Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje opozitës që të bashkohet me mazhorancën dhe të punojnë për integrimin e vendit në BE.

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, ai i është drejtuar kreut të PD Sali Berisha, i cili foli para tij në seancë: Mos hidhni më baltë mbi Shqipërinë, nuk e keni vend armik!

Ai ka shtuar se procesi ndryshe nga sa po përpiqet opozita ta paraqesë, po ecën ashtu siç duhet.

“Në Kuvend ka mbërritur raporti i qeverisë për integrimin në BE bashkuar raportin e 3 muajve të parë të 2026. Ajo që duhet t’ua themi me krenari shqiptarëve nuk është shpresa apo mallkimet e atyre që thonë çdo ditë që negociatat ngecën dhe Shqipëria është bllokuar. Është fakt nga BE që Shqipëria sot ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit, piketat e ndërmjetme gjithashtu. Ka një procedurë që nga komisioni kalon te këshilli dhe më pas në shtete anëtare.
Kallas tha se Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të bëhen gati për zgjedhjet europiane në 2029. Ky është fakt. Në lidhje me haberet që the, ne e dimë mirë çfarë është ajo që bëni ju, hiqni dorë nga balta që i hidhni Shqipërisë, nuk e keni vend armik, jeni pjesë e pa zëvendësueshme e demokracisë, nuk e zgjedhim dot njëri-tjetrin, por është koha të bashkohemi. Nuk ju bën nder aspak të shani nga mëngjesi në darkë Shqipërinë. Lexoni raportin që do të miratohet nga BE më 5 maj ku bëhet thirrje të punojmë bashkë. Merrni përgjegjësitë që ju takojnë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb