në AS kapërcen formatin protokollar, pasi Prefekti Rizzi falënderimin e ka të sinqertë dhe të hapur ndaj Rektorit të Akademisë së Sigurisë dhe ndaj gjithë autoriteteve shqiptare, për surprizën emocionale, e vlerësimin që bëhet për miq e kontribues të rrallë. Në fjalën e tij Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Italian theksoi me emocion se, “..E citoj gjithmonë, e them gjithmonë edhe në takimet ndërkombëtare, e them edhe kur jap mësim në shkollat e Policisë Italiane, një mësim shumë të madh e kam marrë nga kryeministri shqiptar Rama, kur në rastin e një ndër takimeve që kemi patur në Shqipëri, me kolegët, kemi pasur privilegjin që ai të na priste. Asokohe unë përcillja një delegacion me Ministrin e Brendshëm Italian. Erdhëm dhe u pritëm nga kryeministri Rama që flet një italishte të jashtëzakonshme. Ai ka nënvizuar shumë herë në gjithë fjalimin e tij, tematikën e formimit, e përgatitjes akademike, sa e rëndësishme është të krijohet një kulturë e ligjshmërisë, një kulturë e demokraci dhe se si kjo duhet të ishte pasuri e forcave të rendit. Ai i kërkoi ministrit, që më pas më kaloi mua detyrën, për t’u kujdesur për pjesën teknike, pra i kërkoi një kontribut të shkollës së Policisë Italiane, për të ndërtuar një rrugëtim së bashku, që të mund të sillte binjakëzim të shkollave tona. Është një rrugëtim që edhe akademitë publike dhe private po bëjnë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, ndaj është një rrugëtim që vjen në vazhdën e një bashkëpunimi institucional dhe politik mes dy vendeve. Ajo çfarë më ka lënë mbresa nga fjalimi i zotit Rama, ishte se forca dhe madhësia e një shteti nuk maten me atë se çfarë ka një shtet, por me atë çfarë di një shtet. Unë ndihem thellësisht i nderuar që mora sot këtë titull. Më lejoni gjithashtu t’i shpreh një falenderim të veçantë Drejtorit të Policisë, i cili po qeveris këtë fazë shumë komplekse. Ne po jetojmë një moment shumë të vështirë në nivel global. Kemi luftëra nëpër botë, kemi tensione, kemi rreziqe të infiltrimit terrorist, kemi kriminalitet të organizuar që në shtetet tona është bërë tashmë një kriminalitet global që shtrihet nëpër botë. Drejtori Rrumbullaku po bën një punë të shkëlqyer të qeverisjes së sigurisë së shtetit në Shqipëri. Një fjalë do të doja patjetër ta shpenzoja për mikun tim Mandro, pasi pasioni dhe entuziazmi i tij që lexohen në dritën që kanë sytë e tij, se në momentin ku ai flet për trajnime, për formim, për angazhimin që ka ndaj kësaj akademie, duket i gjithë entuziazmi i tij”. Dhënia e një tituli të tillë në Akademinë e Sigurisë theu çdo korrnizë protokollare, duke zbritur në nivelin bazë dhe duke dhuruar për Policinë e Shtetit 400 kopje të librit të tij, “Investigare 4.0”, që do të bëhen pjesë e kurrikulës së Akademisë së Sigurisë, si dhe nga ana tjetër Prefekti Rizzi u “zhvesh” nga titujt dhe zhvillot dy orë leksion me studentët dhe pedagogët e Fakultetit për Hetimin e Krimit, me kursantët dhe instruktorët e Kolegjit Profesional të Policisë, në Akademinë e Sigurisë.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb