Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka kërkuar drejtuesve të PD-së të intensifikojnë kontaktet me anëtarët, mbështetësit dhe qytetarët, ndërsa ka bërë thirrje për një proces të gjerë ripërtëritjeje dhe modernizimi të forcës politike që drejton.

Duke folur në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Berisha deklaroi se opozita duhet të shfrytëzojë çdo potencial që ka në dispozicion për të rritur atë që ai e cilësoi si “vitalitetin” e Partisë Demokratike dhe për të forcuar përballjen me qeverinë.

“Ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi, çdo potencial që kemi për ripërtëritjen e forcës tonë politike, ripërtëritje e cila, po ta mbledh me një fjalë të dytë, do të thotë rritje e vitalitetit të saj. Ripërtëritje në vlera të reja. Ripërtëritje në mekanizmat e funksionimit të saj. Ripërtëritje në modernizimin e saj. Ripërtëritje në programin e saj”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati paralajmëroi se ndryshimet në strukturën, programin dhe funksionimin e PD-së nuk duhet të mbeten vetëm në dokumente, por duhet të shoqërohen me një dalje intensive të drejtuesve të partisë në terren.

“Që të gjitha këto mbeten absolutisht fjalë në letër në qoftë se ne nuk i jetësojmë ato në takime me anëtarët, mbështetësit tanë dhe qytetarët shqiptarë. Është një kohë historike”, tha ai.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Berisha ia kushtoi situatës demografike. Ai akuzoi qeverinë Rama për dëme të rënda në këtë drejtim, duke pretenduar se rikthimi i treguesve demografikë në nivelet e vitit 2013 do të kërkonte dekada dhe politika të posaçme për ripopullimin e vendit.

“Çfarëdo që të bëjmë ne, ne e nisim në rrafshin demografik me një lindshmëri si para 100 vitesh. Dhe për ta sjellë në vitet 2013, ndoshta do të duhen, në afatet më të shpejta, 40 vite. Dhe do të duhet një politikë solide e ripopullimit të këtij vendi”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha u kërkoi anëtarëve të Kryesisë që të marrin një rol aktiv në këtë fazë të organizimit të opozitës, duke i cilësuar ata si drejtuesit kryesorë që duhet t’i përgjigjen situatës së krijuar.

“U ndala në këtë aspekt për të theksuar se çfarë rëndësie jetike ka përpjekja jonë. Anëtarët e Kryesisë së PD-së janë drejtuesit, janë udhëheqësit kryesorë të kësaj force politike dhe unë kam besim të madh, besim të plotë se kësaj sfide, kësaj kërkese, kësaj emergjence ne do t’i përgjigjemi në mënyrën më të vendosur”, u shpreh ai.

Në vijim, Berisha ashpërsoi tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e bëri përgjegjës për problemet që, sipas tij, janë grumbulluar në vend.

“Askush nuk duhet të harrojë se ‘mother matrix’ e të gjithë këtyre problemeve të mëdha e ka emrin Edi Rama apo Padrino i Shqipërisë. Pa largimin e tij, në Shqipëri dhe për shqiptarët ka rrokullisje dhe vetëm rrokullisje”, deklaroi Berisha.

Kreu demokrat pretendoi gjithashtu se çështja nuk kufizohet vetëm te zhvillimet e brendshme në Shqipëri, duke e paraqitur përballjen e opozitës me qeverinë si një mision që, sipas tij, shkon përtej interesit partiak.

“Edi Rama nuk është i rrezikshëm vetëm për Shqipërinë, Edi Rama është i rrezikshëm për rajonin, për Europën dhe më gjerë. Ndaj dhe në këtë kuadër ne përmbushim një mision kombëtar dhe shumë më të gjerë se kombëtar”, tha Berisha.

Në përfundim, ai u bëri thirrje demokratëve për mobilizim dhe intensifikim të aksionit opozitar.

“Demokratët dhe vetëm demokratët mund t’i japin përgjigjen përfundimtare, goditjen përfundimtare këtij regjimi”, deklaroi kreu i PD-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb