KURBIN- Bllokohen punimet e montimit të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë-Prishtinë. Bllokimi i punimeve është bërë nga banorët në fshatin Zhej të Kurbinit, pasi mbi kokat e tyre kalon linja e tensionit të lartë dhe ata thonë se kanë pësuar dëmtim të shëndetit të tyre dhe të fëmijëve.

Familja Balozi banon në një prej shtëpive në fshatin Zhej të Kurbinit ku kalon linja  interkonjeksionit. Të alarmuar nga kjo situatë ata kanë bllokuar këtë hënë punimet e firmës boshnjake që po kryen montimin e linjës. Ndue Balozi thotë se në këtë fshat janë të rrezikuar për jetën të gjitha familjet që jetojnë aty dhe se problemet shëndetësore janë të shumta.

Në vitin 2009 kur po ndërtohej linja Tiranë-Podgoricë, ata thonë se ju premtua se do merrnim dëmshpërblim, pasi edhe tokat ju dëmtuan, por në fakt sapo mbaroi linja nuk u kujtua askush, e tashmë ata përballen me ndërtimin e linjës tjëtër. Ndue Balozi i është drejtuar edhe një avokati për këtë situatë.

Kjo nuk është hera e parë që firma nga Bosnja që kryen punimet bllokohet nga banorët. Por kjo e fundit ka thirrur në ndihmë policinë e Kurbinit e cila ka shoqëruar për disa orë gjithë familjen e Ndue Balozit së bashku me fëmijët. Në disa raste të tjera policia ka qëndruar gjatë gjithë ditës në vendin ku kryhen punimet për të siguruar vazhdimin e tyre.

Ndërkohë përgjegjësi i firmës nga Bosnja thotë se ka fituar këtë tender dhe ka marrë leje për kryerjen e punimeve nga Shkodra deri në Kamzë.

Banorët thonë se për këtë çështje ju janë drejtuar edhe institucioneve shtetërore si OST, deri tek kryeministri Rama por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb