Alarmet e rreme për bomba në Prishtinë, kanë pasur efekt edhe në shtetin Helvetik. Ushtria e Zvicrës aktivizoi dy aeroplanë luftarakë për të shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve që ishte nisur nga Prishtina.

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë ka pasur alarme të shumta për vendosjen e mjeteve shpërthyese në objekte shkollore. Një alarm për bombë ishte edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.

Si pasojë e këtyre alarmeve, efekte pati edhe shteti zviceran për shkak se në kohën e alarmit në Aeroportin e Prishtinës, një aeroplan ishte duke fluturuar drejt Zyrihut.

Autoritetet zvicerane të sigurisë me të marrë njoftimin, kanë aktivizuar dy aeroplanë luftarakë të tipit F/A-18.

Aeroplanët luftarakë që janë ngritur me urgjencë për të shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve të linjës Prishtinë-Zyrih, kanë shkaktuar shqetësime të mëdha të zviceranëve.

Ata rrëfejnë për mediat vendore se kanë dëgjuar dy zhurma të mëdha supersonike, derisa kanë parë dy avionët luftarakë në një distancë jo të largët nga njëri-tjetri.

Ushtria kishte marrë alarmin rreth orës 18:50, ndërsa avionët kishin shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve i cili arriti të ulej pa probleme në Aeroportin Kloten të Zyrihut pas orës 20:00.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb