NBA ka dhuruar surpriza në fundjavë, ku spikat humbja e tretë radhazi për Denver në Konferencën e Perëndimit, që gjithsesi, nuk rrezikon kreun e renditjes. Nuggets u mundën 122-120 nga Brooklyn Nets, sfidë ku 7 lojtarë të ekipit mik realizuan mbi 10 pikë, përfshi titullarët. Për Denver, Jokic realizoi një “triple double”, me 35 pikë, 20 rebound e 11 asist, por që mbetën për statistikë.

Pas tre fitoreve radhazi ndalet edhe ekipi i Los Angeles Lakers, që u mund 112-108 në fushën e tij nga New York. Randle me 33 pikë e Barrett me 30 pikë bënë diferencën në fushë për Knicks, duke i bërë të pavlefshme 33 pikët e Russell për vendasit.

Në Lindje, Philadelphia kërkon kreun pas fitores së pestë radhazi, këtë herë ndaj Washington Wizards me shifrat 112-93. Për Philadelphia u dallua i zakonshmi Embiid me 34 pikë. Fiton edhe Cleveland, që mundi 114-108 Charlotte, ndeshje ku u dallua Garland me 28 pikë. Cavaliers ngjiten në vendin e katërt, vetëm një hap larg Philadelphia-s së vendit të tretë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb