Pjesa e tridhjetë e nëntë

Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

     KOMITETI  QENDROR                                                          Sekret               

 -Sektori i Përgjithshëm-

                                                        PROCES – VERBAL

                   I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE

                                                    17 E 18 DHJETOR 1981

Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.

Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Kur jemi pranuar në Parti, jemi betuar se do të punojmë, do të luftojmë e do të mbrojmë me konsekuencë vijën e saj, dhe se mbi parimet e normat e saj, s’do të vëmë asgjë. Këtë betim shoku Mehmet, mendoj unë, në punën e tij dhe me këtë veprim që ka bërë me fejesën e djalit të tij, Skënderit, me vajzën e një të deklasuari, nuk e ka mbajtur parasysh.

Në autokritikën me shkrim që ka bërë shoku Mehmet, thotë se jam treguar sentimental dhe kishit frikë se mos djali pësonte ndonjë traum. Mund t’i themi atij, po traumën që mund të pësonte vija e Partisë, a e kishit parasysh? Apo gjeti rrugën më të shkurtër, që më mirë t’i plotësoj qefin djalit, pa vijën e Partisë e rregullojnë të tjerët. Unë do të thosha se shoku Mehmet, nuk duhej ta kishte bërë korrigjimin e fejesës, kur ia rekomandoi shoku Enver, sepse ne të gjithë duhet të punojmë që t’ia lehtësojmë punën dhe jo ta ngarkojmë shokun Enver me gjëra të tilla.

Edhe kur u hap lajmi se djali i shokut Mehmet, është fejuar me mbesën e Ismail Turdiut, që banon në Lushnje, me të drejtë më erdhi një komuniste shumë e shqetësuar dhe më tha: Ç’ka ndodhur kështu, që djali i shokut Mehmet është fejuar me mbesën e Ismail Turdiut? Aq sa mund ta njihnin ato se kush ishte Ismail Turdiu, unë nuk e njihja, por, tash, duke parë autokritikën e shokut Mehmet, shoh se kush janë Ismaili ose Qazim Turdiu.

Unë në fakt nuk e besova dhe i thashë se kjo nuk është e vërtetë, prandaj mbylle gojën. Mirëpo ajo dhe shoqet e saj, thonin se e shoqja e Ismail Turdiut, po u flet të tjerëve ejani me uroni, sepse mbesa jonë është fejuar me djalin e kryeministrit, prandaj ju kot flisni, që ne jemi me përbërje të keqe politike.

Dihet se djali i shokut Mehmet, nuk është e para herë që bie në gabime të tilla. Unë mund ta them këtu, në Byronë Politike, se në Lushnje njerëzit flasin shumë, se ai shkon pas disa vajzave të degjeneruara, njëra nga të cilat banon edhe në Lushnje dhe gjoja do ta marrë për grua.

Në fund doli se ai u fejua me një vajzë tjetër. Njerëzit thonë ashtu siç thanë edhe shokët këtu, se këto çështje janë të ushqyera edhe nga shoku Mehmet e nga shoqja Fiqret, bile kanë arritur deri atje sa, kur kalon djali i shokut Mehmet me gjithë nusen e tij, të thonë: Ç’janë këta, mos janë marksiste-leninistë?

Pra flasin edhe për nga paraqitja. Kështu që mendoj se këtë gjë shoku Mehmet nuk duhet ta kalojë kështu lehtë dhe të thotë që nuk e di se si janë këta, se unë nuk i shikoj fëmijët e mi. Po mund t’i themi ne, se djali i shokut Mehmet, dilte fare zbathur jashtë ‘Bllokut’ kur ishte në plazh në Divjakë, bile edhe pa shapka fare, pa lere që nusja e tij ndërrohesh e shëtiste fëmijët e saj, djalin apo vajzën, me motoskaf. Bile një herë ishim atje me shokun Kadri dhe ky i tha: pa hajde këtu ti, kush të ka urdhëruar të më bredhësh këtu, e të marrësh njerëz nëpër këmbë?

Unë nuk kam shumë kontakt me shokun Mehmet, por ai të ndrydh, s’të lë të flasësh dhe njerëzit poshtë thonë: “Shyqyr që nuk qe shoku Mehmet, kur i raportuam Qeverisë, se me të nuk bëhet dot”. Ne e kemi më të lehtë të vijmë t’i flasim shokut Enver këtu, t’ia shtrojmë atij problemet, të na dëgjojë dhe them të drejtën, kam mësuar jashtëzakonisht edhe nga shokët e tjerë, por veçanërisht nga shoku Enver, nga trajtimi e nga kritika që na bën.

Krijimi i kushteve të veçanta që u ka bërë fëmijëve të tij, duhet t’i shohë. Edhe ne kemi fëmijë, por dëgjojmë se flasin shumë që fëmijët e shokut Mehmet, vishen kështu e vishen ashtu, se ata janë përhapësit e modës, se na thonë: përse nusja e djalit të shokut Mehmet, vishet kështu dhe ne të mos vishemi si ajo, etj. E gjithë kjo do të thotë se shoku Mehmet, me gjithë shoqen Fiqret, thonë që për ne ka tjetër modë, për Partinë dhe për popullin ka tjetër.

Unë mendoj që përgjegjësi ka edhe shoqja Fiqret dhe nuk e di se çfarë qëndrimi ka mbajtur organizata e Partisë ku ajo bën pjesë, po kjo shoqe, duhet të japë llogari dhe të japë mirë bile, sepse makinën që shkoi dy javë djali në Greqi, ajo ia vuri në dispozicion, siç kemi dëgjuar. Ku je ti, pse fëmijët e shokut Mehmet, thonë njerëzit, po shkojnë jashtë me gjithë nuse? Pse nusja e djalit të shokut Mehmet, pa mbaruar të mesmen, lejohet të shkojë në Universitet, në vitin e dytë pa bërë vitin e parë? Shokët shikojnë, njerëzit flasin. Pse, nuk i di shoku Mehmet këto? Nuk i di këto shoqja Fiqret? Prandaj mendoj që edhe shoqja Fiqret, duhet të japë llogari dhe të japë mirë bile.

Unë mendoj se përgjegjësi ka edhe Feçor Shehu. Atij i është besuar Sigurimi i Shtetit dhe është anëtar i Komitetit Qendror. Pavarësisht se vajti i’a dha të dhënat shokut Mehmet dhe i tha që unë nuk jam shumë dakord, ai duhet ta kishte informuar Komitetin Qendror dhe t’i thoshte se unë jam i pafuqishëm të influencojë te shoku Mehmet, prandaj ju, shoku, duhet ta gjykoni këtë. Jo të hiqet sikur nuk di gjë fare. Atij i është besuar Sigurimi i Shtetit. Kush i nxjerr këta njerëz jashtë? Pse ngeli shteti ynë që ngjyrat e sportit shqiptar, t’i përfaqësojë e bija e Qazim Turdiut? Ç’është kjo? Kush u jep vizën për të dalë jashtë këtyre njerëzve?

Po këtu të lutem shumë, kush ia ka dhënë vizën asaj që ka shkuar përjashta? Kush e di, ajo mund të jetë edhe ndonjë agjente andej, mund ta ketë kompromentuar edhe armiku. Kështu, të gjithë këta, na dalin tashti si pa faj dhe shoku Mehmet, e merr nën mbrojtje shoqen Fiqret, edhe shokun Feçor, duke thënë e kam unë fajin. Kur ka ardhur puna, ne kemi përjashtuar nga Partia komunistë, duke u thënë se ti shoqe je martuar me një njeri të deklasuar, ish-vjehrri yt ka qenë ballist dhe ti nuk je treguar e sinqertë, prandaj nuk të pranojmë në Parti etj., etj.

Po këta? Këta duhet të japin llogari apo të shkojnë kështu lehtë? Unë mendoj që edhe kështu përciptazi, nuk di, po shoku Kadri tha që ai ka bërë autokritikë. Se ç’autokritikë ka bërë, mendoj që ato duhet t’i diskutojë edhe Plenumi i Komitetit Qendror dhe jo ka bërë autokritikë pse lëshon ai firma që të nxjerrë njerëz me shoqëri jashtë shtetit, që të përfaqësojnë sportin tonë? Mos ngeli shteti ynë për t’u përfaqësuar në sportin tonë nga këta? Ne duhet ta mbrojmë kurdoherë vijën e Partisë…

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk thashë gjë për Feçorin.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Jo, jo. Juve thatë se Feçori a nuk e di ka bërë, po më falni, se mos e kam dëgjuar gabim, po sidoqoftë them se ai duhet të bëjë e duhet të japë llogari. Se tani, shoku Enver, ka edhe një mendim, mjafton të jesh sportist e artist dhe del jashtë shtetit pa vështirësi, e pa për të tjerat kryesoret, për anën politike, s’pyet njeri. Unë për vete bëj autokritikë, por shumë kontakte me shokun Mehmet nuk kam patur, prandaj autokritikë më të mire, duhet të bëjnë shokët Adil, Pali dhe të tjerët.

Shokët thonë këtu se ai nuk të le. Mirë nuk të le ai, por shoku Enver në Byronë Politike e ka thënë disa herë që, more shokë, hajdeni më informoni. Neve kemi bërë autokritikë para shokut Enver, se duhet ta informojmë atë për probleme dhe shoku Enver është interesuar edhe për probleme të thjeshta të bujqësisë, të industrisë, të tregtisë, po për këto probleme, që kanë të bëjnë me vijën e Partisë? Ja, këto kisha.

SHOKU ENVER HOXHA: Bëjmë një çik pushim.

                                                                      SEANCA E KATËRT

SHOKU MUHO ASLLANI: Si gjithë shokët e tjerë kam studiuar me shumë kujdes autokritikën me shkrim të shokut Mehmet, në të cilën ai përpiqet t’i bëjë analizë gabimit politik dhe të nxjerrë shkaqet që e çuan në këtë gabim. Me që Skënderi nuk është kthyer deri tani, dhe unë kisha përshtypjen se do të ishte kthyer, e do të ish në Shqipëri, tani them se duhet të kthehet menjëherë dhe jo vetëm kaq, por edhe të kihet kujdes se mos bën ndonjë marrëzi tjetër në Suedi, ose në ndonjë shtet tjetër, meqenëse qenka mësuar të bredhë nga njëri shtet në tjetrin.

Ky është një gabim i rëndë edhe për faktin se ju u ulët në një tryezë me Qazim Turdiun, dhe ç’është më keq, në autokritikën që keni bërë me shkrim, figurën e këtij e ngrini lart, duke i vënë në dukje titujt e meritat e tij. Natyrisht, ne e dimë që ai është profesor, por nuk është anëtar partie dhe nuk ishte nevoja që t’i bënit aq elozhe, është i tillë dhe është i atillë. Ju, shoku Mehmet, duhet të mendoni gjatë e me partishmëri shumë të lartë, përse kërkonte kjo vajzë të futej në familjen tuaj, të fejohej me djalin tuaj si kryeministër?

Ju, shoku Mehmet, me sa ju njoh unë, sidomos gjatë këtyre dy viteve këtu në punë të përbashkët, ju karakterizon rrëmbimi në marrjen e vendimeve. Shpesh herë keni rënë në gabime dhe keni bërë autokritikë dhe përsëri thoni, që do të përpiqem të korrigjohem. Natyrisht ka patur disa raste që edhe në mbledhjet e Qeverisë, siç doli edhe këtu, ua keni prerë fjalën shokëve që diskutojnë, sa që në një mbledhje, mbaj mend, shoku Prokop tha: se për deri sa na thërrisni, duhet edhe të na i dëgjoni mendimet deri në fund, ndryshe mos na thirrni fare, ose në një rast tjetër, kur i folët shokut Manush, që ç’janë këto marrëzira që keni bërë, duke dhënë orientimin dhe duke porositur të studiohen problemet e kuadrit, shoku Manush, për mendimin tim, drejt e me qetësi, ju tha që: unë zbatoj vendimet e Kongresit të 7-të të Partisë, prandaj ju, shoku Mehmet, tha ai, duhet të jeni më i kujdesshëm dhe nuk e zgjati më shumë.

Shpeshherë ju, shoku Mehmet, nguteni në urdhrat që jepni, shpejtoheni pa gjykuar mirë e me kujdes problemet që dalin. Natyrisht më vonë e keni gjykuar se nuk keni vepruar mirë për mendimin që keni dhënë, por ama këtu jep porosi shoku Mehmet Shehu, nuk jep dikush tjetër, një komunist ose një kuadër i thjeshtë dhe masa, komitetet e Partisë, komitetet ekzekutive e zbatojnë atë menjëherë. Mirëpo, ka disa procese pune e disa sektorë që nuk riparohen më nga veprimi që u bëhet.

Shoku Mehmet, besoj ju kujtohet, në vitin 1980, duke dalë xhadesë kombëtare nga Kavaja, majtas ka qenë një bllok me hardhi vreshte kundër filokserese. Ju keni dhënë urdhër, që ky vresht të shkulej brenda 24 orëve. Sekretari i parë i rrethit, Mihallaq Ziçishti, së bashku me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, dhanë porosi dhe vreshti u shkul. Ju e keni studiuar këtë çështje, jeni edhe si agronom, vetë jeta ju ka futur, si të thuash edhe në problemet e bujqësisë, ashtu si edhe në problemet e tjera, por ju nuk mund t’i njihni proceset teknologjike të hardhisë, siç i di agronomi, ose proceset teknologjike të kulturës së grurit, siç i di specialisti.

Mund të dini shumë gjëra, natyrisht mbi të gjitha dini vijën e Partisë, mësimet e shokut Enver, në radhë të parë, por në specialitetet e imëta, s’mund të futeni ju, ashtu siç mund të futet një tjetër që edhe ka studiuar për këto çështje. Shoku Adil, më ngarkoi ta shoh atje vreshtin dhe fidanishten frutore, po vreshti kishte marrë fund, ndërsa fidanishten frutore, me niciativën e tyre dhe duke u frikësuar, ta themi hapur, për vetë autoritetin e shokut Mehmet…!

SHOKU ENVER HOXHA: Mos ishte një vresht afër urës më këtej Kavajës?

SHOKU MUHO ASLLANI: Jo, kur del nga qyteti i Kavajës për në Rrogozhinë, majtas, pranë trasesë së hekurudhës. Atje ka qenë një vreshtë, akoma pa shkuar te ura, do ta shkulin edhe fidanishten frutore…!

SHOKU ENVER HOXHA: I ka Mehmeti këto gjëra, i ka, ai bën me kokën e vet, sikur të jetë malli i tij, brenda 24 orëve të prishet kjo, brenda 24 orëve të prishet ajo. Nuk është e drejtë të veprohet kështu.

SHOKU MUHO ASLLANI: Ja po e shpjegoj, shoku Enver. Këtë çështje e bisedova me specialistët, u ktheva në Tiranë, i thashë shokut që unë kam mendimin se fidanishtja duhet të mbetet atje ku është. Natyrisht, shoku Mehmet, po të marrësh parimin e ruajtjes së tokës së bukës, veçanërisht të tokës fushore, në të përgjithshmen urdhri qëndronte, mirëpo fidanishtja kërkon tokë të shëndoshë, të pastër, se ajo është e ardhmja e frutikulturës, është fidani, e s’ka se si t’i mbjellim ato në tokat kodrinore e malore.

Ju bëni mirë që nuk qëndroni indiferentë, shoku Mehmet, për shumë probleme nga do që shkoni. Për mendimin tim, mirë bëni kur i fiksoni këto probleme, i shikoni me shokët e i diskutoni së bashku me ta dhe i vendosni kolegjialisht. Memorie.al

                                                            Vijon numrin e ardhshëm