Ish-presidenti, Bamir Topi i ftuar në ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ foli për zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike si edhe përplasjet mes kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

I ndalur tek qëndrimet e kreut të PD-së Lulzim Basha, Topi tha se së fundmi kryedemokrati Basha ka filluar të sillet më ndryshe, pasi në fillim sipas tij dukej më i frikësuar nga foltoret e mbajtura nga Berisha.

Ai gjithashtu u shpreh se nëse Berisha shpallet kryetar defacto, atëherë krisja do të thellohet më shumë.

“Duke parë një parti të çarë një grup parlamentar që asnjë nuk ka qenë kështu, atëherë si mund të ketë motiv për eufori. Në rast se je euforik ti tregon që nuk je koshient. Së paku nga pikëpamja e aparencës, dikush mund ti ketë thënë mos e lësho veten dhe papritur ndryshoi. Tani ose e kanë mësuar të sillet ndryshe ose ka marrë garanci që nëse shkon puna në gjykatë , Berisha nuk merr drejtimin e PD”, tha ai.

Më tej ai theksoi se e ardhmja e PD-së nuk është drejt pushtetit.

Pyetje: Berisha në krye të PD-së, çfarë do të sillte dhe sa gjasa ka të ndodhë?

Topi: Nga pikëpamja e një procesi simpatie, ai mund të marrë vota të nevojshme për tu deklaruar kryetar i PD-së. Edhe po të hyjmë në një garë elektorale atëherë PD në versionin më të mirë të mundshme përgjysmohet. Por nëse nëse Berisha shpallet kryetar defacto, unë them se kriza  do të thellohet. Varianti tjetër është që Basha sanksionohet edhe njëherë si kryetar i PD-së.  Do duhet të mendojnë sadopak përtej vetës së tyre dhe për skenarët që do ti vijnë PD-së. E ardhmja e PD-së ndonëse demokratëve i vjen keq , nuk është më në shërbim apo si një mundësi që e djathta të kthehet në pushtet , kjo është shumë e rëndë. Këta të dy së bashku e kanë drejtuar PD dhe e kanë zvogëluar. Historia është e freskët, kanë lidhur aleanca formale dhe kjo e ka lënë opozitën në kuota mjerane. Unë sot kam shqetësimin e një njeriu që është projektuar tek e djathta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: