VLORE- Kur kanë kaluar disa orë nga atentati i tipit mafioz, që i mori jetën drejtorit të OSHEE-së së Vlorës, Roland Saliu dhe biznesmenit të njohur në këtë qytet, Erven Hyseni, njëherësh pronari i televizionit privat “Vlora Channel”, policia e këtij qyteti nuk ka ende emërat e autorëve, raporton BalkanWeb.

Por siç raporton gazetari Enrik Mehmeti për BalkanWeb mësohet se për këtë ngjajre të rëndë po kryhen hetime intensive dhe se deri më tani janë shoqëruar në komisariat rreth 20 persona.

Gjatë atentatit në lokalin tek “sheshi i Flamurit” në pronësi të biznesmentit të vrarë u rrezikuan edhe persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje, mes të cilëve edhe vajza e mitur e Hysenit, e cila pak çaste para breshërisë kishte qenë në ambientet e jashtme, siç duket edhe nga biçikleta e mbetur ne vendngjarje, raporton BalkanWeb.

Gazetari Mehmeti raporton për BalkanWeb se dje janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë që policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë për të hedhur dritë mbi lëvizjet e autorëve dhe identifikimin e tyre.

Burime nga policia bëjnë të ditur se autorët pas krimit kanë kaluar nga rruga Muze për të dalë më tej drejt qytetit dhe më pas kanë dalë në autostradë ku aty kanë djegur edhe automjetin.
Screenshot001 (Drejtori i OSHEE-se, Roland Saliu)viktima-2 (biznesmeni Erven Hyseni)

NGJARJA
Mbrëmë rreth orës 19:30, persona të panjohur kanë qëlluar me kallashnikov nga një makinë në lëvizje në drejtim të lokalit “Bar Vlora”. Në momentin që atentatorët kanë mbërritur me automjetin e tyre tek “Sheshi i Flamurit”, pronari i televizionit lokal “Vlora Channel”, Erven Hyseni dhe kreu i OSHEE-së, Roland Saliu kanë qenë në të njëjtin ambient duke pirë kafe. Mësohet se Saliu, sapo ishte kthyer nga një takim elektoral dhe si duket kishte vendosur të konsumonte një kafe me mikun e tij. Pas krimit, ekzekutorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ata e kanë braktisur dhe djegur automjetin e tyre në fshatin Panaja të Vlorës dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.

HETIMET
Vrasja e dyfishtë ka alarmuar policinë e Vlorës, e cila ka “blinduar” qytetin, duke ngritur postblloqe të shumta në të gjitha rrugët e tij. Pavarësisht hetimeve, nuk është bërë i mundur identifikimi dhe vënia në pranga e autorëve të krimit. Burime pranë grupit hetimor pohuan se po hetohet në disa pista për zbardhjen e ngjarjes. Paraprakisht, dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë biznesmeni Erven Hyseni, i afërm i Akil Rakipit, njërit prej viktimave të masakrës së Çoles, që ndodhi në prill të vitit 2015. Një nga pistat që po hetohet është edhe e shkuara e 40-vjeçarit, veçanërisht gjatë kohës që jetonte jashtë Shqipërisë, por po hetohet edhe pozicioni i tij si drejtues televizioni. Por, nuk përjashtohet mundësia që atentati të ketë ndodhur për shkak të detyrës së Roland Saliut, i cili mbante postin e drejtorit të OSHEE-së që prej dy vitesh. Policia dhe prokuroria e Vlorës po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

GJENDET MAKINA E AUTOREVE
Policia e Vlorës bën me dije se në afërsi të Panajasë, pranë mbikalimit, është konstatuar një mjet tip “BMW” me targë AA 348 PC, i cili kishte marrë flakë.

Për shkak të ndërhyrjes së zjarrfikëses është bërë e mundur shuarja e flakëve të zjarrit dhe për pasojë mjeti është dëmtuar pjesërisht. Dyshohet se mund të ketë lidhje me vrasjen. Blutë po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb