TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm për Sadetin Sulën, i cili akuzohet për vrasjen e gruas së tij Suela Sula.

Ngjarja ndodhi më 18 prill në 2016 në Shkodër. 38-vjeçarja, nëna e tre fëmijëve u gjet e mbytur në tualetin e mobilerisë që kishte ajo dhe burri.

Mësohet se më 29 maj avokati mbrojtjes do të mbajë fjalën e saj, ndërsa më pas vendimi do t’i takojë Gjykatës. Biznesmeni Sadetin Sula akuzohet për “vrasje me dashje, për shkak të marrëdhënieve familjare për arsye xhelozie”. Vrasja, që u cilësua më parë si vetëvrasje, u krye nga Fatjon Karameshtna me urdhër të Sadetin Sulës. Biznesmeni i frikësohej divorcit për përgjysmimin e pasurisë dhe akuzonte bashkëshorten për tradhti.

PËRGJIMET
Përveç provave të tjera, ajo çka fundosi biznesmenin ishin edhe disa audio përgjime, ku dëgjoheshin edhe debate mes çiftit Sula në ambientet e mobilerisë. Sula e akuzonte Suelën se djalin e tretë nuk e kishte me të. Fill pas këtij debati, Suela i kërkon burrit të saj që të shkojnë në gjykata për të vërtetuar nëse fëmija ishte i tij apo jo, madje në audio dëgjohet edhe se gruaja i kërkon ndarjen. Pasi u zunë, Sadetin i merr telefonin bashkëshortes dhe e fut në xhepin e xhaketës së tij, ndërsa nuk ishte në dijeni që regjistrohej. Përgjimi është për gati 11 orë, ndërsa ka regjistruar biseda që komprometojnë të pandehurin se ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij, ngjarje që ndodhi në Shkodër.

Në audio dëgjohet dhe një bisedë që Sadetini ka bërë me Fation Karmeshtën, i cili dyshohet si ekzekutor i Suela Sulës. Teksa i ankohej për faktin se gruaja nuk i nënshtrohej, Karmeshta i thotë Sadetinit se këtë punë do ta rregullonte ai. Fationi i tha se ‘do ta nënshtroj gruan tënde duke i bërë magji’, ndërkohë që i kërkonte në këmbim para.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb