Universiteti “Luarasi” ka fituar për herë të parë në histori, konkursin e rëndësishëm mes Fakulteteve të Drejtësisë, “Moot Court Albania 2021”.

Aktiviteti i rëndësishëm për Universitetet Publike dhe Private organizohet nga Qendra Europiane në bashkëpunim me Civil Right Defenders (CRD).

Studentët Gerald Jaupi, Ada Prendi, Enisa Bundo, Iris Dajti, Stela Llozana dhe Anxhela Kokoshi të Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit “Luarasi” nën mentorimin profesional të profesorit Admir Belishta u klasifikuan në vend të parë nga një juri profesionale.

Profesori i Universitetit Luarasi, Admir Belishta ka sqaruar për Gazetën “Panorama” arritjen e rëndësishme të kësaj fitoreje nga ana e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë.

“Moot Court Albania 2021” është një konkurs që zhvillohet për vitin e tetë radhazi! Ai bazohet tek modeli i simulimit të një seancë gjyqësore, pra improvizon një seance gjyqësore si te ishte duke u zhvilluar në Gjykatën e Strasburgut. Konkurrimi zhvillohet midis te gjitha Fakulteteve të Drejtësisë, te universiteteve private dhe publike ne Shqipëri. Këtë vit ishin 12 fakultete në garë, Universiteti Luarasi shkoi në gjysme finale, në finale dhe sot u shpall fitues me një universitet tjetër rival.

Konkursi zhvillohet në Tiranë dhe fituesit do të vazhdojnë sfidën me vendet e rajonit. Këtë vit në rajon ka fituar Sarajeva dhe ajo do shkojë në Strasburg. Ndërkohë që në panelin e vlerësimit ishin 7 gjyqtarë, të cilët ishin me CV shumë të pasur. Kishte gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, anëtarë të Gjykatës së Apelit dhe pedagogë të Magjistraturës. Pra ishte një juri me eksperiencë  ata I vlerësuan në finale.  Organizatore e këtij konkursi është Qendra Europiane në bashkëpunim me Civil Right Defenders (CRD)”, tha Admir Belishta.

Universiteti Luarasi1
Universiteti Luarasi1

GARA

Profesori i Universitetit Luarasi ka treguar se:  “çdo grup përbëhet nga 6 studentë që zgjidhen nga secili fakulteti dhe një lider që udhëheq studentët. Ky është organizim i përvitshëm, Universiteti Luarasi vitin e kaluar shkuan në finale, kurse këtë vit u shpall fitues. Pas kësaj fitorje në muajin mars Universiteti Luarasi do vijojë konkursin në Beograd, ku do vijojë konkurrimin me vendet e rajonit. Universiteti Luarasi do përfaqësojë Shqipërinë në Rajon. Në garë kanë qenë Universitetet Publike dhe ato Private, në garë nuk përfaqësohet vetëm Universiteti i Tiranës, por edhe Universitetet nga e gjithë Shqipëria”, theksoi profesori i Universitetit Luarasi.

RËNDËSIA

Konkursi i rëndësishëm për Fakultetet e Drejtësisë sipas profesorit, Admir Belishta ka për qëllim aftësimin e studentëve, të cilët me gjyqet e simuluara krijojnë aftësi për të fituar argumente si të ishin në një gjyq të  organizuar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Qëllimi i këtij konkursi është që studentët të fitojnë eksperiencë, aftësi dhe argumente në lidhje me një çështje të improvizuar, si të ishte në gjykimi në Gjykatën e Strasburgut. Këtë vit u trajtua një çështje konkrete gjyqi, ku njëra palë përfaqëson interesat e shtetit dhe pala tjetër përfaqëson interesat e individit” u shpreh Profesori, Admir Belishta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: