Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabic deklaroi se mbështetja e Kinës për Serbinë ka shumë rëndësi, në veçanti kur është në pyetje çështja e Kosovës.

Kryeministrja serbe i bëri këto komente gjatë një takimi me ministrin kinez për çështje të veteranëve, Sun Shaocheng. Ajo i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si të mrekullueshme dhe të cilat karakterizohen nga një partneritet strategjik dhe gjithëpërfshirës.

Kina si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ndër vendet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ndikimi i Kinës në Ballkanin Perendimor është rritur në periudhën e fundit kryesisht përmes investimeve në ekonomi dhe infrastrukturë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ishte në mesin e pjesëmarrësve të forumit “Brezi dhe Rruga” që u mbajt në Pekin në fund të muajit prill. Kjo iniciativë 1 trilion dollarëshe e Kinës synon ndërtimin e rrugëve, porteve, hekurudhave dhe infrastrukturës energjetike që do ta lidhte Kinën me Evropën, Afrikën dhe pjesë të Azisë. Projekti shihet me dyshim nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb