NGA ALFRED ZENELI*
Art, fjalë magjike! Po kush e kupton? Yt vëlla, regjisori i njohur Arben Kumbaro! Ekzaktemo, Mirela Kumbaro! Për të cilin kam mirënjohje deri në vdekje, sepse më ka krijuar mundësi të hipi në skenën e Teatrit Kombëtar, në shfaqjen “Franku i Pestë”, ku më besoi rolin e Presidentit të Republikës. Më ka bërë të dridhem nga ndjenjat e mjeshtërisë së aktorit, profesioni ynë. Dhe, dua t’ju them me shkrim: shko njëherë në prova aktorësh, dhe në institucionet kombëtare, në Teatrin e Kukullave, Opera, Ansambël Kombëtar dhe në Cirk!

Në këto institucione kam përvoja (bashkëpunimi, unë si aktor). Dhe dua t’ju kujtoj që kushtet janë mjerane. Egzaktemo! Si mund të bëhet art duke u dridhur nga të ftohtët nga prishja e ndjenjave të brendshme të artistëve?! Aktorë, piktorë, regjisorë, balerinë, valltarë, këngëtarë, instrumentistë, akrobatë. Që gjendja e prishjes së ndjenjës së brendshme është armiku kryesor i artistëve! Në ministrinë tuaj kushtet janë të shkëlqyeshme (formidable), i kam parë vetë. Flitet e ç’nuk flitet për artistët! Po administrata që ngrohet nga lart-poshtë, kurse ne dridhemi?

Atëherë e kthejmë: Administrata e Artit. Ec e shiko kushtet mjerane të këtyre institucioneve. Dhe kërkoni kontrata! Si duhen bërë këto kontrata kur në Shqipërinë tonë flitet për bukën e gojës?! Heronj kanë qenë e jemi ne artistët! Kontrata kanë bërë të nderuarit Inva Mulaj, Sajmir Pirgu, Ermonela Jaho, Agim Hushi e të tjerë artistë me teatrot botërorë, ku nuk flitet për bukën e gojës nga ana e tyre. Po po, bëjnë art dhe janë krenarë si shqiptarë. Atëherë, si i thua ti kësaj?! Ku është ish-kinostudioja “Shqipëria Sot”? U shpërbë! Faji mbetet jetim!

Shteti po i përsërit prapë me institucionet kombëtare. Po si mund të jetë një shtet pa artin kombëtar të vetin, pa traditat artistike të shqiptarit?! Pa himnin kombëtar?! Vihen e hiqen titullarë të institucioneve kombëtare dhe artistët kërcënohen me heqje nga puna me pseudonimin kontratat e famshme! Vetë arti është disiplinë artistike. Po disiplinë arti e jo shkatërrim nga ana e “titullarëve të famshëm” që drejtojnë institucionet.

Detyrimet ligjore i mësojmë dhe i dimë tashmë ne që kemi nga 10 vite punë. Po ju, a i dini ku këta titullarë shkelin ligjin? E ju i mbroni. Edhe me mua Alfredin, si invalid fizik i lindur, u shkel ligji nga ana e titullarëve që ju keni emëruar. Kam punuar me pasion e dua t’ua shpërblej të gjithë atyre njerëzve që më kanë ndihmuar mua si Alfred. Jam i vetmi deri më sot që kam mbaruar arsimin e lartë për aktor, që kur është hapur ajo shkollë e deri në ditët e sotme, që nuk kam thënë kurrë “Jo” për rolet që më kanë besuar regjisorët.

Nga shumica e roleve kryesore, deri dhe në figurant kam luajtur e nuk kam thënë kurrë “Jo”. Jam veshur sipas personazheve që kam luajtur në teatër, në të nxehtë e të ftohtë, dhe kurrë nuk kam thënë “Jo”. Pasioni ne artistëve na bën të harrojmë gjithçka. Shiko në teatrot e Europës dhe të Amerikës: kushtet janë të mrekullueshme (formidable) e bëhet art. Po art me të gjitha kushtet, ku kryesorja është disiplina e artit. Ku artisti hyn i qetë, i ngrohur dhe pa kokëçarje nga titullarët e atjeshëm. Jo si këtu te ne, që vlera kanë administratat, jo artistët.

Artisti vjen i mbushur nga dita e parë e provave dhe ia rishfaq regjisorit kur bëjnë prova. E jo t’i thotë titullari “të mbaroi kontrata; s’të ngroh dot; jeni të paaftë; rol nuk ke, se dua unë kështu”. E si mund të bëhet art kështu?! Edhe me mua kështu u veprua. Po si u hidhkam në rrugë të madhe me një të shkelur të trurit?! Shqipëria, vendi im i adhuruar, ka nënshkruar konventat për njerëzit me aftësi të kufizuara, ku dhe ligji për ne është shumë i qartë. Atëherë, si u vepruaka kështu, ku nuk kam asnjë këshillim, asnjë vërejtje, asnjë paralajmërim. Apo u vunë majmunët të hanë banane dhe: hajde, bëju dhe ti Alfred majmun e ha lëvozhgën…

Jo, Mirelë, je në rrugë të çrregullt me artistët. Sepse ti nuk mund të qash në skenë, si të teatrit, ashtu edhe të filmit. Kurse artisti i vërtetë qan dhe qesh. Ku gjen ngrohtësinë shpirtërore. E kjo është më e shtrenjta e artistit. Skena, filmimet në rrugë, studio etj., gjëra që s’po i shkruaj. E flisni për kontrata fëmijësh që formulohen nga pseudo-titullarë e juristë (të paaftë). Ty nuk ta fal, se je motër artisti dhe ti asnjëherë nuk vjen të shohësh as paraardhësit e tu, si punojmë ne në këto institucione ku na thërret qameti. Jo, Mirelë, jemi njerëz, dhe unë jam njeri, Alfredi, që dola para Kryeministrisë për largimin tim nga puna.

Revoltën e kam akoma nga brenda dhe prapë do të shkruaj. Bisedo me artistët e jo me titullarët; ne jemi, e jo titullarët që harrojnë se si kanë punuar më parë. Mos luaj me bukën e tyre të gojës, ku dhe sëmundjet profesionale bëjnë punën e tyre. Si do të të vinte ty që unë ta bëja ndaj fëmijës tënd ose nipit po të ishte me aftësi të kufizuara? Jo, Mirelë, nuk do e bëja e s’kam për ta bërë këtë gjë! Nga ime më kam gjënë më të shtrenjtë, mirënjohjen, dhe e kam deri në vdekje. Kam gabuar edhe unë dhe i jam lutur Zotit të më falë, ai e di.

Po me mirënjohjen e disa njerëzve që më kanë ndihmuar, kurrë nuk do t’ua harroj deri në vdekjen time do u jem mirënjohës. Është shkruar pjesë për mua, Alfredin, e nuk po e miraton gjoja bordi artistik. Po pjesët e “famshme” që po vihen në skenë, pa pikë vlere artistike?! Jepen para nga taksapaguesit, populli, dhe asgjë interesante, pjesë komplet amatoreske. Vijnë shikuesit e vegjël me prindër në këto “gjoja shfaqje të bukura”, se i shtyn pasioni i fëmijëve për të parë shfaqje të re, dhe mbas një jave as që nuk mbushet salla më. E pse nuk mbushet? Sepse nuk kanë cilësi artistike, sepse këshilli artistik i famshëm nuk njeh profesionalizmin e “Teatrit të Kukullave”.

Vunë për 65-vjetorin e Teatrit shfaqje ruse, a thua se nuk ka autorë, skenaristë shqiptarë vendi ynë! Ka plot profesionistë. Po nuk ua japin mundësinë, sepse të aftin e përçmojnë. Që në kohën e së famshmes, Diamantit janë vendosur tri pjesë të bukura: “Arushi që nuk donte të mësonte muzikë”, autore përralle – Tatiana Sini, skenar dhe regji – Mirketa Çobani; versioni modern “Shtatë kecat dhe ujku”, skenar dhe regji – Ermira Gjata; “Kësulëkuqja”, regji – Paulo Kamentale (italian); dhe skena mbushet: i thonë që në 2005-ën që janë vënë. Vazhdojmë: “Ulërima e pyllit”, skenar dhe regji – Mirketa Çobani, më 2006-ën; “4 shokë për kokë”, skenar dhe regji Aurora Qazimi. Më pas vjen pjesa shumë e bukur, “Princesha Teutë”, po Paulo Kamentale, në kohën e Monika Lubonjës, që salla mbushet plot e përplot. A ka vend për vërejtje në këto pjesë?

Sigurisht që ka, po kryesorja është se ka art. Po pjesa e bukur “Miss Pylli”, skenar i Leonard Daliut?! Teatri ynë ka pjesë që i shkojnë shumë-shumë vite në repertor. Është specifika e tillë e Teatrit të Kukullave dhe ka emërtesën “Teatri i Kukullave”. Po ti, nga vjen e ku shkon, a e di se çfarë po bën, Mirelë? Sigurisht që nuk e di! Egzaktemo! Përse nuk u shpëton jetën këtyre institucioneve kombëtare?! Kemi të bëjmë me trupa profesionistësh e jo me qytetarë katundi të madh.

Si do të të vinte ty, që për mua i nderuari Arben Kumbaro të vijë në Teatër të Kukullave e të vendosë pjesë teatrale, n’daç me kukulla, n’daç kukull, personazh hije apo me maska, po prapë personazhi është njeri që i luan këto. Po aktor profesionist. Sigurisht që do i vinte plasje, se nuk do gjente profesionistë. E shfaqja do i dilte amatoreske dhe do i vinte plasje nga pseodo-kontratat që bën e motra ministre. Ashtu siç vjen zinxhiri nga klasa e parë e deri në mbarim të gjithë ciklit mësimor të mesëm e të lartë, ashtu është dhe profesioni ynë, që luajmë në teatrot kombëtarë. Dhe ne të rinjtë që u bëmë profesionistë fituam shumë nga aktorët më të mëdhenj në moshë, ashtu siç mësuan dhe këta nga dy brezat para tyre. Prandaj repertori ruhet, që të rinjtë kur zëvendësojnë aktorët që dalin në pension, i shohin pjesët ose dhe zëvendësojnë aktorët.

Dhe regjisorët e rinj, ku do mësojnë?! Duke mos parë shfaqje profesionistësh, si nga aktorët, ashtu dhe regjisorët e vjetër në profesion, shfaqjet u dalin bajate e pa cilësi, siç po i shohim në këto tri vitet e fundit. Shfaqjet njerëzore janë me interpretim të drejtpërdrejtë në skenë. Shfaqjet me kukulla nga lart me gropë janë me regjistrim zëri, po kështu edhe ato me maska janë me regjistrim zëri, e të tjera gjëra që s’t’i shpjegoj dot, se nuk do i kuptosh, se nuk je e profesionit tonë, ashtu siç nuk i dinë pseudo-titullarët profesionistë. Edhe unë nuk i kam ditur këto gjëra në Teatër të Kukullave, po pikërisht këtu është e bukura dhe e vështira, se mësohet profesionalizmi. Po nëse ju do ju çonin të jepni një shfaqje të bukur profesionistësh në gjuhën frënge dhe aty do gjenit një trupë me njerëz me aftësi të kufizuar, sigurisht do thoshe: “Que je vise d’enfer”, që në shqip do të thotë: “Ju pafsha në ferr”.

Kurse regjisori Sajmir Kumbaro i ka aktivizuar këta njerëz. E mirënjohura Ermira Gjata po kështu i ka aktivizuar në film. Flokëbardha Mirketa Çobani ka vendosur shfaqje me njerëz të aftësive të kufizuara, e gjithë trupa ishte me të tillë njerëz. A shkoni ndonjëherë t’i shihni këto? Sigurisht që jo! Shkoni, shkoni dhe shikoni se ç’bëjnë këta njerëz me aftësi të kufizuara. E sa për dijeninë tuaj, kam luftuar fort që teatri ku unë luaj të rimerrte emrin e humbur “Teatri i Kukullave”, dhe luftova dhe e rimora emërtesën e humbur, nga pseodo-demokratët që ishin në pushtet.

Jam i vetmi nga meshkujt aktorë që i vajta në zyrë Ferdinand Xhaferrit, ish-ministër Kulture në kohën e PD-së. As edhe një aktor nuk më shoqëroi, veçse flokëbardha aktore pensioniste Mirketa Çobani. Ia dolëm faqebardhë me Ferdinand Xhaferrin. E më pas kam shkruar në gazetë, ku i jam drejtuar Sali Berishës kryeministër haptazi, që ky teatër të marrë emërtesën e humbur. Ia kam argumentuar dhe fitova. Se sa për sindikatat, këtu ka s’ka art, sindikatë s’ka. A duhet reformë në art? Sigurisht që duhet bërë, po në favor të artistëve-heronj që punojnë në kushte çnjerëzore.

Shumë shpejt do dalë Sindikata e Artistëve me vendim gjykate sipas ligjeve, dhe po u them artistëve të bashkohen me ne në këtë sindikatë të mirë, ku do luftojmë që të fitojmë të drejtat tona e jo të na nëpërkëmbin pleshtat, e qoftë siç na kanë mashtruar këto 8 vite që kam qenë pjesë e pseudo-sindikatës ku statusi i artistit do jetë i dyti. Por pas moscenimit të vendit të punës të artistit, që do jetë detyra e parë e kësaj sindikate, me Rudi Satën në krye. Do luftoj me të gjitha rrugët ligjore, unë si Alfred, aktor me aftësi të kufizuara.

Mirela, nëse je motër artisti, bëhu palë me artistët, dhe jo me pseodo-profesionistët!
Bëhu si e mirënjohura Arta Dade, që i ka përkrahur artistët!
Bëhu si të nderuarit që më kanë përkrahur mua si invalid i lindur, si politikani, doktor Zabit Brokaj, si Blendi Klosi. Deri në vdekje u jam mirënjohës, unë, Alfred Enver Lutfie Zeneli!
Art-magji = disiplinë.
Këtë do artisti i vërtetë!
* Aktor

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: