TIRANE- Lufta kundër krimit e korrupsioni, Reforma në Drejtësi, si dhe ajo Zgjedhore, sipas ish-Kryeministrit Sali Berisha janë pengesat për hapjen e negociatave me Shqipërinë, teksa një javë na ndan nga vendimi i Brukselit.

“Gjermania ka vendosur një dekalog kushtesh për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Parlamenti holandez me një term ushtarak urdhëron qeverinë e tij që të bllokojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Franca është absolutisht e prerë me qëndrimin e saj, është kundër hapjes së negociatave “

“Aldo Bare qëroi prokurorin e vet që kërkoi dënim përjetë kundrejt 300 mijë eurove që i çoi Edi Ramës. Në këtë mënyrë Edi Rama ka përkeqësuar kushtet dhe këto mesazhe janë të qarta nga Franca e Holanda. Janë të qarta se me Ramën për herë të tretë bllokohet hapja e negociatave me BE-në’, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha në intervistë për TvKlan.

I prerë është edhe për çështjen e emigrantëve, pas të cilës thonë se fshihen interesa të mafias në trafikun e qenieve njerëzore.

“Shqiptarët nuk mund të pranojnë që të shndërrojnë vendin e tyre në një arenë krimi ndërkombëtar gjigand ku flotiljet e mafias shqiptare prej 300 gjerë në 500 anijesh të shpejta, të fillojnë transportin dhe mbytjen e tyre në det për qëllime pasurimi. Kjo është e vërteta, por unë kam besim se udhëheqësit europianë nuk kanë harruar premtimin e Edi Ramës për armët kimike. Të njëjtin fat do ketë”.

Më së shumti e shqetëson marrëveshja e detit me Greqinë, të cilën e sheh si copëtimin e dytë që i bëhet trojeve shqiptare. “Kjo që po gatuan Edi Rama me ditëzi Bushatin është një copëtim i ri i trojeve shqiptare, e cila mund të ndezë flakët e një konflikti ballkanik po u ec në këtë mënyrë”./tvklan

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb