Nga: Prof. ARBEN PUTO*

Kolaboracionizmi nuk është vetëm ai që ne njohëm gjatë okupacionit italian e gjerman. Janë hedhur farat me kohë. I pari është “Grupi i Zarës. Është grupi i Mustafa Krujës. Ai ishte një intelektual me staturë. Ka mbaruar dy shkolla të mëdha: “Zosimean” në Greqi, dhe “Mylkijen” në Stamboll.
E nis me çështjen kombëtare, është një fillim i mbarë. Merr pjesë në Kuvendin e Vlorës që shpall Pavarësinë më 28 Nëntor 1912. Vë firmën në dokumentin e Pavarësisë, një firmë që ka qenë fshirë por tani dallohet qartë. Pas Luftës I Botërore është anëtar i qeverisë së Durrësit me prirje proitaliane. Bën pjesë në delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes të vitit 1919, për të mbrojtur Shqipërinë nga një copëtim i ri. Me 1924 bashkohet me Fan Nolin dhe më në fund largohet dhe vendoset në Zarë ku krijon grupin e tij me mbështetjen e Italisë.
Mustafa Kruja e identifikon veten me politikën italiane. Por nuk është vetëm politikan. Nga dokumentet italiane, nga arkivat e Ministrisë së Jashtme italiane, dhe nga ato të ushtrisë, e të institucioneve të tjera, del qartë se ai është agjent në varësi të Shërbimit të fshehtë. Ishte një treshe: Vittorio Mazzoti, Giovanni Baldacci dhe vetë Mustafa Kruja. Bëhet gurrë informacioni për refugjatët shqiptarë që shkuan në Itali pas rikthimit të Zogut në pushtet.
Në pranverë të vitit 1939 Mussolini merr vendimin për okupimin e Shqipërisë. Ciano provon të ketë mbështetjen e refugjatëve antizogistë. Për këtë ai ka krijuar një grup. Në grup thirret e bën pjesë Ernest Koliqi. Është vështirë që profili i Ernest Koliqit të vihet në një plan me atë të Mustafa Krujës. Ka një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe e në kulturë, është figurë e shquar e arsimit kombëtar. Prej vitit 1941, kur ka qenë ministër i Arsimit në qeverinë e Shefqet Vërlacit, ka bërë një punë të madhe, ka hedhur themelet e arsimit shqip në Kosovë, u hapën shumë shkolla, fillore e të mesme. Kanë shkuar në Kosovë qindra mësues nga kjo anë me tekste dhe me orenditë e nevojshme. Është shprehur mendimi se gjallërimi i shkollës shqipe ka qenë një ndër faktorët kryesorë që e mbajti Kosovën entitet kombëtar kompakt në kohën e Jugosllavisë.
Por, pa i mohuar këto vlera, është fakt se Ernest Koliqi ishte në krye të grupit që përgatiti agresionin e 7 prillit. Koliqi thërret pikërisht Mustafa Krujën për të hyrë në bisedime me emigrantët.
M. Kruja shkon në Romë më 1938. Përfaqësuesit e emigracionit, ndër ta edhe Ali Këlcyra, kanë rezerva për një operacion ushtarak për ta okupuar Shqipërinë. Pretendojnë të kenë një rol dhe marrin përsipër të organizojnë kryengritje në Shqipëri, gjë që do t’i jepte Italisë të drejtën për të ndërhyrë, në bazë të marrëveshjes së vitit 1926 që e bënte Italinë garante të statusit politiko-juridik të Shqipërisë, d.m.th. të regjimit zogist.
Nuk e kanë sensin e realitetit dhe kërkojnë që në krye të Shqipërisë së okupuar të vihej një princ nga shtëpia mbretërore e Savojës, ndërsa pushtetin do ta merrnin kryengritësit fitimtarë. As kryengritje nuk mund të bënin e as do të pranoheshin kushtet që donin t’i vinin Italisë. Koliqi u mërzit me këto negociata. Thirri M. Krujën dhe i tha se nuk mund të pritej kryengritja, aksioni do të fillojë pa lidhje me kryengritësit.
Duhet theksuar se kolaboracionizmi i kishte dyert të hapura në Shqipëri që pa filluar mirë. Zogu më 1938 mori disa ndihma që i dhanë siguri për regjimin dhe oborrin e tij. E kishte bërë Ciano-n mik personal dhe në një nga takimet i tha as më pak e as më shumë se “Po të keni vërejtje mund të bëj ndryshime në qeverinë e Koço Kotës. Me rekomandimin tuaj unë mund të vë në qeveri ata ministra që janë më afër fashizmit”. Veç asaj, duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Ciano-s i tha se çdo problem me Shqipërinë, mund të trajtohet si “çështje e brendshme e politikës italiane”.
BASHKIMI PERSONAL
Mussolini nuk donte t’i vinte agresionit emrin e okupimit të Shqipërisë. Duhej gjetur një formulë tjetër që mbulonte faktin e okupimit dhe do të jepte përshtypjen se nuk ishte prishje e pavarësisë së Shqipërisë. Ciano vendosi të legalizojë okupimin me formulën e Bashkimit personal. Në ditarin e tij, Ciano shkruan: “Kjo formulë do të shpëtojë aparencat dhe do të na japë në dorë Shqipërinë”. Pra ishte një “bashkim personal” i rremë, fiktiv.
Në 12 prill u thirr e ashtuquajtura Asamble që i dha kurorën Viktor Emanuelit. Ciano vjen vetë në Tiranë. I pëlqen pritja që i bëhet, por midis turmës vë re edhe ndonjë zonë të ftohtë, sidomos tek nxënësit e shkollave të mesme. Kishte edhe deputetë që rrudhnin buzët, por bindeshin menjëherë sapo merrnin nga Ciano zarfe me franga shqiptare.
Bashkimi personal nuk i shpëtoi aparencat e as nuk mundi të mbulonte okupimin. Në fakt Shqipëria, nuk ishte partnere në këtë bashkim, iu hoq e drejta e përfaqësimit, nuk kishte më dikaster të jashtëm, përfaqësitë diplomatike u mbyllën me gjithë protestat e Faik Konicës që u përpoq të ruante përfaqësinë në Ëashington. Përfaqësitë e huaja në Tiranë, u larguan vetëm dy ditë më vonë. Ciano do të shkruante se Shqipëria e pavarur nuk ekzistonte më. Mbretin e Italisë do ta përfaqësojë në Shqipëri mëkëmbësi i tij, Francesco Jacomoni, që mori në dorë sektorët kryesorë të aparatit shtetëror, në qendër dhe në bazë.
Kolaboracionizmi merr qeverinë. E para është ajo e Shefqet Vërlacit, e dyta dhe e vërteta është qeveria kuislinge e Mustafa Krujës, që mori në dorë stafetën në dhjetor 1941. Akti i parë është telegrami që i dërgon Mussolini-t, me falënderime e mirënjohje për krijimin e Shqipërisë së Madhe. I betohet për besnikëri të pafund ndaj rendit fashist. Fytyrën e përkryer të kuislingut, Mustafa Kruja do ta tregojë në vizitën që bëri në Romë më 1942. Ai do të prezantohet jo vetëm si politikan kolaboracionist, por edhe si ideolog fashist. Ai mban në “Campidoglio” (Senat), një ligjëratë të gjatë gati dy orë. Një hyrje pompoze, me gjuhë të pasur e të lartë: “Asht një nder dhe përgjegjësi e madhe për mue të hypi në këtë kodër fatlume, të flas në mes të foreve prej Rome Sovrane, Nanë e Mësuese, Triumfuse. Rendi i ri, dëshiri ma i flakt, i njerëzimit që vuen, mishërim dhe zbatim i një plani hyjnuer, i pregatitun dhe i lajmëruem nga njeriu providencial Benito Musolini, krijusi i qytetërimit të ri fare origjinal, i cili asht traditë dhe përnjëheri revolucion”.
Fjala e tij mbush dy faqe të gazetës “Tomorri”. Po të lexohet, e kupton se Mustafa Kruja rrënon personalitetin e tij, e ul veten, harron se ç’është, dhe i thur himne fashizmit dhe udhëheqësit providencial.
Mustafa Kruja sfidon edhe politikën ndërkombëtare. Është fjala për deklaratën që bënë tri Fuqitë e Mëdha të koalicionit antifashist ShBA, Anglia dhe BRSS më 17 dhjetor 1942 për rimëkëmbjen e Shqipërisë së pavarur pas lufte.
Disa ditë më vonë u mbajt, një mbledhje e veçantë e Këshillit të lartë Fashist, të cilën e hapi Ernest Koliqi si kreu i Këshillit të Epërm Fashist. I dha fjalën M. Krujës që mbajti atë që në shtyp (gazeta “Tomorri”) u botua me titullin “Padi krenare kundër gënjeshtrave të propagandës armike, ndaj tri fuqive me të cilat ne jemi në gjendje lufte”. Mbledhja u mbyll me një vendim të Këshillit të Epërm Fashist, “ku u shpreh vullneti i kombit me mbet shtet i lirë e sovran”, në bashkësinë perandorake të Romës.
Vetëm dy javë pas padisë, Kruja dha dorëheqjen. Ai vetë do ta shpjegonte në “Antologjinë historike” se ishte konvertuar në antifashist. Thotë se i pati vënë disa kushte Jakomonit, por ai kthehej duarbosh nga Roma. Tani e quan vendin të skllavëruar. Krahasoni fjalën e tij në “Campidoglio” me atë në “Antologjinë historike”. Në të vërtetë, ai vendosi të tërhiqej kur po shihte se Boshti kishte marrë tatëpjetën sidomos pas disfatës vendimtare të Ëermacht-it në Stalingrad. Italia nuk mbahej më dhe do të kapitullojë në shtator 1943.
*Historian
(Vijon nesër ne Gazeta Shqiptare)

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb