Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Fushë-Prezë.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se të rinjtë kishin dalë të prisnin në aeroportin e Rinasit, Erild Laçin, një prej viktimave, i cili kthehej nga Gjermania.
Në momentin që ndodhi aksidenti, ata po ktheheshin për në shtëpi, në Borizanë.
Në aksident humbën jetën 25-vjeçari Enejdi Laçi, 20-vjeçari Erildi Laçi, 24-vjeçari Enrikejd Kurti dhe 22-vjeçari Andi Laçi.
Dinamika e ngjarjes:
Automjeti tip Benz ka qenë me impiant benzinë -gaz, që mendohet të jetë edhe shkaku i shpërthimit të zjarrit menjëherë pas përplasjes.
Betonierja ka qenë me shpejtësi të ulët, ndërsa dyshohet se automjeti me të cilin udhëtonin të rinjtë ishte me shpejtësi. Një detaj tjetër i rëndësishëm që mund të ketë ndikuar në aksident, është edhe fakti se rruga nuk ishte e ndriçuar e për pasojë të rinjtë mund të mos kenë arritur të shihnin betonieren.
Ka qenë një patrullë policie ajo që ka konstatuar aksidentin duke njoftuar zjarrëfikësen e Fushë-Krujës, e cila e ka pasur të pamundur shuarjen e flakëve.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses nga Tirana që kjo të bëhej e mundur.
(BalkanWeb)