TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka takuar sekretarët dhe kryetarët e degëve në selinë e PD.

Gazetari Osman Stafa raporton për “Balkanweb” se në mbledhje po bëhet analiza e zgjedhjeve.

Ky takim vjen pas zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill. Gjithashtu, në takim pritet të diskutohet edhe për zërat kritikë ndaj liderit Basha, pas fitores së zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste.

Një sërë eksponentësh brenda PD-së kanë kërkuar që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha të japë dorëheqjen nga posti, pasi ka humbur zgjedhjet. Ndërsa, degët e rretheve të PD-së kanë mbajtur qëndrim, duke u shprehur se Basha arriti që të shtojë votat e PD-së, edhe pse maxhoranca ka rritur represionin mbi opozitën.

Mësohet se Basha ka thënë në takim se zgjedhjet e 25 prillit kanë qenë jo të lira e jo të ndershme dhe nuk janë plotësuar standardet që ka kërkuar BE-ja.

Basha ka thënë se PS ka përdorur edhe institucionet shtetërore për të manipuluar zgjedhjet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: