LIBRAZHD

Tragjedia që ndodhi mëngjesin e të premtes në fshatin Xhyrë në Njësinë Administrative Hotolisht të Librazhdit, ku çifti i sapomartuar Olsi Hajdari dhe Rezarta Hajdari u gjetën në gjendje kritike për jetën vazhdon të mbetet e mbuluar me mister.


Çifti Hajdari dyshohet se ka tentuar t’i jepte fund jetës, në rrethana që as familjarët nuk janë në gjendje t’i orientojnë oficerët e policisë gjyqësore. Çifti është gjetur në dhomë në gjendje kritike nga Dilaver dhe Bukurie Hajdari, prindërit e dhëndrit. Ato kanë njoftuar menjëherë infermieren e fshatit dhe policinë.


Çifti është transportuar me urgjencë për në spitalin e Librazhdit, ndërsa 19-vjeçarja nuk mundi dot që të mbijetonte, duke ndërruar jetë rrugës.


Ndërkaq 27-vjeçari Olsi Hajdari është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin e Librazhdit dhe më pas në Elbasan. Sipas mjekëve ai është i intoksikuar nga një lloj medikamenti helmues, i papërcaktuar ende dhe shpresohet të kalojë rrezikun për jetën.

Misteri mbetet mbi arsyet që kanë shtyrë të rinjtë drejt këtij akti fatal, ndërkohë që ishin martuar vetëm 5 ditë më parë. Vëllai i Rezartës është ai që ka vënë kujën kur mbërriti në spitalin e Elbasanit. Ai hedh dyshime të forta mbi ngjarjen, teksa kërkon që të gjejë vrasësit e motrës së tij.

“Oh Zot, kush ta bëri të keqen ty, oh Zot! Kush qe ai dorëmallkuar që ta bëri këtë, kush qe?! Ku janë të iki ti vras, t’i shuaj të gjithë”, janë disa nga thirrjet rrëqethëse të vëllait të 19-vjeçares.

Fqinjët e familjes Hajdari tregojnë se dasma e tyre 5 ditë më parë ishte e shkëlqyer dhe se nuk ishin në dijeni të ndonjë problemi. Ata kanë rrëfyer për “BalkanWeb” se nëna e ka hapur derën me forcë dhe e ka gjetur të birin me shkumë në buzë.

“S’dimë çfarë të themi, nuk kanë pasur ndonjë problem ekonomik, kanë bërë dasmë të shkëlqyeshme. Olsi punonte në emigracion, vajza papunë dhe kishin dy muaj që kishte ardhur nga Greqia. E ëma e tij e ka hapur derën me forcë dhe e ka gjetur të birin me shkumë në buzë, ndërsa nusen e ka gjetur gjysmë të vdekur”, treguan ata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb