TIRANË

Me sloganin “Zgjedhim te ardhmen”, Lulzim Basha mblodhi këtë të shtunë Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive që lindën në radhët e saj, lidhur me përjashtimin e ish-kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i shpallur “non grata” nga SHBA.

Kuvendi i Partisë Demokratike u mbajt një javë pasi ish kryetari Sali Berisha me mbeshtetes te tij mbajtën një tjetër Kuvend, ku deklaruan se kanë shkarkuar kryetarin aktual Lulzim Basha dhe zëvendësit e tij. Partia Demokratike ka hedhur poshtë si antistatutore te gjitha hapat e ndërmarra në kuvendin e thirrur në stadiumin “Air Albania” një javë më pare.

Ndërkohë diplomatët amerikanë kanë deklaruar se ata nuk do të komunikojnë me PD, nëse aty do të kthehet një person me non grata, se ata nuk do të takohen me persona që kanë këtë përcaktim nga SHBA-të dhe se në gjithë historinë e këtyre përcaktimeve për rreth 200 persona asnjë prej nuk është anuluar.

Teksa u prit me ovacione dhe thirrje të emrit të tij, Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi nga Kuvendi Kombëtar se sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës sepse e vërteta është e vetmja rrugë për çlirimin e demokracisë. Pasi falënderoi pjesëmarrësit, Basha tha se vendimet e Kuvendit i presin demokratët dhe Shqipëria.

“Të dashur delegate dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar të PDSH, zonja dhe zotërinj, deputete dhe deputetë të PD, anëtarë të Këshillit Kombëtar, kryetar dhe anëtarë të PD, përfaqësues të FRPD, zemrës së PD-së, zonja të LDG-së mirë se erdhët në Kuvendin Kombëtar të PD-së. Falënderim nga zemra për tre parafolësit, dhjetoristët dhe themeluesin Rexhep Uka. E nis me një falënderim nga zemra për të gjithë organizatorët që bënë të mundur në një kohë të shkurtër konvokimin e Kuvendit Kombëtar.

Dua të shpreh kënaqësinë tek ju shoh të gjithëve bashkë në një ditë kur kemi shumë për të thënë ndahet duhet dhe durim, mirëkuptim dhe për ata që kanë pasur kaq shumë për të thënë por nuk iu është dhënë koha dhe vendi, për të tjerët që do flasin më pas dhe kur të flasim me votë për të marrë vendimet që presin demokratët, Shqipëria. Nuk jemi mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit, as kryetarit. jemi mbledhur për të thënë të vërteta të cilat kemi kohë pa i shqiptuar. E di që shumë mezi presin të dëgjojnë. Sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës sepse e vërteta është e vetmja rrugë për çlirimin e demokracisë”, deklaroi Basha.

Ora 14:17 – Nga rezoluta e 12 dhjetorit, tek moslejimi i personave non-grata në funksione drejtuese, ja vendimet që mori Kuvendi

Kryetari i Komisionit të Kuvendit Kombëtar të PD-së Jemin Gjana kërkoi që emrat e 5004 delegatëve të pranishëm të bëhen publikë ditën e nesërme më 19 dhjetor.

Ndërkohë ai ka anoncuar 4 vendimet që do të shtrohen sot për votim, të cilat u votuan nga delegatët. Bëhet fjalë për miratimin e rezolutës së 12 dhjetorit, iniciativën për dekomunistizimin, mos vendosjen në funksione drejtuese të personave të shpallur non grata nga SHBA si dhe krijimin e një strukture statutore të Aleancës qytetare për Demokracinë. Vendimet e miratuara në Kuvend

1- Shpallja non grata nga SHBA është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në PD;

2- Të mbështesë fuqimisht iniciativën për dekomunistizimin.

3- për një ndryshim nën nenin 58 të PD-së, për të shtuar tek ky nen, një nen që ka të bëjë me krijimin si një strukturë statutore të Aleancës qytetare për Demokracinë.

4-  Të krijohet Aleanca Qytetare për Demokraci e përbërë nga intelektualët

Ora 14:02 – Jemin Gjana zbulon shifrën: Në Kuvendin Kombëtar të PD morën pjesë 5004 delegatë, nga 7600 në total

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të thirrur nga Lulzim Basha kanë marrë pjesë zyrtarisht 5004 delegatë. Shifra është zbuluar nga Kryetari i Komisionit të Kuvendit Kombëtar të PD, Jemin Gjana, referuar të dhënave zyrtare nga 14 komisionet e verifikimit të mandateve të delegatëve të Kuvendit.

“Në emër të kolegëve për besimin që na dhatë për drejtimin e Kuvendit, së pari dua ta nis me një ndjesë, për të gjithë për vonesën në fillimin e punimeve, e cila ishte rrjedhojë e procesit të zgjatur të regjistrimit të delegatëve. Së dyti dua t’ju falënderoj sepse shumë nga ju kam takuar qindra dhe qindra para se të fillonim dhe tani kam një sallë të mbushur, me fytyra, me emra e identiteti të cilët kanë udhëtuar 30 vite për PD-në dhe PD për ta. Unë di siç e dini ju, linçimet, decibaot, nuk na janë ndarë. Por dua të bëj me dije se të dhënat konfirmojnë se ne kemi shumicën dërrmuese të delegatëve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ora 12:59 – Ish-ministri i tij i kujton Sali Berishës rënien e Gorbaçov: Kambana bie për ata që kanë veshë! Kur të arrijmë ne të rregullojmë SHBA, edhe planeti…!

Ish-themeluesi i PD dhe ish-ministri i Bujqësisë në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, Rexhep Uka, i ka përcjellë një mesazh të fortë ish-kryeministrit, nga Kuvendi Kombëtar i PD.

Rexhep Uka ka kujtuar kohën kur Mihail Gorbaçov tentoi të bëjë një epokë të dytë në Rusi, por dështoi, pasi sipas tij, nga 70 milionë votues që kishte në fillim, mori vetëm 0.2%. Më tej, duke u ndalur te beteja që Sali Berisha ka nisur me SHBA, Uka deklaroi se kur ne të arrijmë të rregullojmë Amerikën, edhe planetit do ja ndryshojmë emrin.

Ora 12:30 – Ish-studentja e Dhjetorit: Qëllimi ynë të mos lejojmë copëtimin e PD-së, të mos lejojmë përçarjen e saj. Kam zgjedhur të jem me institucionin PD

Në Kuvendin Kombëtar të PD-së ka ardhur zëri edhe ish-studentëve të dhjetorit. Arta Sakja, një prej tyre tha se brenda PD-së nuk ka pse të ketë betejë, por reflektim. Ajo theksoi se qëllimi është që të mos lejohet copëtimi i PD-së dhe as përçarja.

“Jam në PD nga dhjetori i 1990 sikundër pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të mi, studentë që u ngritën kundër diktaturës. Që nga ai moment e deri sot jam rreshtua me PD sikurse shumë prej jush në ditë të mira e të vështira. Studentët e dhjetorit i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin me idealizëm të pastër që edhe pse u përdor dhe keqpërdor nga të tjerë nuk u zbeh kurrë.

Djem e vajza studentë të dhjetorit të shpërndarë në gjithë botën mirëpritën në PD burra e gra të tjerë. Ne besojmë tek rinia, tek ndryshimi dhe fryma e re që rinia sjell gjithmonë. I pranuam sepse ne menduam gjithmonë veten si misionarë të përcjelljes së stafetës për më shumë liri, më shumë demokraci.

Europa për ne ishte thirrje për të përqafuar të renë, për të përqafuar të ndryshmen, thirrje për të shkulur mendësinë komuniste. Ne, ADN-ja e PD nuk i ikëm asaj as kur na nominuan, as kur na spostuan. Demokratë që para 11 dhjetorit, të tillë do të mbetemi dhe pas tij. Në dhjetorin e vitit 1990 studentët ishin 20-vjeçarë, kurajozë, optimistë e ëndërrimtar. Në këtë dhjetor mbajmë mbi supe gjysmë shekulli”, deklaroi Sakja.

Ora 12:46 – “Sot dukemi si dy krena të një trupi! Basha godet me mesazhin e ish-themeluesit të PD, Rexhep Uka kujton SMS-të që SHBA solli më ’90-ën: Premtimi i demokracisë, jeta e liria!

Një ndër themeluesit e PD dhe ish-ministri i Bujqësisë, Rexhep Uka, ka dhënë një mesazh ndryshe dhe të goditur në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Në fjalën e tij, ish-ministri Uka ka kujtuar mënyrën si u ngrit PD në vitet e errëta ’90 për të rrëzuar komunizmin. Sipas Ukës, rrëzimi i komunizmit ishte i vështirë, por akoma më vështirë ishte demokracia, pasi ishte një rrugë e panjohur.

Lidhur me këtë, Rexhep Uka risolli në vëmendje disa nga mesazhet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu sollën studentëve të 1990-ës për demokracinë.

“Kam mbi një dekadë që kam grumbulluar disa minuta më tepër për t’iu thënë diçka. Pavarësisht motivit të këtij Kuvendi, mendoj se do të jetë një hap, një stacion më i lartë për të çuar me tej demokracinë tonë të brishtë. Shqiponja me dy krena nuk e ka fajin, sepse edhe ne po dukemi sikur jemi dy krena të një trupi. Boll me qenë e fortë si ajo e të mirat vijnë pas. Se do zgjidhim diçka e gjithçka sot, utopi. Se për çka kemi nevojë për t’u shëndetësuar politikisht, për të qenë aty ku na thërret koha e misioni, nuk dalim nga dera pa e thënë.

A mund të ketë ndonjë mosmirënjohës, sado opozitar, që të mohojë rolin e PD? Nuk e besoj. Ne do t’i detyrohemi brez pas brezi qytetarisë. Të përjetshëm do mbeten në kujtesën e popullit martirët, ata që dhanë më të shtrenjtën, sublimen, jetën e tyre. Për herë të parë në jetë ishim të çliruar nga censura. Gatishmëria për të rrëzuar komunizmin ishte deklamative, por sfida e demokracisë ishte e panjohur. Të vetmen politikë që dinim ishte rrëzimi një orë e më parë i komunizmit. Me gatishmëri e dashuri kozmike, nga SHBA arritën ndihmat e para. Ata kishin kuptuar nevojën urgjente si të flisnim për demokracinë. Jehona ishte e paparashikueshme. Faleminderit Amerikë!

Po ju lexoj disa prej atyre mesazheve: “Demokracia në vetvete nuk garanton asgjë. Ajo paraqet mundësinë për të fituar, por edhe rrezikun për të dështuar. Premtimi që bën demokracia është jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Demokracia është premtim dhe sfidë. Qeveria e popullit dhe nga populli do të thotë se shtetasit e një shoqërie demokratike ndajnë me të të mirat e të këqijat. Në çdo shoqëri e në çdo brez njerëzit duhet të fillojnë rishtas veprën e demokracisë, duke marrë parimet e së kaluarës dhe duke i zbatuar ato në epokën e re”.

Gabimet politike nuk mund të zhvillohen jashtë një klime pehazhi dhe terruari të caktuar. Këtë habitat e krijojnë njerëzit, politikbërësit. Rruga më e sigurt e humbjes së pushtetit është sulja drejt tij. Nëse asnjëherë nuk ke pasur kurajën për t’u prononcuar, sot dihet pozicionimi i tij, por besueshmëria bie. Të heshtësh, kur sheh se demokracia shteron para syve të tu, kur ligji ndryshon sipas dëshirës së shefit, besoj se pasojat nuk i kemi provuar ne të parët”, tha ish-ministri demokrat, Rexhep Uka.

Ora 12:21 – “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”/ Studenti i dhjetorit ’90 i drejtohet Bashës: Ne kishim një ëndërr sot duhet ta bëjmë realitet me ndihmën e SHBA dhe BE. Sot ju keni radhën ta kryeni këtë mision

Ish-studenti i dhjetorit 1990, Ilir Dizdari u shpreh në Kuvendin Kombëtar të PD, se entuziazmi i demokratëve në sallë sot i ngjan dhjetorit 1990.

“Me kaloi si pasqyrë lëvizja studentore shqiptare me dy kulminacione 8 dhjetori 1990 dhe formimi i të parës parti opozitare në Shqipëri, PD-së. dhe lëvizja e shkurtit 1991, lufta kundër kultit të individit që na është rishfaqur këto ditët e fundit dhe është bërë problem në shoqërinë shqiptare. është dita të theksojmë sot çfarë kërkuam në studentët, me parullat Liri demokraci dhe E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Në thelb ajo që kërkuam ne, ishin liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kërkuam të drejtën për jetën, për fjalën e lirë, ekonominë e lirë të tregut, bashkimin kombëtar lirinë fetare dhe besimin në Zot. Çfarë porosish lamë ne: Ta duam Shqipërinë dhe të jemi mbivetjak, busulla orientuese dhe timoni i partisë në cdo kohë duhet të jetë në drejtimin e SHBA dhe BE. Kërkuam qëndrimin larg të kultit të individit, sot kemi të njëjtat detyra për të çuar në vend amanetin e atyre që sot janë baballarë gjyshër apo atyre që nuk jetojnë më. Pas lëvizjes së dhjetorit, kujtoj me respekt grupin e parë të PD, më 22 mars 1992. Bëj sot bilancin e më rezulton se ata u larguan u përzunë, dhe Shqipëria po rikthehet në kultin e individit. Ringritja e demokracisë nis me ndryshimet kushtetuese që Basha ka marrë përsipër t’i bëjë. Ne duhet të riparojmë shtyllat e PD. Ne kemi historinë tonë 30-vjecare, që duhet ta përforcojmë. E dyta, pronarët dhe elita patriotike shqiptare, 3- të përndjekurit politikë 4- strukturimi përfaqësues fetar në kuota të barazvlerësuara 5- prurjet e reja dhe rinia që të rrijë në Shqipëri e të kthehet në forcë për zhvillimin.

Ne kishim një ëndërr sot duhet ta bëjmë realitet me ndihmën e SHBA dhe BE. Ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Sot ju keni radhën ta kryeni këtë mision, merreni dhe drejtojeni me nder.”- u shpreh Dizdari.

Ora 12:06 – Vendimi i parë, miratohet komisioni për Kuvendin Kombëtar të PD, ja kryetari dhe anëtarët

Kuvendi i PD ka miratuar vendimin e parë. Bëhet fjalë për ngritjen e komisionit të Kuvendit, i cili do të drejtohet nga Jemin Gjana. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, prezantoi emrat teksa tha se nuk mund ta fshehë gëzimin për pjesëmarrjen.

Ora 11:50 – “Ju mirëpres në Kuvend”, Basha lë selinë e PD dhe i drejtohet Pallatit të Kongreseve

Rreth orës 11:50 kreu i PD-së Lulzim Basha ka lënë selinë e PD dhe i është drejtuar Pallatit të Kongreseve. Kërkesës për një prononcim nga gazetarët, Basha iu përgjigj duke i ftuar në Kuved. “Ju mirëpres në Kuvend”, përsëriti Basha.

Komisioni Jemin Gjana, kryetar – Gazment Bardhi, anëtar – Grida Duma, anëtare – Enkelejd Alibeaj, anëtar – Flutura Açka, anëtare.

RENDI I DITËS
Mbledhja e ditës së sotme pritet të jetë e gjatë, ku do të ketë edhe vendimmarrje për ndryshimin e Statutit të PD-së.

“Vendimmarrje mbi situatën politike, si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD-së, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD-së dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

Miratimin e aksionit politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar, ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit, kryesisht nga të rinjtë.

Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektit ‘Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri’”, thuhet në rendin e ditës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb