Historia që u trajtua sot në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24 të moderatores dhe autores, Evis Ahmeti, është historia e një burri, një babai, një shtylle familjeje, që sot ndodhet në betejën më të vështirë të jetës së tij.
Klodian Kerçuku, 45 vjeç nga Gramshi, baba i tre fëmijëve, në 10 nëntor të vitit 2025, teksa kthehej nga puna në Greqi së bashku me dy bashkëkombës të tij, u përfshi në një aksident tragjik. Një përplasje fatale me një pemë ulliri. Një prej shokëve të tij humbi jetën në vend. Ndërsa Klodjani mbijetoi, por me pasoja të rënda. Për më shumë se një muaj e gjysmë ai qëndroi në koma, në një spital në Greqi. Sot ai nuk është më ai që ishte dikur, nuk komunikon, nuk reagon dhe çdo ditë për familjen e tij është një betejë mes shpresës dhe dhimbjes. Pas një rruge të gjatë sakrificash dhe pamundësish ekonomike për të përballuar trajtimet jashtë vendit, familja vendosi ta sjellë Klodianin pranë tyre, në Shqipëri, pranë njerëzve që e duan dhe e presin të rikthehet. Por kjo betejë nuk mund të fitohet vetëm.
Sot familja e tij kërkon ndihmën e të gjithëve, që Klodiani të ketë një mundësi tjetër për jetën, për t’u rikthyer pranë fëmijëve të tij, për të qenë sërish ai që ishte dikur. Vëllai i Klodianit, tregoi për emisionin se vëllai i tij ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka nevojë për ndihmë.
“Më morën në telefon njerëz të mi, disa të afërm. Ai ishte duke u kthyer nga puna në Korintho. I zuri shiu dhe makina pësoi aksident, ishte rreth orës 10:00 e mëngjesit. Ishte breshër atë ditë dhe makina përfundoi duke u përplasur me një ulli. Pasagjeri ndërroi jetë. Makina ishte e pronarit grek, vëllai kishte dokumente. Nuk ishin me shpejtësi. Personi që ndërroi jetë 45 vjeç dhe personi tjetër ka mbijetuar. Vëllai im ngeli 1 muaj e gjysmë në koma. Personi tjetër ka ndenjur vetëm një natë në spital. Kur e kam pyetur se çfarë ndodhi, më ka thënë se nuk mbante mënd asgjë. Nuk dimë asgjë se çfarë ka ndodhur, sipas autoriteteve. Sa kohë ishte në spital shtetëror në Greqi, ishte pa pagesë. Pasi u përmend, ne na thanë që duhet ta çoni te fizioterapisti. E çuam në privat, duke marrë borxhe, te miq dhe shokë. Ai ka nisur të përmirësohet se po i bëjmë fizioterapi, por ende nuk flet. Do kohë kanë thënë mjekët.”, tha vëllai i tij.
Ndërkohë, mes emocionesh dhe ankth për të ardhmen, bashkëshortja e 45-vjeçarit tregoi përjetimet nga aksidenti dhe takimi i parë me fëmijët pas daljes nga koma.
“Si fillim shpresoja ta gjeja gjallë, pastaj ishte tmerr me sy. Për herë të fundit ishte telefonata në darkë. Aty kishim folur. Ishte kohë e keqe atë ditë. Ishte shumë e vështirë, të shohësh bashkëshortin aty shtrirë dhe të presësh që të zgjohet. Tmerr. Kam tre fëmijë, i madhi 17 dhe i vogli 7 vjeç. Ai e përjetoi më keq. E mbaj mend kur doli nga koma. U emocionuam shumë, u prekëm. Thamë shyqyr që doli gjallë. Kur pa fëmijët, lot e përqafime. Është pak më mirë. Por nuk bën para. Nuk është as për veten e vetë. Mjekët janë shpresë plot. Shpresoj t’ia dalim me ndihmë të Zotit.”, pohoi ajo,
