Prifti e studiuesi i njohur arbëresh, Papas Maoli (Emanuele) Giordano nga Frasnitë, ndërroi jetë më 17 shkurt, në spitalin e Lungros, në moshën 95 vjeçare. Më 18 shkurt u mbajt Liturgjia e Shenjtë e dritës dhe funerali, me pjesëmarrje korale të botës arbëreshe e të gjithë atyre që e njohën, vlerësuan dhe deshën shumë, duke dhënë lamtumirën me respekt të madh e një mirënjohje Hyjit, për dhuratën e madhe që ishte për të gjithë at Maoli.

Shtyllë e identitetit dhe studiues i kulturës arbëreshe, njofton Radio Vatikani, at Maoli qe një ekspert e studiues i vëmendshëm i filologjisë, letërsisë italiane e arbëresheve, është autor i shumë veprave të rëndësishme si fjalori madh “Arbëresh-italiano”, për leksikografinë arbëreshe, veprat “Gramatike Arbershe”, “Mbledhje këndimesh arbëreshe çë këndohen në Ejaninë e Frasnitë”; “Gramatikë arbëreshe”, “Vangjeli” (Ungjilli) etj.

Figurë poliedrike, papas Maoli u mor me histori, letërsi, folklor e muzikë arbëreshe liturgjike e kombëtare. Është kujdesuar për botimin kritik të veprës së shkrimtarit arbëresh Bernardo Bilotta, me titull “Shpata e Skënderbeut ndë Dibrët poshtë”, botuar nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Njohës shumë i mirë i muzikës kishtare arbëreshe, asaj të ritit bizantin, vitet e fundit Zoti Emanueli merrej me përkthimin dhe përshtatjen e muzikës liturgjike bizantine në arbërisht. Ka lënë një seri artikujsh shkencorë të botuar në të përkohshme të ndryshme si “Zjarri”, “Shejzat” etj.

Kohëve të fundit, megjithëse i lodhur prej vuajtjeve fizike shkaktuar nga sëmundja, atij nuk i mungonte kurrë buzëqeshja, fjala e ngrohtë dhe e përzemërt me këdo që takohej.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: