NGA: MIRSAD RAKAJ* Kontrollet e ushtru ara nga blutë e Shko drës në lokale dhe disa banesa të fshatit Postribë kanë pasuar me reagimin e ashpër të banorëve. Ata deklaruan se Policia e Shtetit ka ushtruar terror në prag të zgjedhjeve vendore, pasi janë simpatizantë të Partisë Demokratike. Sipas banorëve, efektivët e policisë kanë hyrë në banesat e tyre pa mandat kontrolli. 73-vjeçari Osman Shabaj, njëri prej banorëve të Postribës, dje pohoi për “Gazeta Shqiptare” se policët kanë ushtruar dhunë psikologjike te familja e tij.

“Ishte ora 14:00, kur tri automjete policie mbërritën përpara shtëpisë sime. Unë po kthehesha nga ara pasi mbarova punë, kur pashë rreth 15 policë duke hyrë në banesë. I pyeta se çfarë kërkonin dhe a kishin mandat kontrolli. Ndërsa, ata m’u përgjigjën se ‘kemi urdhër për të bërë kontroll’ pa treguar arsyen. Pasi e bënë shtëpinë rrëmujë, u larguan dhe shkuan në lokalin e vëllait tim, ku dhe aty ushtruan kontroll”, – tha Shabaj.

Ndërkohë, ai u shpreh se “policia nuk na gjeti asgjë, pasi ne jemi njerëz të qetë dhe pa probleme, përveçse fisi ynë njihet si përkrahës ndër vite i Partisë Demokratike. Qëllimi i Policisë së Shtetit është që të na dëmtojnë dhe na përdhosin, gjë që nuk kanë për t’ia arritur kurrë. Me gjithë presionet që policia na bën në çdo fushatë elektorale, ne nuk i trembemi kësaj gjëje”. Osman Shabaj është vëllai i kryetarit aktual të komunës Postribë, Faz Shabaj. Fisi Shabaj njihet si përkrahës dhe simpatizant i flaktë i PD-së, ndaj banorë dhe të afërm të kreut të komunës mendojnë se kontrollet e policisë lidhen me presionet politike.

REAGIMI
Lidhur me kontrollet e bëra në fshatin Postribë ka reaguar edhe Partia Demokratike, dega Shkodër, përmes nënkryetarit të saj, Bujar Hoti. Sipas Hotit, policia po ushtron dhunë dhe terror me qëllimin e vetëm se zona e Postribës njihet si bastion i PD-së. “Të mos mendojnë se me këto presione policia arrin të përçajë banorët dhe përmes terrorit të ngjallë frikë. U them banorëve të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve që po bën dyshja Rama-Meta”, – tha Hoti.

Nga ana tjetër, Policia e Shkodrës i ka përgënjeshtruar këto akuza. Të kontaktuar nga “GSH”, drejtues të policisë së këtij qarku bënë me dije se banorët e Postribës po e shfrytëzojnë këtë gjë për arsye politike, duke pasur parasysh se jemi në prag zgjedhjesh. Sipas bluve, kontrollet janë bërë me urdhër të drejtorit të policisë së qarkut, pasi në sallën operative kishin mbërritur informacione për disa persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale dhe se rasti në fjalë s’ka të bëjë fare me politikën.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: