*Tom Doshi dhe Mark Frroku përballen në prokurori-
 *Deputeti Frroku, teksa po hipte makinen e tij tha se “i qendrova deklaratave te dhena me pare”-

Doshi: S’jap komente për arsye të hetimit

TIRANE – Deputeti Tom Doshi dhe kolegu i tij Mark Frroku u përballen të dy sot përpara prokurorëve të Krimeve të Rënda, lidhur me deklaratat e tyre kontradiktore për të ashtuquajturën çështja “Doshi”. Burime nga Prokuroria thonë se përballja mes tyre i kaloi tonet normale, duke shkuar deri në konfliktim. Mësohet se të dy i kanë qendruar fort versionit të tyre, ndërsa Prokuroria pritet që të kërkojë zbardhjen e tabulateve telefonike, për të vërtetuar nëse ka qënë apo jo Frroku ai që njoftoi Doshin, për ekzistencën e një komploti, me qëllim eliminimin e tij dhe deputetit të PD-së Mhill Fufi.

Prokuroria ndërkaq pritet të sekuestrojë edhe kamerat e sigurisë së një hoteli në Tiranë, aty ku Doshi pretendon se ka takuar Frrokun. Ndërkaq, pritet të thirren për të dëshmuar edhe personat që janë përmenduar në videon 37 minutëshe të bërë publike nga deputeti Tom Doshi.

Deputeti Mark Frroku mbërriti ne organin e akuzes rreth ores 11:40 te se henes, ndersa ne oren 11:55 u paraqit dhe deputeti Tom Doshi. Deputeti Doshi mbërriti në prokurori nën masa të forta sigurie dhe hyri nga dera e pasme e institucionit.

Pas daljes nga prokuroria, Mark Frroku i qëndroi deklaratës së mëparshme duke e përgënjeshtruar sërish kolegun Doshi. Frroku shprehet se nuk ka dijeni për deklaratat e Tom Doshit mbi atentate për vrasje deputetësh. Mark Frroku la në orën 13:50 minuta institucionin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ku për 1 orë e 55 minuta është ballafaquar me deputetin Tom Doshi mbi deklaraten e ketij te fundit ku është shprehur se Frroku e ka vënë i pari në dijeni për atentatin për vrasje. Sipas Doshit, planin për vrasjen e tij nga Durim Bami e kishte marrë vesh fillimisht nga Mark Frroku. Ndërsa mësohet se Doshi ka dëshmuar edhe për 1 orë e 20 minuta, pas ballafaqimit me Frrokun. Doshi i ka qëndruar versionit të tij se ka qënë Frroku ai që e ka vënë në dijeni për komplotin e vrasjes.

As Frroku dhe as Doshi nuk pranuan të komentojë për mediat që prisnin jashtë kangjellave të prokurorisë. Frroku zgjodhi të futet në automjetin e tij qe e priste para dyerve te Prokurorise dhe të largohet në heshtje. Teksa po hipte ne makinen e tij u shpreh se “i qendrova deklaratave te dhena me pare”.

Jashtë kamerave, privatisht Frroku pohon se në dëshminë e tij theksoi qe ‘nuk ka dëgjuar biseda për vrasje. Nuk kam dijeni mbi ato që pretendon Tom Doshi”.

“Unë kam dëshmuar dhe do të dëshmoj vetëm të vërtetën. Kjo është e vërteta ime. Nuk e di pse Tom Doshi përfshiu emrin tim në këtë çështje, pasi unë nuk kam pasur asnjë lidhje dhe asnjë dijeni rreth saj. Nuk e di se përse kolegu Doshi e bëri këtë histori dhe se nga kush është mbështetur, por unë e them me pastërti se nuk kam asnjë lidhje me të. Kjo është e vërteta ime dhe këtë do ta them në çdo ambient sa herë të më kërkohet”.

Pak para Frrokut, ambientet e prokurorisë i la dhe avokati i Durim Bamit, Ilir Murati. Edhe ky i fundit nuk pranoi të bëjë deklarime mbi cfarë u dëshmua sot para prokurorëve.

Ndërsa Doshi ishte i fundit që la ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u largua nga dera e pasme, pa dashur të kometojë për mediat. “S’kam asnjë koment, nuk jap shpjegime për arsye hetimi”.

Në fletë thirrjet e firmosura nga kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Adnan Xholi, theksohej se në rast të mosparaqitjes së deputetëve, do të urdhërohej shoqërimi i detyrueshëm i tyre.
“Balkanweb” siguroi urdhrat e thirrjes, që mbërriten zyrtarisht në duart e deputetëve Doshi dhe Frroku. Ajo që bie në sy është fakti se prokuroria i ka thirrur deputetët për të dëshmuar në të njëjtën datë dhe orë, të hënën në 12:00.

Emri i deputetit Mark Frroku u përfshi në çështjen e ‘atentatit’ nga vetë Tom Doshi, i cili tha se kishte qenë pikërisht Frroku ai që e kishte vendosur në kontakt me Durim Bamin, personin e penduar, që ishte ngarkuar të kryente atentatin ndaj tij. Por në deklaratën e tij në prokurori, Mark Frroku përgënjeshtroi Doshin, duke thënë se nuk kishte dijeni për atentatin.

mandat tom doshi i
mandat mark frroku
THIRRJA PER BERISHEN
Ndërkohë një ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda i dërgoi zyrtarisht ftesën për paraqitje ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me çështjen “Doshi”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës, të cilat thanë se ftesa i është dërguar në Kuvend. Sipas ftesës për paraqitje, ish-kreu i qeverisë shqiptare duhet të paraqitet në prokurori, në orën 09:00 të mëngjesit të së hënës, datë 9 mars 2015.
Një ditë më parë ish-kryeministri tha për mediat se nuk i kishte mbërritur ende asnjë fletëthirrje, por nëse do ndodhte, ai ishte i gatshëm të paraqitej. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, deputeti i PD-së, Berisha nuk ka konfirmuar paraqitjen përpara grupit hetimor, që po heton për një komplot të mundshëm për vrasjen e deputetit të PS-së, Tom Doshi dhe atij të PD-së, Mhill Fufi. Skenari për vrasje u zbulua nga vetë ligjvënësi socialist, Tom Doshi. Ndërsa, sa i përket z.Berishës, ftesa për të dhënë dëshmi u firmos pas deklaratave të forta që bëri në seancën plenare të datës 5 mars 2015.

(d.b/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb