Kompania “Arlis Ndërtim” ka reaguar përmes një deklarate për shtyp pas zjarrit që përfshiu një pallat në Tiranë, duke shprehur solidaritet me banorët e prekur dhe duke garantuar rikthimin e plotë të objektit në gjendjen fillestare.

Në deklaratë, kompania thekson se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit dhe standardet ligjore në fuqi, pa asnjë shtesë të paautorizuar, ndërsa punimet janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente.

“Arlis Ndërtim” sqaron se për punimet e fasadës janë angazhuar kompani të specializuara dhe të regjistruara ligjërisht, të cilat kanë marrë përsipër realizimin e tyre sipas standardeve përkatëse.

Megjithëse kompania deklaron se, sipas të dhënave paraprake, nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen, ajo angazhohet që në kuadër të përgjegjësisë sociale të mbulojë shpenzimet për rindërtimin e plotë të fasadës dhe rikthimin e apartamenteve të dëmtuara në gjendjen e mëparshme.

Gjithashtu, bëhet me dije se për objektin janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, përfshirë kolaudimin dhe dorëzimin e rregullt tek banorët.

Kompania shprehet e hapur për bashkëpunim me institucionet dhe ekspertët për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke garantuar transparencë ndaj publikut dhe mbështetje për familjet e prekura.

Në përfundim, “Arlis Ndërtim” siguron se do të ndjekë me prioritet çdo hap për rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës për banorët e dëmtuar.

DEKLARATË PËR SHTYP
ARLIS NDËRTIM
Tiranë, 15.04.2026

Shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk shpreh solidaritetin e saj të plotë dhe mbështetjen e sinqertë për të gjithë banorët e dëmtuar nga ngjarja e fundit që ka prekur objektin në zonën e “Farmacia 10”. Në këto momente të vështira, jemi pranë çdo familjeje të prekur dhe ndajmë shqetësimin për pasojat e shkaktuara.

Në funksion të transparencës me opinionin publik, dëshirojmë të sqarojmë se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse, pa asnjë shtesë katësh apo devijim nga projekti i aprovuar, përveç sistemimeve anësore si janë verandat, të cilat gjithashtu janë miratuar nga organet kompetente. Të gjitha punimet janë realizuar duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit dhe sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, këto punime janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente, duke garantuar përmbushjen e të gjitha kërkesave teknike dhe ligjore.

Dëshirojmë të theksojmë gjithashtu që për të gjitha punimet e fasadës për objektin në fjalë, shoqëria ka lidhur marrëveshje respektive me shoqëri tregtare, të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilët janë zotuar dhe kanë marrë përsipër të kryejnë me përgjegjësi të plotë ligjore shërbimet e ofruara dhe të kontraktuara.

Në çdo rast shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk ka kërkuar para nënshkrimit të kontratës dhe posedon të gjitha certifikimet e materialeve sipas standardeve europiane dhe legjislacionit në fuqi, të cilat na janë vënë në dispozicion nga kontraktorët që kanë kryer këto punime.

Për objektin në fjalë është bërë kolaudimi, certifikimi dhe të gjitha procedurat ligjore prej vitit 2021, duke e dorëzuar me përpikmëri dhe në mënyrë të rregullt tek banorët, në përputhje të plotë me procedurat dhe aktet ligjore në fuqi, që konfirmon se shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj kontraktuale dhe ligjore.

Megjithatë, shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk pavarësisht se nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore, në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që kanë besuar dhe janë dëmtuar, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjitha apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit. Ky angazhim synon të kontribuojë në rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës dhe në minimizimin e pasojave të kësaj ngjarjeje.

Shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe grupet e ekspertëve për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes dhe për të garantuar transparencë të plotë ndaj të prekurve, institucioneve ligjzbatuese si dhe publikut. Njëkohësisht, ritheksojmë angazhimin tonë të vazhdueshëm për të ndërtuar me cilësi, siguri dhe përgjegjësi.

Në përfundim, duke shprehur edhe njëherë të gjithë solidaritetin tonë, sigurojmë banorët dhe opinionin publik se Shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk do të vijojë të ndjekë me prioritet maksimal çdo hap të nevojshëm për përballimin e kësaj situate dhe për rikthimin sa më të shpejtë të plotë të funksionalitetit të objektit.

Me respekt!
Shoqëria “Arlis Ndërtim”
Administratori
Xhejzi LILO

  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb